Mësim për kandidatët e tjerë, analistët flasin për tërheqjen e Sami Lushtakut nga gara në Skënderaj

Politika

Mësim për kandidatët e tjerë, analistët flasin për tërheqjen e Sami Lushtakut nga gara në Skënderaj

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 26 gusht 2021 Në ora: 10:55
Bekim Jashari dhe Sami Lushtaku, foto ilustrim nga "Bota sot"

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se kandidatë që kanë dënime për vepra penale në tri vitet e fundit nuk mund të kandidojnë për kryetarë të komunave e as asamble komunale.

Të hënën, Gjykata Supreme e Kosovës i ka vërtetuar dënimin për arratisjen nga “Burgu i Dubravës” ish kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku.

Ai ishte gjetur fajtor për arratisjen e 21 gushtit dhe 22 shtatorit të vitit 2015 nga Burgu i Dubravës, gjatë kohës kur po mbante dënimin prej 12 viteve për krime lufte në rastin “Drenica”. Dhe me vendimin e Gjykatës së Prishtinës në prillin e vitit 2020 ishte dënuar me 12 mijë euro gjobë.

Sami Lushtaku është dënuar dy herë brenda tre viteve të fundit për dy vepra penale.

Dega e PDK-së në Skënderaj ditë më parë është mbledhur në një takim të jashtëzakonshëm, ku është diskutuar për kandidaturën e Sami Lushtakut, një ditë pasi Supremja vërtetoi dënimin për të.

Në këtë takim është propozuar që Lushtaku të largohet nga gara për shkak të problemeve ligjore, kurse në vend të tij të garojë bashkëpunëtori i ngushtë i Lushtakut, Fadil Nura.

Lidhur me largimin e tij nga kandidatura për Skenderajt, për “Bota sot”, kanë folur edhe disa njohës të çështjeve politike.

“Mësim për personat të cilët janë mësuar të mos i nënshtrohen asnjë ligji dhe rregulli”

Kështu, analisti Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se ka qenë rutinë delegimi i kandidatëve me precedence penale, madje nuk ishte kundërshtuar as nga KQZ.

Image
Gani Qarri

Qarri thekson se Lushtaku nuk do të duhej të kandidonte fare, përderisa kishte një dënim gjyqësor nga dy Gjykatat e vendit, por që sipas tij, partitë e inkriminuara jetojnë ende me qëndrimet mbi ligjin si dhe shtetin e së drejtës.

“Në fakt, delegimi i kandidatëve me precedencë penale nga segmentet ish qeveritare, për deputetë dhe kryetarë komunash, derisa ishin partitë e inkriminuara në pushtet, ka qenë një rutinë e zakonshme e cila deri vonë nuk është kundërshtuar as nga vet KQZ me Valdete Dakën në krye dhe përbërjen e vjetër të kryesisë së ish Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës. Me këtë rast duhet kujtuar faktin se me votën e një deputeti të dënuar me vendim të plotfuqishëm gjyqësor siç ishte rasti me Etem Arifin i dënuar me 1 vit e 3 muaj burg, u rrëza Qeveria Kurti 1 dhe u formua ish qeveria e kundërligjshme e Avdullah Hotit, të cilën Gjykata Kushtetuese pak muaj më vonë e shpalli të kundërligjshme dhe e shkarkoi nga mandati. Kështu që, përderisa Sami Lushtaku, pas arratisjes dy herë radhazi nga Burgu i Dubravës, qysh në prill të vitit 2020 ishte dënuar nga Gjykata themelore në Prishtinë me 12mijë euro gjobë, dënim i cili pak muaj më vonë u konfirmua edhe nga Gjykata e Apelit, kishte një dënim gjyqësor në fuqi nga dy Gjykata të vendit, ai nuk do duhej të kandidonte fare, por partitë e inkriminuara duket se ende jetojnë me idealet e vjetra të qëndrimit mbi ligjin dhe shtetin e së drejtës”, është shprehur ai.

Qarri më tej ka theksuar se Lushtaku nuk kishte rrugëdalje tjetër, veç se të tërhiqej, por prapë ai ishte i përjashtuar gjë që nuk do të guxonte të fillonte si konkurrent për kryetar të Skënderajt.

“Për aq më tepër, Sami Lushtaku thuhet të jetë i involvuar edhe në rrahjen e avokatit Gazmend Halili, i cili edhe për këtë rast ishte dënuar me gjobë, për shkak se Avokati Gazmend Halilaj kishte publikuar një tekst në fb-në e tij, për keqpërdorimin e 1.4 milion markave në kohën e luftës nga Sami Lushtaku. Madje këto ditë u vërtetua sërish edhe nga vet Gjykata Supreme e Kosovës, dënimi i Lushtakut, për ikje nga burgu i Dubravës, i cili tanimë është vendim i plotfuqishëm i instancës më të lartë juridike në vend dhe si i tillë, i pa ri-apelueshëm, kështu që ai edhe nuk kishte rrugëdalje tjetër, përpos që të tërhiqej, sepse edhe po të mos e tërhiqte vet kandidaturën, ligjërisht, Lushtaku ishte i përjashtuar dhe nuk do të guxonte të startonte si konkurrent për kryetar të Komunës së Skënderajt”, ka potencuar analisti.

Sipas Qarrit, ky është mësim për ata që nuk i nënshtrohen ligjit dhe që mos të kandidojnë më me akuza penale për postet e ndryshme të rëndësishme.

“Ndaj ky është edhe një mësim i mirë për partitë dhe personat e papërmirësueshëm, të cilët për dy dekada me radhë janë mësuar të mos i nënshtrohen asnjë ligji dhe rregulli, që të mos i kandidojnë më njerëzit me akuza dhe precedencë penale për poste të rëndësishme komunale as qendrore të pushtetit, pasi që tanimë ka kaluar koha e tyre, kur ata qëndronin mbi ligjin dhe shtetin e Kosovës dhe vet nënshkruanin e vet vulosnin për çdo gjë, pa pyetur për rend e rregull dhe as që ekzistonte shteti dhe ligji për ta”, ka vlerësuar Gani Qarri.

Ai po ashtu ka theksuar se disa nga zyrtarët e lartë kanë mbajtur funksione partiake edhe pse kishin vepra penale, por që tani ligji i ri i zgjedhjeve ua ndalon kandidimin.

Ai thotë se në këtë rast, Lushtaku do të duhej ta dinte se e njëjta vlen edhe për të.

“Madje një numër i konsideruar i zyrtarëve nga partitë e inkriminuara, përkundër akuzave për vepra të ndryshme penale edhe në Qeverinë Haradinaj kanë mbajtur funksione të larta partiake dhe institucionale, një pjesë e të cilëve përkundër të gjithave insistonin që të jenë serish pjesë e listave zgjedhore me synim për zgjedhjen e tyre, përsëri në qeverisjen nacionale, por ligji i ri i zgjedhjeve ua ka ndaluar këtë gjë, ndaj pas rënies së PDK-së, LDK-së dhe AAK-së nga pushtet, edhe Sami Lushtaku do duhej të ishte i vetëdijshëm se ky vendim, vlen edhe për të, ashtu siç kërkon ligji i ri i zgjedhjeve për të gjithë kandidatët”, ka deklaruar Gani Qarri për gazetën “Bota sot”.

“Të mos i mohohet e drejta individëve”

Ndërsa, analisti dhe juristi Islam Krasniqi, ka deklaruar se për të marrë pjesë në zgjedhje është e drejtë thelbësore, andaj nuk është e drejtë t’i mohohet.

Image
Islam Krasniqi

Krasniqi shtoi se në vendin tonë ngritë aktakuza vetëm për të njollosur individët dhe pastaj mbesin pa u hetuar.

“Nuk e di nëse është e drejtë që t'i mohohet dikujt që të marrë pjesë në zgjedhje apo të zgjidhet pasi që kjo është një nga të drejtat thelbësore të garantuara me Kushtetutë dhe Konventa Ndërkombëtare. Në vendin tonë aktakuza është bërë si një lojë fëmijësh, ku çdo qytetar mund të ankohet, me deklarime të rreme, ku prokuroria ngrit aktakuzë ndaj çdo qytetari dhe ato aktakuza nuk shqyrtohen apo vërtetohen kurrë dhe ato aktakuza ngriten vetëm sa për të njollosur apo etiketuar individë të caktuar, ndoshta duke bërë edhe shoë dhe mbesin ashtu apo hetimet pushohen në heshtje”, ka thënë ai.

Sipas tij, nuk duhet mohuar të drejtat e individëve, pa kërkuar përgjegjësi sistemit të drejtësisë, sepse dikush mund të jetë viktimë që paguan çmim për të tjerët.

“Andaj mos të harrojmë së ligji e specifikon shumë qartë se çdo individ që nuk ka marrë aktgjykim të formës së prerë është i pafajshëm, dhe ky vendim e qetë poshtë parimin se kandidatët me aktakuza të ngritura tu ndalohet kandidimi. Ne duhet t’i kërkojmë përgjegjësi sistemit të drejtësisë për zvarritjet e lëndëve, e jo të ju mohojmë të drejtat elementare individëve të caktuar, sepse dikush nga ta mund të jetë viktimë e sistemit që paguan çmimin për të tjerët”, ka deklaruar Islam Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat