Sfidat e Qeverisë së re, në dialogun me Serbinë

Politika

Sfidat e Qeverisë së re, në dialogun me Serbinë

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 19 shkurt 2021 Në ora: 14:44
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Pas zgjedhjeve të 14 shkurtit pritet të vijën në pushtet Qeveria e re e Kosovës.

Sikur qeveritë e mëparshme, edhe qeveria e ardhshme do të përballet me të njëjtat probleme që e kanë mbizotëruar vendin dekadës së fundit.

Një ndër çështjet më të rëndësishme më të cilën do të përballet është dialogu me Serbinë.

Deri tani edhe pse pati marrëveshje të nënshkruara, ato nuk u zbatuan.

Po ashtu, pati edhe pauza të disahershme të dialogut, të cilat erdhën nga probleme të ndryshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Pra, dialogu do të jetë sfidë për qeverinë e ardhshme.

Ekspertët kanë përmendur për gazetën “Bota sot” disa nga çështjet që Qeveria e re do të duhet t’i parashtrojë gjatë bisedimeve më Serbinë.

Mehazi: Dialogu i qeverisë së ardhshme duhet të jetë i qartë

Image
Sulejman Mehazi

Profesori Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka përmendur letrën e presidentit të shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, të cilën ia ka dërguar presidentit te Serbisë, Aleksander Vuçiq.

“Me ardhjen e presidentit të ri të SHBA-ve, Joe Bajden, edhe dialogu me Serbinë duhet të jetë në favor të Kosovës, vet letra e presidentit të SHBA-ve dërguar Serbisë për një marrëveshje të shpejtë e përfundimtare të njohjeve na bën të jemi optimistë ndaj këtij dialogu të stërzgjatur e jo serioz kosovare-serbe”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, profesori ka treguar se çfarë kërkesa duhet të këtë qeveria e re.

“Këtë optimizëm e superioritet duhet ta ketë edhe qeveria e re e Kosovës që do formohet pas zgjedhjeve të 14 shkurtit. Dialogu me Serbinë tani më duhet të jetë më serioz e me kërkesa optimale, normale e reale sa për të njohur shtetet fqinje njëra me tjetrën me të gjitha të drejtat e barabarta shtetërore”, ka deklaruar Mehazi për “Bota sot”.

Tutje, profesori ka theksuar se dialogu i qeverisë së ardhshme duhet të jetë i qartë, i shkurtë e me principe të palëkundura shtetërore.

“Tani më Qeveria e re e Kosovës nuk do ketë ndërkëmbëza pengesash të tipave të Thaçave, Grenellave e Vuçiqave për ndarje e shkëmbime territoresh, e mini-Republikave serbe brenda Kosovës. Dialogu i qeverisë së ardhshme duhet të jetë i qartë, i shkurtë e me principe të palëkundura shtetërore, e jo inferiore e nënçmuese për Republikën e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Një çështje tjetër, sipas Mehazit janë edhe krimet serbe të kryera në Kosovë për të cilat Serbia duhet të jap llogari.

“Nëse serbët kanë bërë krime të papara ndaj qytetarëve të Kosovës, atëherë këto krime duhet paguar me përgjegjësi juridike ndërkombëtare. Nëse serbët kanë vrarë civilë e i kanë hedhur në varreza masive, atëherë Serbia të jep llogari për këta të vrarë e të pa gjetur deri tani. Nëse Serbia ka bërë vrasje, përdhunime, e gjenocide të paimagjinuara ndaj qytetarëve të Kosovës, atëherë të gjitha këto duhet paguar”, ka potencuar Mehazi për “Bota sot”.

Ai vlerëson se qeveria e ardhshme duhet të kërkoj me këmbëngulje borxhet që ia ka Serbia e Vuçiqit Kosovës.

“Borxhet e Serbisë ndaj Kosovës janë qindvjeçare, prandaj qeveria e Kosovës në dialog me Serbinë hapur, qëndrueshëm e pa ekuivoke duhet kërkuar me këmbëngulje borxhet që ia ka Serbia e Vuçiqit Kosovës. Kurrsesi borxhëlinjve serb të Vuçiqit s'iu lejohet të kërkojnë territore në Kosovë”, ka thënë Mehazi për “Bota sot”.

Bajraj: Tema e Dialogut e pret në tavolinë Qeverinë e Re të Republikës së Kosovës!

Image
Fatmir Bajraj

Ndërkaq, analisti politik, Fatmir Bajraj, ka folur për ngjarjet që u zhvilluan gjatë vitit të kaluar në procesin e dialogut, duke përmendur edhe arritje e marrëveshjes e cila në shtator u nënshkrua nga Hoti.

“Falë përgjegjshmërisë së Kryeministrit Hoti, dialogu me Serbinë tani më është zhbllokuar dhe në binar normal, por i ndërprerë për momentin pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese i cili e qon vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat mbahen të dielën e 14 shkurtit 2021! Bllokimi i Dialogut me Serbinë nga ana e ish Qeverisë Haradinaj dhe kryeneçësia e ish Kryeministrit Kurti, kishin sjellë vendin para një kërcënimi serioz nga ana e Administratës jo-konvencionale dhe atipike amerikane të Presidentit Donald Trump, me pezullimin e fondeve financiare të SHBA-vë, për Kosovën, ngrirjen e raporteve të Pentagonit me Ushtrinë e Kosovës (FSK-në), pra një embargo që paralajmëronte kohë të rënda për Kosovën, dhe mbi të gjitha; kërcënimin e Shtëpisë së Bardhë në mundësinë shqyrtimit të largimit të trupave amerikane nga Bondstilli si përgjigje ndaj një Kryeministri të papërgjegjshëm, dhe të rrezikshëm për të ardhmen e vendit, siç ishte Kryeministri Kurti”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Më tij, Bajraj ka kritikuar veprimet e Kurtit gjatë kohës kur ishte në pushtet.

“Kurti, iku nga fronti duke dezertuar nga përgjegjësitë kushtetuese dhe shtetërore, duke mos përballuar presionin amerikan dhe premtimet që i kishte dhënë Administratës së Presidentit Trump në lidhje me Dialogun, duke shkaktuar rënien e vetvetes dhe instalimin e barrierave të reja karshi dialogut, për Qeverinë e Re, siç ishte masa e Reciprociteti!”, ka thënë ai.

Bajraj ka vlerësuar se Hoti i ka dhënë impuls procesit të dialogut duke e rikthyer në tavolinë e bisedimeve.

“Ardhja e Dr. Avdullah Hotit në krye të Qeverisë së Kosovës, i dha impuls procesit të dialogut, duke heqë barrierat dhe duke u kthye në tavolinë e bisedimeve, si shtetar i vërtetë në përballje me sfidën e dialogut, e cila ishte në krye të agjendës së Brukseli dhe Uashingtonit, si njëra nga temat me rëndësi strategjike në Ballkanin Perëndimor, e cila ishte kthye në pengesë të integrimeve në BE-së!”, ka cilësuar ai.

Bajraj: Marrëveshja me Serbinë, kruciale për fatin e integrimeve!

Më tej, ai ka treguar se cilët nga kandidatë për postin e kryeministrit ju kanë shmangu dialogut me Serbinë.

“Kandidatet potencial për postin e Kryeministrit të Kosovës, siç janë, Kryeministri në detyrë, Dr. Avdullah Hoti, lideri i VV-së, z.Kurti, z. Fatmir Limaj nga Nisma dhe ai i PDK-së, z.Enver Hoxhaj, përjashto Kryeministrin në detyrë, të gjithë tjerët shmangin temën e Dialogut, si temë e cila nuk është "popullore", ngase nuk sjellë vota, duke parapëlqyer ta kalojnë në heshtje, edhe pse të vetëdijshëm se ajo e pret në tavolinë Kryeministrin e ri, të dalë pas rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit 2021”, ka thënë ai.

Bajraj: Platforma e Qeverisë Hoti në dialogun e Brukselit dhe Uashingtonit, unike!

Gjithashtu, ai ka treguar se cila është platforma e Hotit për dialogun Kosovë- Serbi.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës si platformë shtetërore në tavolinën e bisedimeve me Serbinë në Bruksel & Uashington, në njërën anë, si dhe njohja reciproke si kulmim dhe derivat i procesit, janë bazamenti dhe kurora e gjithë procesit të mundimshëm e të stërzgjatur për rreth një dekade. Konturimi i parimeve të qarta të z.Hoti, siç janë; Integriteti i vendit, Sistemi unitar i shtetit, dhe Asociacion të Komunave me shumicë serbe, pa pushtet të tretë, përkatësisht, pushtet ekzekutiv”, ka potencuar Bajraj për “Bota sot.

Ai ka cekur se marrëveshja për njohje reciproke ndërmjet kosovës dhe Serbisë duhet të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

“Marrëveshja për njohje reciproke, si marrëveshje për të gjitha ose për asgjë, duke afatizuar procesin e negocimit dhe e njëjta të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe e ratifikuar në Parlamentin e Kosovës, sikur ka marr bekimin e qytetarëve të Kosovës, por edhe të qendrave të vendosjes, përkatësisht të partnerëve tanë strategjik në SHBA dhe BE!”, ka thënë ai.

Ndërkaq, ai ka treguar se çfarë duhet të bëjë parlamenti i ri i Kosovës, i cili do të dalë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

“Kosova ka një marrëveshje të ratifikuar në Parlamentin e Kosovës në lidhje me AKS-në, pra Marrëveshjen e parë të prillit 2013, dhe një Marrëveshje të parimeve të 2015-tës, e cila konform aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, duhet të formohet si obligim ndërkombëtar dhe në këtë sens, Parlamenti i ri Kosovës duhet pa humbur kohë, të nxjerrë statutin e AKS-së, kuptohet pa kompetenca ekzekutive, dhe t'i mbyllë shtigjet për opsione tjera të cilat mund t'i nxjerrë, lehtësuesi i bisedimeve, Brukseli, opsione të cilat janë ma të pafavorshme për Kosovën dhe shtetësinë e saj.

Hezitimi i Kosovës në lidhje me formimin e AKS-së, dëmton Kosovën dhe ndihmon Serbinë e Vuqiqit cila ia ka dalë mbanë që në arenën ndërkombëtare të shihet si një shoqëri dhe pushtet demokratik dhe kinse e interesuar për marrëveshje dhe duke hedhur fajin palës tjetër, Kosovës”, ka përfunduar Bajraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat