Lumir Abdixhiku fillon ‘aksionin’, ja si po tenton të rikthejë të larguarit e Listës ‘Guxo’

Politika

Lumir Abdixhiku fillon ‘aksionin’, ja si po tenton të rikthejë të larguarit e Listës ‘Guxo’

Arife Morina Nga Arife Morina Më 13 korrik 2021 Në ora: 18:22
Lumir Abdixhiku

Së fundi, kanë filluar të vihen në pah disa përçarje në mes Listës ‘Guxo’ dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

E këtë gjë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku po mundohet ta shfrytëzojë menjëherë.

Para disa ditëve, Abdixhiku publikisht deklaroi se të larguarit e djeshëm po rikthehen masovikisht në shtëpinë e tyre të dikurshme e të përhershëm dhe bashkërisht po e rikthejnë këtë parti në vendin e saj origjinal.

Ai foli edhe për LDK-në, ku tha se po i hapin derën të rinjve që ëndrrën e tyre politike ta ushtrojnë në këtë parti.

“Sot të larguarit e djeshëm po rikthehen masovikisht në shtëpinë e tyre të dikurshme e të përhershëm. Në vendin e vetëm origjinal për ta e për secilin tjetër që e donë këtë vend e që donë të punojë për këtë vend. Sot po i dëgjojmë ata e të tjerët, e bashkërisht po e rikthejmë LDK-në në vendin e saj origjinal. LDK po kthehet e sigurt”, tha ai.

Analistët politik në prononcimet e tyre për gazetën “Bota sot”, u shprehën se mund të ndodhë një ribashkim mes LDK-së dhe Listës ‘Guxo’. Madje, ata parashikuan se një gjë e tillë duhet dhe mund të ndodhë para zgjedhjeve lokale.

Kapiti: Abdixhiku në mënyrë të tërthortë kërkoi rikthimin e Listës ‘Guxo’ në LDK 

Njohësi i çështjeve politike, Skënder Kapiti në një prononcim për gazetën “Bota sot”, komentoi mundësinë e rikthimit të të disa anëtarëve ‘Guxo’ në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Image
Skënder Kapiti

Ai deklaratat e Abdixhikut për rikthimin e të larguarve, i cilëson si një reflektim politik të kësaj partie, pas largimit të uzurpatorëve, dështakëve dhe të përfituesve të LDK-së.

“Këtë deklarim të z. Abdixhiku besoj se duhet parë si një reflektim real të realitetit politik të LDK-së, pasi pa një ftesë të tillë dhe pa largimin prej saj më parë të uzurpatorëve, dështakëve dhe të përfituesve të LDK-së  me në krye dështakun e madh Isa Mustafa, LDK-ja do të tkurrej e zvogëlohej akoma më shumë”, deklaroi Kapiti.

Sipas tij, në mënyrë që të ringritet si forcë politike, LDK duhet  që të evoluojë, hapet demokratisht dhe të aktivizohen për simpatizantët, votuesit, të zhgënjyerit dhe të larguarit.

“LDK-ja duhet të ringritet si forcë politike gjithëpërfshirëse e që duhet të jetë si e tillë, së pari ajo duhet hapur demokratikisht dhe të evoluojnë e të aktivizohen si pjesëmarrje anëtarësimi, simpatizantësh dhe votuesish së pari të zhgënjyerit, indiferentët dhe ata të larguarit, ata të para realisht daljes të “fraksionit” “GUXO”, e cila tashmë më shumë është fraksion se sa ndonjë Lëvizje e re politike”, theksoi analisti.

Në vazhdim, ai vlerësoi se deklarata e Abdixhikut ishte ftesë për rikthimin e Listës ‘Guxo’, mirëpo kjo ftesë, sipas tij është dashur të bëhet në mënyrë publike e të hapur dhe jo në mënyrë indirekte.

Kapiti përmendi edhe pjesëmarrjen e deputetëve të LDK-së, gjatë votimit të presidentes Osmani.

“Pra këtë deklaratë të z. Abdixhiku duhet ta shohim edhe si një ftesë mjaft kuptimplotë për anëtarët dhe simpatizantë edhe të Listës “GUXO”, të cilëve besoj se do të ishte mirë që z.Abdixhiku t’iu ishte drejtuar drejtpërdrejtë me ftesë publike dhe jo tërthorazi dhe me nënkuptime domethënëse. Fakti që edhe Vjosa Osmani u zgjodh presidente nga pjesëmarrja në votim për zgjedhjen e saj në parlament nga deputetët e LDK-së, kjo vërteton se Z.Abdixhiku dhe lidershipi i ri i LDK-së e ka vlerësuar dhe respektuar jo vetëm verdiktin popullor dhe Kushtetutën, por edhe vetë ish-kolegët e tyre znj. Vjosa dhe deputetët e votuesit e Listës “GUXO””, nënvizoi ai.

Në fund, analisti e mirëpriti një ribashkim të LDK-së me Listën ‘Guxo’, ku tha se kjo nuk do t’i shërbente këtyre dy subjekteve, por të gjithë klasës politike në Kosovë.

Madje, ai shpreson që ky ribashkim të ndodh para zgjedhjeve lokale, me që rast LVV do të përballej me LDK- Listën ‘Guxo’.

“Një ribashkim i sinqertë i “GUXO” me LDK-në nuk do u shërbente vetëm atyre, por do të ishte në të mirë të të gjithë politikës kosovare, sepse kjo do të bënte të mundur një ripërtëritje të spektrit politik të djathtë si kundër politikë dhe alternativë përballë të majtës që është “Vetëvendosja”, dhe do të kishte qenë mirë që këto dy alternativa LVV – LDK+”GUXO” të përballeshin në zgjedhjet e afërta lokale. Sikur nuk shkon tani që të jenë  përballë njëra –tjetrës dy alternativa politike ibridesh GUXO-LVV dhe LDK me të tjerat PDK, AAK apo edhe me NISMA”, përfundoi Skënder Kapiti.

Mehmeti: Abdixhiku duhet t’iu kërkoj falje Vjosa Osmanit dhe të përjashtuarve të tjerë 

Edhe analisti tjetër politik, Faton Mehmeti, pret rikthime në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Image
Faton Mehmeti

Mirëpo, ai tha se për këtë, Abdixhiku duhet të dëshmoj që nuk është si ‘garda e vjetër’ e LDK-së.

“Natyrisht se pritet të ketë rikthime në LDK, largime më s’do të ketë. Mirëpo, duhet që kryetari i ri i LDK-së të dëshmojë se nuk është si paraardhësi i tij, të trajtojë të gjithë anëtarët njësoj, por natyrisht ata që i do populli, më mos t'i diferencojë”, deklaroi analisti.

Tutje, Mehmeti kërkoi nga Abdixhiku një falje publike për përjashtimin që LDK ia bëri Vjosa Osmanit dhe disa individëve të tjerë. Pasi, sipas tij kërkim falja do të ishte pikë nisja për rikthimin masiv në LDK.

“Lumiri duhet të kërkojë falje për gabimin fatal që bëri LDK duke përjashtuar Vjosën dhe disa të tjerë, vetëm një kërkim falje e sinqertë do të bënte që të niste kthimi masiv në LDK. Nuk mjaftohet me deklarata politike, por me veprime të sinqerta dhe me vizon se si e sheh kryetari i ri i LDK politikën, ku është ndryshimi me të kaluarën dhe disa gjëra tjera elementare”, nënvizoi ai.

Tutje, analisti foli edhe për ndryshimin e në mes Abdixhikut dhe Mustafës. Ai tha se duhet të presim të shohim se sa është i guximshëm kryetari i ri i LDK-së të bëjë reforma të thella brenda partisë.

“Ndonëse, deklarata e Lumirit është recitim i bukur politik, mendojë se ka ndryshim nga Isa, dhe kjo mund të shihet si e favorshme për LDK-në e cila ka nevojë për reforma të thella për tu kthyer atu ku ka qenë”, potencoi Mehmeti.

“Gjithsesi, e vlerësoj të duhur deklaratën e z.Abdixhiku, ndonëse mbetet për tu parë se sa i guximshëm do të jetë për të bërë reforma të thella brenda partisë, e të cilat janë të domosdoshme”, përmbylli Faton Mehmeti për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat