Lutja e Hazirit, a do të mund të kthehet ndonjëherë Vjosa Osmani në LDK?

Politika

Lutja e Hazirit, a do të mund të kthehet ndonjëherë Vjosa Osmani në LDK?

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 21 gusht 2021 Në ora: 17:03
Vjosa Osmani, Lutfi Haziri; foto ilustrim nga "Bota sot"

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se para zgjedhjeve të 14 shkurtit e ka lutur tash presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin që të kthehet në LDK.

Haziri ka thënë se e ka lutur në mënyrë miqësore dhe se e njeh Osmanin si karakter politik, madje e sheh edhe si person që nuk i zbutet qëndrimi.

“E kam lut. Nuk është lutje përgjërimi, por lutje miqësore, kolegiale. Në një kohë u patë plasuar rivalitet mes meje e Vjosës dikur, Por, Vjosa është presidente sot, është banore e Gjilanit, të paktën Gjilani e ka një presidente tani. Unë e njoh si karakter politik dhe e kam parë që nuk zbutet qëndrimi, ose është bërë shumë vonë, ose është përgatitur shumë herët për atë lloj veprimi”, ka deklaruar Haziri.

Vjosa Osmani aktualisht është presidente e Kosovës, por pas përfundimit të mandatit, a do të duhej të kthehej në LDK dhe sa janë shanset që kjo të ndodhë?

Lidhur me atë, për gazetën “Bota sot” kanë folur edhe disa njohës të çështjeve politike.

“I pamundur kthimi i Osmanit në LDK”

Image
Adem Bytyçi

Kështu, analisti Adem Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se Musftafa dhe Veliu, e kanë maltretuar Osmanin, por që tani këta vetëm se u larguan nga LDK.

Sipas Bytyçit, është e pamundur që Osmani të kthehet përsëri në LDK, duke i pasur parasysh sjelljet absurde ndaj saj kur ajo u largua nga LDK-ja.

“Znj.Vjosa Osmanin, dikur anëtarë e kryesisë së LDK-së, e tani Presidente e Kosovës, e kanë fyer, malltretuar dhe denigruar padrejtësisht, Isa Mustafa dhe klika e tij në krye me Agim Veliun dhe Avdullah Hotin me pseudonimin Avdullah Koti, por tani këto dy figura u larguan keq nga LDK, pas zgjedhjeve të reja që u bënë në këtë parti pas largimit të Isa Mustafës, bashkëpunëtorit të Rrahman Morinës nga i pari i LDK-së. Megjithëse është në gjykimin dhe të drejtën e znj.Vjosa Osmani ‐ Sadriu që të vendos apo jo të kthehet përsëri në LDK, posi t'i skadojë mandati i Presidentes. Duke marrë parasysh sjelljet absurde ndaj znj.Osmani të disa bashkëpartiakëve të saj kur u largua nga LDK-ja, e kam të pamundur të them se znj.Osmani do të kthehet përsëri në këtë parti. Një fakt e di, se znj.Osmani ka qenë është dhe do të mbetet përgjithmonë një idhtare e flaktë e Rugovizmit”, ka deklaruar ai.

“Nëse Abdixhiku dështon, zërat për kthimin e Vjosës do të shtohen”

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti Faton Mehmeti, ka thënë se deklarata e Hazirit ngjason me diçka fëmijërore, sepse Osmani nuk i bën veprimet me lutje.

Sipas Mehmetit, mundësia e kthimit të Osmanit është e varur nga Lumiri, pra vetëm nëse ai arrin të ketë sukses, ndërsa nëse dështon zërat për kthimin e Osmanit do të shtohen.

“Deklarata e Lutës ngjan me diçka fëmijërore, Vjosa nuk është fëmijë që të lutet. Ajo ka pasur një përcaktim që të garojë me një listë, e ka bërë dhe ka arritur të ketë sukses. Në politikë është e ulët të thuhet e kam lutur dikë, Vjosa nuk është kalibër i atyre që me lutje bëjnë veprime, Vjosa vepron me parime. LDK duke përfshirë edhe Lutën janë fajtorë ku ka arritur LDK në rezultatin më të ulët të saj në histori. Aktualisht LDK ka një kryetar të ri, nga i cili varet se si do të shkojnë gjërat. Nëse Lumiri arrin të ketë sukses, minohet hapësira për kthimin e Vjosës pas zgjedhjeve në krye të LDK. Nëse dështon Lumiri, zërat për kthimin e Vjosës do të shtohen, kështu që edhe hapësira për të do të rritet së bashku me mundësinë për kthim. Pra, varet nga suksesi apo mos suksesi i Lumirit”, ka theksuar Faton Mehmeti për gazetën "Bota sot".

Osmani pretendon edhe një mandat të presidentes

Image
Blerim Burjani

Në anën tjetër, juristi Blerim Burjani, ka thënë se Osmani ose duhet të kthehet në LDK, ose të shkojë në LVV.

Sipas tij, Osmani pretendon që të jetë pranë LVV-së edhe në një mandate të presidentes.

“Vjosa i ka vetëm dy rrugë, të kthehet në LDK apo të shkojë në VV. Lista Guxo asnjëherë deri tani nuk u funksionalizua, qëllimi aktual i Vjosës mbetet bashkëpunimi me VV-në. Ajo pretendon edhe një mandat të njëjtë të presidentes, duke qëndruar afër Albinit dhe VV-së”, ka deklaruar Blerim Burjani për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat