Formuan Specialen kundër UÇK-së, tani sulmojnë Kurtin/Çfarë fshihet pas akuzave të PDK-së

Politika

Formuan Specialen kundër UÇK-së, tani sulmojnë Kurtin/Çfarë fshihet pas akuzave të PDK-së

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 9 qershor 2021 Në ora: 08:47
Albin Kurti dhe Enver Hoxhaj, foto ilustrim "Bota sot"

Kohëve të fundit në opinionin publik është rikthyer çështja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Emri dhe kontributi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vlerësohet jashtëzakonisht shumë nga çdo qytetar i Kosovës. Por, emri i saj shpeshherë edhe është keqpërdorur nga individë të shumtë, duke përshirë këtu edhe fytyra të rëndësishme politike.

Tashmë ka disa javë që emri i UÇK-së është duke u përdorur nga opozita.

Opozita po akuzon qeverinë dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti se janë kundër UÇK-së.

Nga analistët politik, këto akuza të opozitës po shihen të tilla që po përdoren për përfitime politike. Ata shprehen për “Bota sot” se emri i UÇK-së është keqpërdorur në shumë raste për shkak të ndjeshmërisë që ajo krijon në opinioni publik.

Mehmeti: Kjo parti i ka shkaktuar dëmin më të madh UÇK-së

Lidhur me këtë, analisti politik, Faton Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se UÇK-ja po përdoret për përfitime të vogla politike nga opozita.

Image
Faton Mehmeti

“Opozita, konkretisht PDK, s`ka më asnjë kauzë, po e përdor UÇK-në për përfitime të vogla politike. Dëmin më të madh UÇK-së nga paslufta ia ka bërë PDK-ja, opozita e sotme e cila është thirrur në emër të UÇK-së, në emër të saj kanë vjedhur, kanë zhvatur dhe janë bërë milionerë”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Po ashtu, Mehmeti ka theksuar se në këtë mënyrë opozita po e justifikon faktin pse janë në opozitë e jo në pushtet.

“Kjo opozitë është për ngushëllim në çfarë niveli ka rënë, e cila çdo ditë e më shumë e justifikon faktin pse janë në opozitë e jo në pushtet. Është fat i madh që këtë që janë në opozitë, s`janë në pushtet, janë mjerimi i popullit. Nëse ka mbet ndonjë ushtar i ndershëm i UÇK-së, e që besoj ka shumë, duhet të dalin dhe të distancohen nga gjuha e opozitës e cila po përdorë emrin dhe lavdinë e saj për poena politikë. Kjo gjë s’duhet të ndodhë më”, ka vlerësuar Faton Mehmeti për “Bota sot”.

Qarri tregon kush e dëmtoi UÇK-në

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka thënë se partitë të cilat ishin në pushtet për 20 vite nuk lejuan as gjykatat vendore të dënonin as një akt të vetëm kriminal të shkaktuara nga Serbia në Kosovë.

Image
Gani Qarri

“Përveç dhembjeve të mëdha e të pafund të familjarëve dhe shkatërrimeve të paimagjinueshme materiale që ka lënë Serbia, në Kosovë pas ikjes së saj, u ngritën edhe shumë dilema dhe mbetën dhjetëra mijëra pyetje të hapura, se pse tash e mbi 21 vite me radhë PDK-AAK-LDK dhe NISMA, jo vetëm që shuan Institutin për Krimet e Luftës, në Kosovë, por nuk lejuan as gjykatat vendore të dënonin as një akt të vetëm kriminal të shkaktuara nga Serbia në Kosovë, mbi shqiptarët e pafajshëm. Pse këto parti të inkriminuara, shuan edhe Institutin për Krimet e Luftës, si dhe nuk lejuan dënimin e asnjë akti të vetëm kriminal serb, qoftë edhe në mungesë, për mijëra vrasje, dhjetëra mijëra përdhunime, kidnapimin e mijëra të vdekurve dhe shkapërderdhjen e eshtrave të tyre, nëpër varrezat masive, pjesët mortore të të cilëve vazhdojnë të zhvarrosen në mënyrë sporadike edhe 22 vite pas lufte gjithandej Serbisë, pa kuptuar asnjëherë mënyrën se si ata u vranë dhe as se çfarë ka ndodhur në realitet me organet e tyre “, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Me tej, Qarri ka treguar se në çfarë momenti opozita po tenton të rikthejë çështjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Madje mu në momentet kur Qeveria e re e Kosovës, pritet ta ri-themelojë serish Institutin për Krimet e Luftës dhe të ngritë padi kundër Serbisë, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, për krime dhe gjenocid ndaj shqiptarëve gjatë viteve të luftës në Kosovë, pikërisht ata të cilët nuk lejuan kurrë të ndërmerret asgjë kundër okupatorëve serb dhe heshtën të gjitha krimet e Serbisë të shkaktuara ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Kosovë, po kjo opozita e çoroditur tenton ta rikthejë sërish çështjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila siç është në dijeni i gjithë opinioni vendor, më shumë se gjithkush tjetër, ajo vet me bëmat e saj korruptive e kriminale e ka dëmtuar UÇK-në, duke e votuar edhe Gjykatën Speciale për gjykimin e udhëheqësve të saj, ndërsa tani pa fije turpi, akuzon qeverinë se kinse ajo është kundër UÇK-së”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Qarri ka përmendur të bëmat e opozitës gjatë kohës kur ishin në pushtet, duke theksuar se po përpiqen që të fitojnë diçka duke keqpërdorur serish UÇK-në.

“Në këtë mënyrë oponentët e degjeneruar, të cilët për dy dekada me radhë bën pazaret më të trishta me tokat e Kosovës, i shitën apo falën dhjetëra mijëra hektarë FYROM-it e Malit të Zi, nënshkruan kundërligjshëm Zajednicën serbe, kërkuan publikisht ndarjen e Kosovës dhe paguan edhe firma të huaja për promovimin e ndarjes së saj, si dhe tentuan për t`ia falur edhe veriun me pjesët më vitale të vendit tonë të vogël, Serbisë okupatore, duke parë se çdo ditë e më tepër po afrohet momenti kur edhe këta vet do të përballen me drejtësinë për aktet e tyre kundër kushtetuese dhe tradhti kombëtare, opozita e degjeneruar edhe në këtë mënyrë po përpiqet të fitojë diçka duke keqpërdorur sërish UÇK-në, për shkak të ndjeshmërisë që ajo krijon tek opinioni publik, akt me të cilin serish do të dalin të dështuar, sepse tanimë e kanë kuptuar i madh e i vogël se kush janë këta matrapaz të cilët populli i lodhur me ta për 20 vite me radhë, i rrëzoi nga pushteti me votë dhe çoi në opozitë”, ka cekur Qarri për “Bota sot”.

Në fund, ai ka thënë se duhet të bëhen hetime rreth shuarjes së edhe "Institutit për Krimet e Luftës", dhe personat e përfshirë duhet të nxirren para drejtësisë e të marrin dënimin e merituar.

“Ndaj dëmi që i kanë shkaktuar popullit dhe shtetit të Kosovës opozita e sotme dhe partitë e inkriminuara me Thaçin, Mustafën, Haradinajn e Limajn në krye, në 13 vitet e fundit, jo vetëm që është i pallogaritshëm, por veçanërisht, veprimet e tyre kundër shtetit dhe qytetarëve të Kosovës, të cilët shkuan deri atje sa ta shuanin edhe "Institutin për Krimet e Luftës", duhet hetuar urgjentisht dhe të gjithë të inkriminuarit të nxirren para drejtësisë e të marrin dënimin e merituar”, ka përfunduar Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat