Profesori amerikan: SHBA t’i sigurojë Kosovës mbështetje financiare për afganët dhe ja çka duhet të kontrollojë me kujdes

Politika

Profesori amerikan: SHBA t’i sigurojë Kosovës mbështetje financiare për afganët dhe ja çka duhet të kontrollojë me kujdes

Nga: A.Zh Më: 21 gusht 2021 Në ora: 23:05
Kabul, Afganistan

Kosova do të strehojë refugjatë nga Afganistani, si pasojë e krizë që ka kapluar javët e fundit këtë shtet.

Lidhur me këtë vendim, ka folur edhe profesori dhe eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit, Alon Ben-Meir. Ai ka thënë për gazetën “Bota sot”, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës zgjodhën Kosovën për ta ndihmuar në këtë rast, duke pasur parasysh se edhe vendi ynë ka kaluar në situatë të ngjashme 23 vjet më parë.

“Duke pasur parasysh marrëdhënien e ngushtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, dhe faktit që vetë kosovarët kaluan një situatë shumë të ngjashme pas luftës së tyre 23 vjet më parë, Shtetet e Bashkuara ndihen të sigurta se Kosova do të jetë në gjendje të sigurojë strehim të përkohshëm për afganët e dëshpëruar që janë në nevojë”, është shprehur profesori amerikan.

Image
Alon Ben-Meir

Por, eksperti amerikan mendon se SHBA duhet t’i mbulojë shpenzimet financiare për plotësimin e nevojave të refugjatëve afganë në Kosovë. Poashtu, sipas tij, SHBA duhet të sigurojë kontrollimin e çdo afgani që futet në territorin e Kosovës.

“Është e panevojshme të thuhet, Shtetet e Bashkuara duhet t'i sigurojnë Kosovës mbështetje financiare në mënyrë që të plotësojnë nevojat e këtyre refugjatëve, dhe gjithashtu duhet të sigurojnë që çdo afgan që do të hyjë në Kosovë do të kontrollohet me kujdes për të siguruar që asnjë ekstremist taleban të mos hyjë në vend”, ka thënë më tej Alon Ben-Meir, për “Bota sot”.

Ai ka thënë pranimi i këtyre refugjatëve, do ta rris imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Nuk ka dyshim se pranimi i këtyre refugjatëve, qoftë edhe përkohësisht, do të rrisë imazhin e Kosovës dhe do ta portretizojë atë si një vend që merret me të drejtat e njeriut dhe kujdeset për ata që janë në nevojë të dëshpëruar”, ka thënë profesori.

Ai ka treguar se shumë shtete arabe refuzuan të pranojnë afganët.

“Mund të shtoj se shumica e shteteve arabe refuzuan të pranojnë ndonjë numër të konsiderueshëm afganësh, nga frika se talebanët mund të depërtojnë në vendet e tyre përmes këtyre grupeve të refugjatëve”, ka shtuar Ben-Meir.

Sipas vendimit të 21 gushtit të marrë nga Qeveria e Kosovës, përveç personave që janë në listën e aplikimit për viza speciale të imigrimit në Shtetet e Bashkuara, mbrojtje e përkohshme do t’iu ofrohet edhe personave të kualifikuar në grupin me prioritet të dytë, si dhe familjeve të tyre./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat