A mundet Kosova të bëjë padi për gjenocid ndaj Serbisë? Flasin juristët, tregojnë procedurat

Politika

A mundet Kosova të bëjë padi për gjenocid ndaj Serbisë? Flasin juristët, tregojnë procedurat

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 10 maj 2021 Në ora: 17:14
Qeveria e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se Kosova do ta padisë Serbinë për gjenocid të bërë gjatë luftës në vendin tonë.

Kjo, sipas shefit të qeverisë do bëhet pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, me seli në Hagë të Holandës.

“Do të jetë një përgatitje gjigante sepse nuk guxojmë të dështojmë assesi në këtë rast pranë GJND-së”, tha Kurti.

Padia në fjalë është pjesë e Planit-Qeverisës që ekzekutivi e miratoi ditë më parë, përcjell “Bota sot”.

Qeveria Kurti që nga fillimi i punës së saj ka theksuar gjithmonë që Serbia do të paguajë atë se çfarë i ka bërë shtetit të Kosovës dhe si duket padia për gjenocid do të jetë një hap drejt asaj për ta paguar gjithë atë që i ka bërë popullit të Kosovës.

Kujtojmë që mundësia për ushtrimin e një padie të tillë është përmendur edhe në të kaluarën nga udhëheqës politik të Kosovës, duke nxitur reagimin e Beogradit. E që në atë kohë presidenti serb Aleksandër Vuçiç, tha se Kosova nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, duke bërë thirrje që të heqë dorë nga kjo nismë.

Shqiptarët e Kosovës e cilësojnë gjenocid fushatën e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999, gjatë së cilës u vranë mbi 10 mijë veta, mijëra llogariteshin të zhdukur, ndërsa mbi 800 mijë shqiptarë u dëbuan. Lufta mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Ndërsa juristët e shohin shumë pozitive këtë hap të qeverisë Kurti dhe sipas tyre një padi e tillë ishte e nevojshme që moti, mirëpo njëkohësisht shprehen se e njëjta padi duhet të përgatitet shumë mirë dhe me plot fakte që Gjykata të mos ketë hapësirë për ta refuzuar.

Kelmendi: Padi për gjenocid ndaj Serbisë ka shumë anë pozitive

Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, juristi Muhamet Kelmendi u shpreh se paraqitja e padisë për gjenocid nga qeveria Kurti është një padi e qëlluar dhe se është dashur të paraqitet shumë kohë më parë.

Image
Muhamet Kelmendi

Sipas Kelmendit, qeveria Kurti duhet të shikojë modalitetet e paraqitjes së padisë, në mënyrë që të mos refuzohet ajo pa u hapur fare procedura.

“Në planin e Qeverisë Kurti është planifikuar paraqitja e padisë për gjenocid kundër shtetit serb. Parimisht është kjo një padi e qëlluar dhe e cila është dashur të paraqitet para shumë kohësh. Mirëpo as tash nuk është vonë. Dështimet e mëhershme duhet të tejkalohen dhe është shumë e qëlluar kjo padi. Natyrisht se i takon Qeverisë të shikon modalitetet e paraqitjes së padisë. Kjo për faktin se ajo mund të refuzohet pa u hapur fare procedura”, u shpreh Kelmendi.

Më tej, ai shton se Kosova duhet të marrë një modalitet të gatshëm nga një shtet tjetër mirëpo nëse nuk mundet Kosova të bëjë një padi të tillë, atëherë i takon Shqipërisë ta bëjë atë.

Juristi tregon tri anët pozitive të kësaj padie.

“Nëse juridikisht nuk bëhet nga Kosova ka modalitete tjera. Një modalitet është nëpërmjet Shqipërisë ose të ndonjë shteti tjetër që shprehet i gatshëm për padi. E mira është të bëhet nga ndonjë shtet i BE apo nga SHBA. E nëse kjo nuk shkon i takon Shqipërisë të bëjë padinë e tillë. Pavarësisht suksesit a mossuksesit padia ka shumë anë pozitive. Së pari, sepse vërehet Serbia në pozitën e të paditurit për gjenocide, së dyti, sjellin prova dhe dëshmi për veprat e tilla të rënda penale dhe së treti, zhvillohet një luftë e suksesshme kundër shtetit faktikisht kriminal. E këtu kjo është më e rëndësishme”, theksoi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

Burjani: Kosova ndërmori një hap pozitiv në lidhje me Serbinë

Juristi tjetër, Blerim Burjani në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë se është shumë pozitive padia për Serbinë nga ana e Kosovës, por që një padi e tillë duhet të përgatitet shumë mirë dhe njëkohësisht me shumë fakte.

Image
Blerim Burjani

Sipas tij, Kosova duhet të përgatitet mjaft mirë këtë padi, në mënyrë që Gjykata të ketë materialet e duhura që të sheh atë se çfarë Serbia i ka bërë shtetit të Kosovës.

“Kjo duket pozitive për tërë atë që ka ndodhur gjatë një periudhe kohore që është përmendur me vite të tëra dhe nuk është ngritur një padi e tillë. Padia duhet të përgatitet shumë mirë me shumë fakte që dëshmojnë gjenocidin, argumentet e shumta kërkohen për të dëshmuar gjenocidin, kjo është mjaft shumë e komplikuar, faktet e shumta materiale duhet t’i tregohen Gjykatës. Është e kuptuar se pa përgatitur jashtëzakonisht mirë në këtë situatë të Kosovës për padinë dhe mbrojtjen e padisë do të jetë e vështirë marrja e një vendimi”, potencon juristi.

Më tej, juristi tregon edhe anën nëse Kosova mund ta humbë rastin në Gjykatë, pasi që atëherë Kosova të vihet në një siklet të madh.

Burjani thotë se Kosova duhet të angazhojë një avokat ndërkombëtar që ka përvojë të madhe në çështjet për gjenocid, pasi që një padi e tillë merr kohë, një vit e gjysmë për ta shkruar.

“Fjala gjenocid do të thotë genos dhe ocidere në gjuhën latine që do të do të thotë shfarosje, andaj dëshmitë duhet të jenë relevante në kuptimin juridik “pa politik” por me fakte të shumta. Nuk do të ishte mirë e aspak pozitive nëse Kosova e humbë rastin në këtë Gjykatë, rasti i Bosnjës, i Srebrenicës i humbur dhe shumë gjëra tjera të komplikuara. Nëse Kosova humb rastin, atëherë edhe miqtë e Kosovës do të jenë në siklet të madh. Duhet angazhuar avokat ndërkombëtar që kanë përvoje të madhe në këtë çështje për të dëshmuar gjenocidin me fakte relevante, dokumentacion për të përgatitur një padi të tillë, kërkohen një vit e gjysmë për të shkruar një padi me fakte bindëse me ato që janë”, ka deklaruar Blerim Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat