Zhvillime dramatike para takimit në Bruksel: Albin Kurti këmbëngul për këtë, por ja çka kërkon Vuçiq

Politika

Zhvillime dramatike para takimit në Bruksel: Albin Kurti këmbëngul për këtë, por ja çka kërkon Vuçiq

Nga: P.R Më: 3 qershor 2021 Në ora: 20:03
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Në prag të takimin në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka thënë se takimi me Vuçiqin nuk është vazhdim i procesit të mëparshëm, por një nisje e re.

“Është takim i parë në të cilin për herë të parë pritet që përball ta kem Presidentin e Serbisë me të cilin nuk jam asnjëherë në jetë nëse përjashtojmë tryezën me mbi 30 veta në shkurtin e vitit 2020 në Konferencën e Sigurisë në Munih të Gjermanisë. Aty do të shohim se çfarë mund të jetë kapitulli i ardhshëm i dialogut. Është takim për dialogun e ardhshëm, por nuk është vazhdim i dialogut të më hershëm”, është shprehur Kurti.

Ndërkohë presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se nëse ‘Kurti shkon në Bruksel për të diskutuar njohjen e Kosovës, më mirë mos të shkojë”. Ai ka thënë se në Bruksel do të ‘duhej të diskutohej për Asociacionin e Komunave serbe.

“Unë në Shtëpinë e Bardhë s'e kam nënshkruar pavarësinë e Kosovës e lere më ta bëjë diku tjetër. Nëse Kurti mendon se nuk do flasim për Bashkësinë e Komunave serbe por ne do e pranojmë Republikën e Kosovës, atëherë ai mos të vjen fare në takim dhe mua nuk kanë çka më dërgojnë ftesë. Për tjera gjëra sikur që janë personat e pagjetur mund të flasim pa problem”, deklaroi Vuçiq.

Por çfarë do të ndodhë në takimin e Brukselit? Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

“Kryeministri Kurti thotë se do të shkojë në Bruksel për të diskutuar për njohjen e Kosovës dhe jo për çështje të tjera. Mendoj se kjo është rruga më e mirë për të realizuar më pas hapat e tjerë. Pra duhet nënshkruar kontrata e njohjes, më pas të diskutohet për çështje konkrete të rregullimit të marrëdhënieve midis të dy vendeve. Në këtë mënyrë zbatohen më mirë edhe ligjet ndërkombëtare. Nëse Kosova nuk bisedon si shtet i pavarur me Serbinë, atëherë nuk mund të zgjidhë çështjet e tjera si partnere e barabartë me të. Barazia është parimi themelor i çdo dialogu”, thotë Bytyçi.

Sipas tij, para takimit të Brukselit ekzistojnë dy pikëpamje të ndryshme nga Kurti dhe Vuçiq.

“Kësisoj shohim dy pikëpamje të ndryshme, dy qëndrime, të cilat nuk pajtohen me njëri-tjetrin. Presidenti I Serbisë duket se ka interes ta zhagisë dialogun pambarim, duke kërkuar diskutime për çështje konkrete Pala e Kosovës kërkon t'i jepet fund dilemës "E njeh ose nuk e njeh Serbia shtetësinë e Kosovës"! Këmbëngulja e zotit Kurti për opsionin e dytë, për ta përmbyll çështjen e njohjes është i drejtë edhe nëse shohim se çfarë ka ndodhur në dhjetë vitet e shkuara. Në këto dhjetë vite Serbia ka interferuar, provokuar dhe përfituar nga dialogu, pikërisht për shkak të qasjes që ajo pati në dialog. Ndërkohë përfaqësuesit e Kosovës e toleruan këtë agresion serb verbal kundër Kosovës”, thekson profesor Bytyçi.

Bytyçi shton se kryeministri Kurti është në presion të dyfishtë, nga Serbia dhe ndërkombëtaret.

“Për këtë arsye besoj se zoti Kurti do ta ketë të vështirë ta përballojë presionin e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. Po të kemi parasysh edhe presionin e zotit Palmer, kur deklaroi se Zajednica duhet të pranohet nga ana e qeverisë së Kosovës, atëherë merret me mend se presioni i presidentit serb dyfishohet. Duket qartë se Vuçiq nuk do ta ketë kundërshtimin amerikan, se atë evropian jo e jo, për t'ju qasur opsionit të Zajednicës. Zoti Kurti thotë se nuk do të lejojë krijimin e një Asociacioni një etnik. Argumenti është logjik e racional. Por të shohim sa këmbëngulës do të jetë ai”, deklaron Bytyçi për “Bota sot”.

“Gjithashtu ne nuk e dimë se çfarë ka ndërmend kryeministri I Kosovës kur thotë se nuk lejon një Asociacion një etnik. Cila është ose do të jetë formula e zgjidhjes dhe e parandalimit të krijimit të Zajednicës serbe, sipas kushteve të pranuara nga Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa?! A ka alternativë dhe cila është ajo? Shkurt, unë besoj se duhet një përgatitje më e plotë, më e mirë, madje akoma më agresive, por e bazuar në argumente dhe logjikën e zgjidhjes së gjërave. Qeveria dhe delegacioni i Kosovës ende nuk i kanë bërë publike opsionet, argumentet, idetë dhe qëndrimet përfundimtare të tyre”, shton Bytyçi.

Profesor, doktor Bytyçi thotë se në Bruksel Albin Kurti do ta kërkojë njohjen e Kosovës, ndërkohë Vuçiq do ta dëshirojë Asociacionin serb.

“Nga mesi i muajit qershor Kurti dhe Vuçiq do të takohen në Bruksel. Sigurisht nëse do të bien dakord për axhendën e takimit. Nëse nuk bien dakord do të thotë se Kurti nuk do të pranojë të bisedojë për Zajednicën dhe Vuçiq, siç edhe shprehet në deklaratën e tij, nuk do të pranojë të flasë për njohjen e ndërsjelltë. Njohjen e ndërsjelltë e ka kërkuar në mënyrë të përsëritur presidenti amerikan Joe Biden. E përmendi edhe i dërguari i DASH, Palmer, para dy ditësh në Prishtinë. Por askush nuk jep një sqarim konkret se si do të shkohet te njohja: Direkt, siç thotë zoti Kurti, apo indirekt, pasi të jetë ezauruar çështja e Asociacionit, siç pohon Palmer. Ndërkaq sa i përket Vuçiq, duket se ai nuk do të pranojë asnjëherë të nënshkruajë njohjen e Kosovës. Së paku këtë ai e ka pohuar disa herë”, shprehet Bytyçi.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të evitojë temën e Asociacionit.

“Unë e përkthej këtë refuzim të Vuçiq për njohjen e Kosovës si gatishmëri të tij për të nënshkruar një marrëveshje tjetër, që mund të quhet si marrëveshja e ndërmjetme. Nëse shkohet drejt kësaj, atëherë qeveria e Kosovës duhet të evitojë të flasë për atë që quhet Zajednica”, deklaron Bytyçi.

“Dhe së fundmi, bashkësisë ndërkombëtare, zotit Palmer dhe zotit Lajçak, u duhet bërë e ditur se Serbia kërkon ta shtyjë njohjen, sepse duke mos e pranuar njohjen e shtetit të Kosovës i krijon mundësi vetes të kërkojë në këmbim të saj lëshime të pafund, derisa të mos ia vlejë më as njohja. Kjo është taktika e përhershme e Serbisë. Ndoshta zoti Kurti e njeh mirë këtë taktikë serbe, prandaj dhe këmbëngul që së pari të arrihet njohja e më pas marrëveshjet e tjera”, përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat