Ja se çfarë do të ndodh nëse Konjufca nuk merr masa ndaj mungesës së deputetëve në Kuvend

Politika

Ja se çfarë do të ndodh nëse Konjufca nuk merr masa ndaj mungesës së deputetëve në Kuvend

Nga: A.Z Më: 5 gusht 2021 Në ora: 19:48
Foto ilustrim

Pagat dhe mëditjet e deputetëve për muajin prill, maj dhe qershor i kanë kushtuar buxhetit të shtetit 1 milion e 64 mijë e 860 euro.

Ndërsa, në anën tjetër, shumë ligje po mbesin pa u votuar për shkak të mungesës së kuorumit të deputetëve në seanca.

Lidhur me këtë, analisti Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka potencuar se nëse pagat kanë kushtuat një milion euro, dhe në anën tjetër kanë ngecur ligjet, atëherë sipas Mehazit, mund të themi se nga deputetët vjen plaçkitja e shtetit.

Ai shtoi se këta deputetë të kthehen dhe të votojnë ligjet, sepse me votat e qytetarëve janë deputetë në Kuvend.

“Nëse pagat e deputetëve të Kosovës për tre muaj kanë kushtuar një milion euro e në anën tjetër për shkak kuorumit të deputetëve kanë ngecur ligjet atëherë lirisht mund të themi se plaçkitja më e madhe e buxheti të shtetit vjen nga vetë ligjdhënësit e Kuvendit të Kosovës, deputetët. Deputetët e Kosovës duhet ta kenë të qartë se sikur mos të ishin qytetarët e Kosovës ata nuk do ishin deputet në Kuvend dhe se janë punësuar e marrin rroga të majme për shkak votave të qytetarëve, prandaj duhet të lënë anësh pushimet verore e të kthehen në parlament për të votuar ligjet shtetërore”, tha ai.

Sipas Mehazit, fajtori i gjithë kësaj është Konjufca, i cili i toleron dhe nuk kërkon përgjegjësi nga këta deputetë.

Ai thotë se Konjufca duhet të kërkoj përgjegjësi, madje deri me shkëputjen e rrogave mujore të tyre.

“Ata janë votuar për të qenë të rregull në parlament, të rrinë gaditur për të votuar çdo ligj të Kosovës e jo për të munguar e fjalosur pa farë shkaku brenda parlamentit. Fajtori kryesor për ngecjen e ligjeve është kush tjetër, përveç kryetarit të Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili toleron e nuk kërkon përgjegjësi nga deputetët e padisiplinuar e të pandërgjegjshëm të cilët për shkak mosprezencës së tyre në ulësen e parlamentit nuk votohen ligjet e qeverisë së Kosovës. Kryeparlamentari Konjufca për mungesën e deputetëve duhet kërkuar përgjegjësi deri me shkëputje të rrogave mujore të tyre”, shtoi Mehazi.

Më tej theksoi se nëse Konjufca nuk merr masa ndaj tyre, atëherë Kuvendi do të krahasohet me kaos ligjesh, sepse, ulëset e zbrazura të deputetëve nuk e kanë kuptimin e premtimeve por vetëm të gënjeshtrave.

“Nëse i nderuari, Glauk Konjufca, nuk merr masa disiplinore ndaj deputetëve të pajustifikuar atëherë Kuvendi i Kosovës do të krahasohet me kaose ligjesh shtetërore. Turpi më i madh i deputetëve është mungesa e tyre në parlament, qytetarët me votat e tyre i kanë punësuar në parlament për të marrë rroga e benificione të majme për të realizuar premtimet e qytetarëve e jo për të bërë ahenge jashtë parlamentit të Kosovës. Ulëset e zbrazura të deputetëve e kanë kuptimin e gënjeshtrave e jo të premtimeve ndaj qytetarëve votues të Kosovës”, ka përfunduar Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat