Sulmi në Zubin Potok, për shkak të paralajmërimit të Kurtit për padi ndaj Serbisë?

Politika

Sulmi në Zubin Potok, për shkak të paralajmërimit të Kurtit për padi ndaj Serbisë?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 12 maj 2021 Në ora: 10:31
Kryeministri i vendit, Albin Kurti

Veriu i Kosovës vazhdon të jetë një nga pjesët më të ndjeshme dhe kritike të vendit.

Për shkak të Serbisë dhe serbëve që jetojnë në këtë pjesë të Kosovës, jo rrallë herë ndodhin incidente dhe sulme ndaj shqiptarëve të kësaj pjese.

Së fundmi, një rast i ngjashëm ndodhi në qytetin e Zubin Potokut, ku para disa ditëve disa bjeshkatarë shqiptarë duke ecur në male, janë gjuajtur me armë zjarri gjatë rrugës së tyre.

Bjeshkatarët e sulmuar kanë qenë nga klubi ‘Kosovo Mountain Club’, ku pjesë e tyre ishte edhe ish-deputetja e AAK-së, Donika Kadaj Bujupi.

Më pas, doli edhe policia me njoftim zyrtar në lidhje me këtë rast, duke dhënë detaje më të hollësishme.

“Rreth 40 persona me autobus në mënyrë të organizuar, kanë ardhur nga ana e Zubin Potokut, me zhvillu ecje nëpër male, sipas tyre dikush ka shtënë me armë zjarri dhe janë kthyer nga aty. Nuk është lënduar askush dhe nuk ka dëme të raportuara. Në kthim prapa e kanë taku një patrullë policore dhe i kanë shpjeguar rastin, në stacionin policor nuk kanë pranuar të shkojnë me arsyetimin që deklaratat me i jep në Prishtinë”, ka thënë Besim Hoti, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës.

Mirëpo, këtë sulm disa po e lidhin edhe me paralajmërimin e kryeministrit Kurti për padi të gjenocidit ndaj Serbisë.

Njohës të sigurisë dhe çështjeve politike për gazetën “Bota sot”, e analizuan këtë incident në Veri të Kosovës dhe dhanë arsyet dhe ndikimin e këtij rasti në përkeqësimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Shala: Çdo përkeqësimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi do të reflekton në procesin e dialogut

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka folur për tensionimin e situatës në Veri të Kosovës, ku u sulmuan disa bjeshkatarë shqiptarë nga disa serbë të Zubin Potokut.

Image
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala

Sipas tij, Veriu i Kosovës është oaza e grupeve kriminale të organizuara nga shërbimi informativ serb, ku me këtë rast u vu në pah se kjo pjesë është jashtë kontrollit institucional KFOR/Policia e Kosovës.

“Pjesa veriore e Kosovës që nga pas lufta mbetet oazë e grupeve kriminale të organizuara nga shërbimi informativ serb, të cilët i bashkërendojnë veprimet e tyre për interesa të planifikuara nga ata, siç ishte me njësinë paraushtarake "Ujqit" të cilët kanë vepruar në atë pjesë. Pra, incidenti i fundit e vë në pah gjendjen e sigurisë e cila është jashtë kontrollit institucional KFOR/Policia e Kosovës, që nuk e kanë në kontroll atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës”, deklaroi eksperti i sigurisë.

Megjithatë, Shala dyshon se ky incident ka ndodhur për shkak se në atë pjesë të Kosovës ka ende armë të gjata luftarake, të cilat janë në posedim të grupeve kriminale dhe qytetarëve të rëndomtë të cilët ushtrojnë me ato armë.

“Ky incident supozoj që nuk ka pasur organizim nga struktura të caktuara që veprojnë në atë pjesë por incidenti ishte i rastësishëm. Sepse në atë pjesë ka ende armë të gjata luftarake të cilat janë në posedim të grupeve kriminale dhe qytetarëve të rëndomtë, të cilët edhe për “rekreacion” shëtisin lirshëm nëpër ato bjeshkë ku qëllojnë, ushtrojnë më ato armë të cilat i posedojnë”, potencoi ai.

Në vazhdim, ai e ritheksoi problemin e posedimit të armatimit ushtarak të qytetarëve në atë pjesë, ku kërkoi që të bëhet çarmatosja e civilëve serb, pasi ndikon drejtpërdrejt në sigurinë e vendit dhe qytetarëve të asaj pjese.

“Nuk ka shtëpi në veri të Kosovës të nacionalitetit serb të cilët nuk posedojnë armatim ushtarak, të furnizuar nga shteti serb. Kjo është një traditë e shtetit serb që është armatosja e qytetarëve civil serb, ngjashëm me vitet 80 dhe 90 ku në mënyrë të organizuar ushtria dhe policia serbe u kanë shpërndarë armatim ushtarak, qytetarëve civil serb. Andaj, është mos e nevojshme dhe e domosdoshme që të bëhet çarmatosja e civilëve serbë nga armët ushtarake ku do të ndikonte drejtpërdrejt në sigurinë e vendit dhe qytetarëve të asaj pjese”, u shpreh Shala.

Në fund, eksperti i sigurisë tregoi format përmes të cilave mund të bëhet çarmatimi i qytetarëve, pasi nëse vazhdon përkeqësimi i situatës në këtë pjesë të Kosovës, atëherë do të reflektojë në procesin e dialogut.

“Kjo mund të realizohet në disa forma si për shembull: Kampanjë për dorëzim të armëve ushtarake pa sanksione ligjore, shtimin e patrullimit të KFOR-it dhe ndërmarrja e veprimeve operative për çarmatosje në bashkërendim më Policinë e Kosovës kjo është më se e domosdoshme dhe e nevojshme për të garantuar sigurinë në tërë territorin e vendit duke përfshirë edhe pjesën veriore. Ndërsa, sa i përket raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë, çdo përkeqësimi i situatës do të reflekton në procesin e dialogut”, përfundoi Drizan Shala.

Bytyçi: Përmes serbëve lokal, Serbia po krijon probleme në Kosovë

Kurse, analisti politik Adem Bytyçi, mendon se ky sulm në Zubin Potok mund të ndërlidhet me paralajmërimin e kryeministrit Kurti për padi të gjenocidit ndaj Serbisë.

Image
Analisti politik Adem Bytyçi

Përveç kësaj, Bytyçi beson që Serbia përmes shërbimeve të fshehta të shtetit, është e vendosur që atë pjesë të territorit të Kosovës ta pastrojë etnikisht nga shqiptarët.

“Ajo që tani më dihet botërisht, Serbia e ka shërbimin e vet informativ dhe strukturat paralele në Veriun e Kosovës dhe në të gjitha vendbanimet, respektivisht komunat serbe në Kosovë. Edhe mund të jetë shkak i sulmit të Bjeshkatarëve shqiptarë në komunën e Zubin Potokut me armë zjarri nga bandat, serbe atje, paralajmërimi i Qeverisë Kurti për ta paditur Serbinë për gjenocid, por edhe sikur të përjashtohej ky version, Serbia përmes serbëve lokal atje dhe shërbimeve të fshehta të shtetit serb, është e vendosur që atë pjesë të territorit të Kosovës ta pastrojë etnikisht nga shqiptarët”, deklaroi ai.

Tutje, analisti përmendi edhe një tjetër fakt që tregon se shteti serb gradualisht po e kolonizon atë pjesë të territorit të Kosovës me serb nga Serbia, e ky fakt është ndërtimi masiv i shtëpive për serbët në këtë pjesë.

“Vetë ndërtimi i shtëpive për t'iu mundësuar serbëve nga Serbia që të vijnë për tu vendosur në atë pjesë të territorit të Kosovës, tregon se shteti serb gradualisht po e kolonizon atë pjesë të territorit të Kosovës me serb nga Serbia, me shpresën se një ditë jo vetëm Komunën e Zubin Potokut, por tërë Veriun e Kosovës t'ia bashkojë Serbisë, përkatësisht në pamundësi për të arritur këtë synim, të kërkojë një autonomi politike dhe territoriale për serbët në vendbanimet me shumicë serbe në Kosovë”, theksoi ai.

Bytyçi e dha edhe një mendim interesant, ku u shpreh se Serbia duke parë problemet mes partive politike në Kosovë, krijon probleme përmes serbëve lokal, për ta gënjyer opinionin ndërkombëtar kinse raportet ndër etnike në Kosovë janë jo stabile.

“Sa herë Serbia, vëren përplasjet në mes forcave politike në Kosovë, krijon probleme përmes serbëve lokal për ta gënjyer opinionin ndërkombëtar kinse raportet ndër etnike në Kosovë vazhdojnë të jenë të brishta. Jo vetëm tani, por prej çlirimit të Kosovës nga okupimi serb e deri tani, shqiptarët në pjesën veriore të Kosovës janë sulmuar dhe diskriminuar nga serbët lokal atje dhe siguria e tyre për jetë në atë pjesë të Kosovës ka qenë minimale edhe pse thuhet se forcat e policisë së Kosovës janë të pranishme edhe në atë pjesë të territorit të Kosovës”, potencoi ai.

Në fund, analisti tha se situatën e qytetarëve shqiptarë në pjesën veriore të Kosovë, e tregon fakti se ata nuk po lejohen të ndërtojnë shtëpi në tokat e tyre.

“Situatën në të cilën gjendet popullata shqiptare në pjesën veriore të Kosovës më së miri e pasqyron e dhëna se shqiptarët nuk lejohen nga serbët dhe pushteti i serbëve lokal atje, që të ndërtojnë shtëpitë e tyre për t'u kthyer për të jetuar atje në tokat e tyre në të cilat jetonin para lufte”, përfundoi Adem Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat