Kurti i ndali planet ogurzeza të Serbisë/ Analisti jep paralajmërimin: Këta persona i pret burgu për tradhti kombëtare

Politika

Kurti i ndali planet ogurzeza të Serbisë/ Analisti jep paralajmërimin: Këta persona i pret burgu për tradhti kombëtare

Nga: A.M Më: 21 shtator 2021 Në ora: 22:58
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq - ilustrimi Bota sot

Gjatë ditës së djeshme, Qeveria e Kosovës mori vendim për vendosje të reciprocitetit të targave ndaj Serbisë.

Ky vendim nxiti reagime të mëdha jo vetëm në rajon. Madje, situata në veri të Kosovës u tensionua ku disa qindra qytetarë serbë dolën në protesta, shkaku i këtij vendimi.

Nuk ishte vetëm Serbia dhe udhëheqësit e saj që kritikuan kryeministrin Albin Kurti, pasi një gjë të tillë e bënë edhe disa parti opozitare në Kosovë.

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi vendimin për vendosjen e reciprocitetit të targave me Serbinë.

Fillimisht, ai kujtoi se ky vendim erdhi si pasojë e mosrespektimit të marrëveshjes së vitit 2011 nga ana e Serbisë, e cila gjobiti për vite të tëra qytetarët e Kosovës për ndërrimin e tabelave.

Image
Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri

“Mosrespektimi i marrëveshjes së arritur me Serbinë qysh në vitin 2011, për lëvizje të lirë, si dhe përfundimi i afatit shtesë 5 vjeçar, që padrejtësisht iu dha Serbisë që të përfitoi vetëm ajo, duke gjobitur qytetarët e Kosovës për ndërrimin e tabelave në kufi, qoftë edhe vetëm sa për të kaluar transit rrugët e këtij shteti ish okupator, ka detyruar Qeverinë e Kosovës, që përfundimisht të vendos masat e reciprocitetit me Serbinë e cila nuk respekton pothuajse asnjë marrëveshje edhe pse të nënshkruar nga vet përfaqësuesit më të lart serb, në praninë e ndërmjetësuesve të BE-së në Bruksel”, deklaroi analisti.

Sipas Qarrit, Qeveria e Kosovës e vendosi reciprociteti, për të mos lejuar, shkeljen e mëtejme të ligjit nga ky shtet agresor dhe bandat serbe në veri të vendit tone.

Ai tha se të gjitha këto janë plane të sponsorizuara nga Vuçiqi.

“Për aq më tepër, marrëveshja e cila ka filluar të zbatohet në mënyrë të obligueshme vetëm përmes vendosjes së detyrueshme të reciprocitetit, nga Republika i Kosovës, për targat e automjeteve të Serbisë, ka detyruar Kosovën që të vë në veprim edhe forcat e rendit, për të mos lejuar, shkeljen e mëtejme nga ky shtet agresor dhe bandat serbe në veri të vendit tonë, të sponsorizuara nga Aleksandër Vuçiqi, të cilat kanë marrë përsipër zbatimin e planeve ogurzeza të Serbisë, në Kosovë”, u shpreh ai.

Në vazhdim, analisti potencoi se fajtorë pse bandat kriminale serbe vepronin në veri të Kosovës, ishin qeveritë e kaluara të cilat i lejonin të qarkullonin me targa serbe.

“Madje për fajin e partive të inkriminuara të Kosovës të cilat deri para pak kohe ishin vet në pushtet dhe kalibronin ngusht me bandat kriminale serbe në veri, automjetet ilegale nga Serbia të cilat megjithëse nuk kishin targa të Kosovës, tash e sa vite, me lejen e qeverive të kaluara, qarkullonin lirisht, gjithandej vendit tonë, ndaj me vendosjen e masave të reciprocitetit, banorëve serb kanë filluar tu konfiskohen targat ilegale, ndërsa automjeteve që futen nga Serbia, ashtu siç parashohin masat e reciprocitetit, u janë vendosur targa të përkohshme, pasi që në këtë mënyrë, tash e sa vite vepron vet Serbia me qytetarët e Kosovës”, nënvizoi Qarri.

Tutje, ai tha se marrëveshja e arritur në Bruksel, jo vetëm që nuk është zbatuar kurrë nga asnjë qeveri e kaluar, por përkundër faktit se ajo ishte nënshkruar nga vet partitë e inkriminuara.

Gjithashtu, Qarri kritikoi opozitën për reagimet e ashpra ndaj kryeministrit Kurti, pas vendosjes së reciprocitetit.

“Për aq më keq, përveçse marrëveshja e arritur më 2011 me Serbinë në Bruksel, jo vetëm që nuk është zbatuar kurrë nga asnjë qeveri e kaluar, por përkundër faktit se ajo ishte nënshkruar nga vet partitë e inkriminuara që deri para pak kohe kanë qenë vet në pushtet dhe kanë udhëhequr edhe dialogun me Serbinë, ato po reagojnë edhe më ashpër se vet Serbia, kundër vendosjes së reciprocitetit me këtë shtet okupator.

PDK,LDK,AAK, po lën NAM të zi, duke u bërë edhe më të zëshme se vet Aleksandër Vuçiqi dhe kritika shumë më të ashpra se vet Serbia hegjemoniste kundër Qeverisë Kurti, për vendosjen e reciprocitetit të cilin ato kurrë nuk guxuan ta vendosnin”, theksoi analisti.

në fund, Qarri deklaroi se këto reagime kundër Kurtit nga opozita, po bëhen për faktin se po frikësohen se do të dalin në pah të palarat e hileve të tyre dhe marrëveshjet e fshehta të Hashim Thaçit & Co me Vuçiqit.

“Dhe krejt kjo, nga frika se të palarat e hileve të tyre dhe marrëveshjet e fshehta e konspirative të Hashim Thaçit & Co me Vuçiqin, prapa shpinës së opinionit dhe gjithë qytetarëve, për ndarjen e Kosovës dhe faljen e veriut të vendit tonë, Serbisë fashiste, po dalin në pah përditë e më tepër, madje së shpejti pritet të zbardhen të gjitha. Me ç 'rast kuislingët i pret burgu për tradhti të lartë kombëtare, cenimin e integritetit territorial dhe shitjen e interesave shtetërore të Kosovës, akte për të cilat ata duhet dhe do të shpallen tradhtar të vendit, si dhe do të marrin dënimin më të rëndë të mundshëm ligjor, të paraparë për raste të tilla të paprecedent, që vetëm ata kanë ditur ta bëjnë kundër shqiptarëve dhe shtetit të brishtë të Kosovës”, përfundoi Gani Qarri, përcjell “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat