Kurti e Osmani të pozicionuar fort në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës/ Vuçiq nuk ka asnjë shans të përdorë forcën ushtarake

Politika

Kurti e Osmani të pozicionuar fort në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës/ Vuçiq nuk ka asnjë shans të përdorë forcën ushtarake

Nga: M.L. Më: 15 tetor 2021 Në ora: 15:51
Albin Kurti, Vjosa Osmani

Mjaftoi vetëm një aksion i Policisë së Kosovës kundër kontrabandës në veri, që Presidenti Serbisë Aleksandër Vuçiq, me vartësit e tij të mblidhen e të kërcënojnë hapur Kosovën me Ushtri e Xhandarmëri.

Me këngë çetnike, e thirrje për ndërhyrje në Kosovë, Vuçiq mblodhi xhandarmërinë në Rashkë, ndërsa kërcënoi se nuk do të tërhiqen dhe se dorëzimi nuk është një nga opsionet e tyre.

Me një mendim me Vuçiq-in është edhe Goran Rakiq, ministri serb në Qeverinë e Kosovës, që tha se do të mbrohen me gjithçka që kanë në dispozicion.

Këto deklarata për gazetën “Bota sot”, i ka komentuar profesori universitar, Enver Bytyçi.

Ai ka deklaruar se Presidenti I Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është shndërruar në një komedian që beson se është bërë njeriu që imponon paqen dhe luftën në rajonin tonë.

“Aq i lehtë është sa sheh ëndrra me Milosheviçin për të vendosë dhe zhvendosë kufij në Ballkan, sipas interesave të tij në funksion të Serbisë së Madhe. E gënjen mendja se me forcën e ushtrisë e "pushton" veriun e Kosovës dhe me mbështetjen që i jep Dodikut anekson edhe Republikën Srpska të Bosnjës. Sot udhëheqësi radikal I serbëve në Bosnjë-Hercegovinë, Dodik, ka deklaruar se do të krijojë ushtrinë e republikës së tij për ta bërë atë de facto të pavarur nga Sarajeva. Kërkon të shpallë pavarësinë eProno republikës së Srpska-s në Banja Lukë dhe të krijojë një shtet të dytë serb në Ballkan. Por Marrëveshja e Dayton-it e firmosur nga Serbia, e ndalon këtë akt. Ndalon që serbët, myslimanët apo kroatët të shkëputen nga Federata e Bosnjë-Hercegovinës”, shprehet profesori.

Ai deklaron se Vuçiqi paraqitet indiferent për atë që po ndodh në Republikën Srpska të Bosnjës dhe merret me Kosovën, saktësisht me veriun e Mitrovicës.

“Kërkon të ushtrojë kontroll politik dhe administrativ në këtë rajon të Kosovës, duke harruar se Serbia ka nënshkruar një marrëveshje në Kumanovë dhe ajo marrëveshje është legalizuar në të drejtën ndërkombëtare përmes rezolutës 1244. Kjo rezolutë konsiderohet prej Beogradit si dokument me të cilin Serbia ruan të drejta në Kosovë. Në fakt është krejt e kundërta”,thotë ai.

Profesor Bytyçi rikujton se sipas rezolutës 1244, Serbia nuk ka asnjë të drejtë në Kosovë.

“Madje edhe trupat policore duhej t'i mbante 5 km larg kufirit me Kosovën, ndërsa ushtrinë 20 km. Këto dy kushte u suspenduan pas ngjarjeve të 17-128 marsit 2004. Por largësia prej 5 km për ushtrinë mbeti. Megjithatë muajin e kaluar në shtator, Vuçiq e solli ushtrinë e tij në kufi me Kosovën. Shkurt ai luan me nervat e politikanëve dhe qytetarëve të Kosovës, por edhe me nervat e ndërkombëtarëve. Dhe unë besoj se te disa ndërkombëtarë ai po gjen mbështetje. P.sh te Emmanuel Macron i Francës, i cili nuk le rast pa përkrahur ambiciet serbe për hegjemoni në Ballkan përmes krijimit të Serbisë së Madhe”, shton profesori.

Megjithatë, sipas Bytyçit, ndonëse Serbia po luan fort, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti janë pozicionuar fort në mbrojtje të territorit.

“Lidershipi serb po luan fort. Por edhe Albin Kurti dhe Vjosa Osmani janë pozicionuar fort në mbrojtje të Kosovës dhe territorit të vendit. Mua më duket se presioni i Vuçiq po adresohet më shumë te ndërkombëtarët, që ata të detyrojnë qeverinë e Kosovës ta pranojë Asociacionin e Komunave Serbe. Duke hasë në kundërshtimet e institucioneve të Kosovës, Vuçiq po përpiqet t'u dëshmojë ndërkombëtarëve se ai "e kontrollon de facto veriun e Kosovës"! Prandaj organizon protesta të dhunshme, që të bëjë jehonë në Evropë dhe SHBA. Ndërkaq, zoti Kurti me aksionet politike dhe policore po dëshmon se mund ta kontrollojë, administrojë dhe të vendosë rregull, rend dhe sovranitet shtetëror në veriun e Mitrovicës”, nënvizon ai.

Nga ana tjetër, Bytyçi kujton se ishin gjashtë pika kufitare, në të cilat u vendos reciprociteti i targave, por vetëm në Jarinjë dhe Bërnjak u krijuan barrikada dhe trazira.

“Kjo dëshmon se qëllimi është të kontrollohet ky territor nga Serbia. Kosova po bën përpjekje për ta kontrolluar vetë. Është një luftë e ftohtë midis dy shteteve. Sepse kush kontrollon de facto ai do të ketë mundësi të diktojë marrëveshjen me Serbinë, fundi i së cilës është njohja”, potencon Bytyçi.

Profesori thotë se në këtë ndeshje Viçiq kërcënon, por nuk ka asnjë shans të përdorë forcën.

“Përdorimi I forcës do të adresohej para së gjithash kundër KFOR-it dhe KFOR-i është NATO-ja. Dodik ka thënë se do të krijojë ushtrinë e tij dhe do të luftojë kundër shtetit boshnjak. Më pas tha se nëse NATO ndihmon boshnjakët, atëherë serbët i ndihmojnë miqtë e tyre, pa specifikuar Rusinë. Ndoshta edhe Vuçiq shpreson në ndihmën ruse. Por është shumë e vështirë që Rusia të përfshihet në një konflikt të tillë. Sepse Serbia dhe Republika Srpska janë të rrethuar nga vende anëtare të BE-së dhe të NATO-s. Nga do të kalojë flota detare ose ajrore e Rusisë për të ardhur në Beograd?! Si do të bëhet që trupat ruse të vijnë në Serbi e në Republikën Srpska? Do të marshojnë përmes Rumanisë e Bullgarisë anëtare të NATO-s?! Nuk mund të ndodhë kjo. Prandaj gjithçka është diversion, presion që të përfitohet sa më shumë në tavolinën e bisedimeve!”, përfundon profesori.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat