Politika e ka bërë vegël të veten kulturën, për interesa të caktuara të politikanëve

Politika

Politika e ka bërë vegël të veten kulturën, për interesa të caktuara të politikanëve

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 7 korrik 2021 Në ora: 19:33
Kuvendi i Kosovës

Artistët në Kosovë janë ata që shumë herë e kanë bërë krenarë vendin dhe kanë arritur suksesin edhe atje ku duhej të dëgjohej emri ynë. Nëpër të gjitha vendet e botës e duke përfshirë edhe Rusinë e Serbinë, artistët e Kosovës kanë arritur të dalin triumfues.

Pavarësisht sukseseve, ata ndihen të mosvlerësuar nga shteti i Kosovës. Ata kanë kërkuar më shumë të drejta e përkrahje nga Kosova.

Në legjislaturën e fundit të Kuvendit të Kosovës, është zgjedhur për deputete edhe një aktore shumë e suksesshme në Kosovë dhe jashtë saj. Adriana Matoshi është ulur në karrigen e deputetes nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje. Zgjedhja e saj deputete ngjalli shpresa për artistët në vend.

Ajo në një fjalim të saj në Kuvend, ka potencuar suksesin që filmat e Kosovës kanë pasur viteve të fundit në festivalet më prestigjioze të botës dhe njëkohësisht ka kërkuar që kinematografia të përkrahet në nivel vendi.

“Viteve të fundit, vajza dhe djemtë e kinematografisë, aktorë dhe regjisorë nga Kosova kanë shënuar rritje të suksesit në arenën ndërkombëtare të filmit. Edhe pse me buxhet të vogël, falë talentëve të shumtë, kemi filma në të gjitha festivalet më të mëdha të botës si në: Sundance, Rotterdam e Kanes”, thotë Matoshi.

Për Matoshin, përmes filmit paraqitet historia jonë e vërtetë dhe promovohet një imazh më i mirë për vendin dhe arenën ndërkombëtare. Andaj, duhet të sensibilizohemi dhe tregojmë vëmendje në krijimin e kushteve dhe ofrimin e përkrahjes për ushtrimin dhe zhvillimin e veprimtarisë së tyre, coftë edhe vetëm duke ia njohur kontributin e tyre të deritashëm.

E kontaktuar nga ‘Bota sot’, nëse do të përkrahen artistët nga përfaqësimi i saj në Kuvend, ajo nuk e ka komentuar këtë ҫështje.

Gazeta ka kontaktuar edhe deputetë nga komisioni për kulturë, rini dhe sport, nëse do të përkrahen artistët në Kosovë, mirëpo ata janë shprehur se kjo i takon ekzekutivit dhe jo legjislativit.

Njohësit dhe kritikët e artit janë shprehur se, ndonëse artistët nuk përkrahen mjaftueshëm në Kosovë, artistët deputetë mendojnë se vetëm filmi është art, ndërsa fushat e tjera të artit nuk marrin përkrahje.

Muharremi: Deputetët artistë asnjëherë nuk flasin për pikturën, skulpturën ose artin pamor

Image
Ilir Muharremi

Kështu, skulptori Ilir Muharremi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se deputetët artistë asnjëherë nuk flasin për pikturën, skulpturën ose artin pamor.

“Artistët deputetë mendojnë se vetëm arti i filmit është art. Asnjëherë nuk kanë folur për pikturën, skulpturën ose në përgjithësi artin pamor i cili është i lënë anash krejtësisht dhe artistët e kësaj fushe po mbijetojnë vet duke i shitur pikturat”, vlerëson Muharremi.

Ai thotë tutje se në shtetet tjera ndihmohet edhe arti pamor, ndërsa në Kosovë financohen vetëm artistët që shkojnë për të marrë pjesë në Bienale. E ata artistë zgjedhen nga drejtorë që shkojnë në këto festival.

“Në shtetet e zhvilluara ndihmohen edhe artistët e artit pamor. P.sh financohen duke ju dhënë hapësira (atelie) dhe organizuar ekspozita personale dhe kolektive. Te ne financohen vetëm ata artistë të cilët shkojnë për të marr pjesë në Bienale të ndryshme të cilët deri më tani janë përzgjedhur pa konkurs dhe kritere. Janë zgjedhur direkt nga drejtorët të cilët kanë shkuar bashkërisht. Njëra arkitekte e tjetra aktore, mendojnë se vetëm këto dy fusha janë pjesë të artit. Flasin vetëm për këto. Jo. Janë të mangëta në sferat e artit dhe problemet e artit”, vlerëson Muharremi për “Bota sot”.

Arifi: Kishte shqiptarë që e dinin se kultura një ditë do t’ia këpuste robrinë popullit tonë nën okupim

Image
Sami Arifi

Ndërkaq, poeti Sami Arifi, vlerëson se shteti i Kosovës nuk ka bërë thuajse asgjë për fushën e kulturës. Ai thotë se derisa dikur është ndarë një pjesë e buxhetit për kulturë, sot ai pyet nëse nga buxheti i Kosovës është ndarë ndonjë shumë për këtë fushë.

“Në fushën e kulturës gjerë më tani shteti i RK-së ka bërë shumë pak, për të mos thënë nuk ka bërë asgjë. Në të kaluarën në të ashtuquajturën „Krahinën e Kosovës“, nën okupim, të Jugosllavisë dhe të Serbisë, nga i tërë buxhet i kësaj Krahine 13% i atij buxheti është nda vetëm për kulturë, dihet se në tërë Jugosllavinë për Krahinën nga buxheti i shtetit jugosllav ishim të diskriminuar, por kishte shqiptarë që e dinin se kultura një ditë do t’ia këpuste robërinë popullit tonë nën okupim. Shtrohet pyetja sot a ndahet buxheti i RK-së i tëri duke ndarë prej shumës së përgjithshme të shtetit Kosovës 13%, këtu shihet se sa i kushtohet vëmendje kulturës”, thekson Arifi për “Bota sot”.

Ai thotë tutje se në shtetet e zhvilluara kultura i paraprinë politikës, ndërsa në Kosovë politika e bën kulturën vegël të vetën për interesa të caktuara.

“Në shtetet e robëruara, kultura shkëputë prangat, zinxhirtë e robërisë, ndërsa te shtetet e zhvilluara demokratike kultura i paraprin politikës, thjeshtë e menaxhon politikën, ndërsa te ne politika leje që e menaxhon kulturën por e bën vegël të vetën për interesa të caktuara të politikanëve. Uroj të ndryshon kjo gjendje për të ndryshuar rrjedhat në të mirë të shtetit tonë. Uroj dhe shpresoj që artistet dhe artistët që gjenden në Parlamentin e Republikës së Kosovës ta ndërrojnë gjendjen në fushën e kulturës në shtetin tone”, ka deklaruar Sami Arifi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat