A mund të gjykohen për tradhti kombëtare Thaçi e Mustafa?

Politika

A mund të gjykohen për tradhti kombëtare Thaçi e Mustafa?

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 13 nëntor 2021 Në ora: 19:54
Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, foto ilustrim "Bota sot"

Marrëveshja për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në Kosovë është nënshkruar fillimisht më 19 prill 2013 nga
ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daciq.

 Ata kishin nënshkruar marrëveshjen me 15 pika, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve mes të dy vendeve, në dobi të Serbisë
dhe në dëm fatal të Kosovës.

Kurse, më vonë me 25. 08, 2015 edhe ish-kryeministri i Kosovës e kishte nënshkruar Asociacionin në Bruksel.

Mustafa: Marrëveshjet janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës

Po atë ditë, Isa Mustafa pohon se “Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë asnjë kompetencë ekzekutive"

Sot kemi arritur marrëveshje të rëndësishme. Ne e konsiderojmë një sukses shumë të madh të arritur me këto marrëveshje, sukses në shtrirjen e sovranitetit në tërë territorin e Kosovës, përfshirë edhe veriun", kishte deklaruar Mustafa.

Ai ishte shprehur se pala e Kosovës "konsideron se të gjitha marrëveshjet janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës".

Asociacioni do të mundësojë që të ndihmohen komunat me shumicë serbe, por nuk do të ketë asnjë kompetencë ekzekutive. Kështu që funksionimi i shtetit të Kosovës do të jetë normal dhe i suksesshëm", kishte deklaruar Mustafa.

Në Kosovë, nënshkrimi i Asociacionit në Bruksel ishte vlerësuar si akt kundër Kosovës. Madje edhe sot kjo cilësohet si tradhti kombëtare, prandaj disa herë është kërkuar që nënshkruesit e kësaj marrëveshjeje të gjykohen nga drejtësia në Kosovë.

Por, a mundet akuza nga prokuroria për tradhti kombëtare, e atyre që e bënë marrëveshjen për Asociacion të jetë shtegdalje nga kurthi i “Asociacionit”.

Qarri: Asociacioni nuk mund të imponohet njëanshëm nga Serbia

Njohësi i çështjeve politike në Kosovë, analisti Gani Qarri, thotë se, Clausula "Rebus Sic Stantibus, është doktrina e njohur ligjore
ndërkombëtare, e cila lejon dhe mundëson që një kontratë, vendim apo marrëveshje ndërshtetërore të shfuqizohet dhe bëhet tërësisht e pazbatueshme për shkak të rrethanave të cilat mund të rrezikojnë qëndrueshmërinë e një vendi apo shteti, me zbatimin e saj.

Image
Gani Qarri

Dhe siç dihet tanimë nga të gjithë, marrëveshja për asociacionin një etnik serb, jo vetëm se është nënshkruar kundërligjshëm dhe për
interesa të ngushta personale të Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, nga të cilët nuk janë marrë fare në konsideratë rreziqet që zbatimi i saj do ti shkaktonte shtetit tonë të brishtë, por ajo përveçse është plotësisht e kundërligjshme, bie ndesh me më se 23 nene të Kushtetutës, ndaj dhe është hedhur poshtë me vendim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”
, thotë Qarri për gazetën “Bota sot”.

Për aq më tepër, sipas tij, doktrina në fjalë, është edhe pjesë e të drejtës ndërkombëtare dhe zakonore, e cila parashikohet edhe në nenin 62 në Konventën e Vjenës për të Drejtën e Traktateve të vitit 1969 dhe jep justifikimin ligjor për moszbatimin e një marrëveshje shtetërore apo kontraktuale, për shkak të rrethanave, apo rreziqeve që mund të prodhojë zbatimi i saj, për një vend.

Kështu që doktrina e njohur si "Rebus Sic Stantibus", ka trajtuar raste edhe më komplekse në të drejtën ndërkombëtare, se sa
"asociacioni" një etnik serb, në Kosovën Multietnike, e cila nga praktikimi i saj, na mëson se në rastin e Kosovës, është një "klauzolë shpëtimi" ndaj rregullit të përgjithshëm "Pacta sunt servanda" (kur "premtimet duhet të mbahen"), por për shkak të rrethanave, duhet të
ndryshohen ose shfuqizohen tërësisht, ngase nuk mund të zbatohen!”
, potencon ai.

Qarri tregon se, doktrina "Rebus Sic Stantibuse" si parim është praktikuar që me 1973 edhe në vendet tjera.

Bie fjala në çështjet ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Islandës, ndaj klauzola "Rebus Sic Stantibus", shfrytëzohet sidomos kur palët me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, si ajo e Hashim Thaçit e Isa Mustafës me përfaqësuesit e Serbisë, nënshkruhen për interesa personale dhe pa marrë parasysh rreziqet që zbatimi i kësaj marrëveshje të kundërligjshme, mund ti shkaktojë Republikës së Kosovës”, shton tutje Qarri.

Sipas tij, parimi i "Clausula Sic Stantibus" është pjesë përbërëse e të gjitha sistemeve juridike shtetërore ndërkombëtare, që rrjedhin nga e drejta romake, kurse në të drejtën e shtetit të Zvicrës si njëri nga vendet me demokraci dhe ligjet më të përparuara në gjithë botën, në nenin 119 të Kodit Zviceran, "Clausola Sic Stantibus" është bazë e zbatueshmërisë së parimit edhe në të drejtën e kontratave zvicerane.

Kështu që, është më se e natyrshme dhe plotësisht e justifikueshme edhe sipas të drejtës ndërkombëtare, që edhe në rastin e Kosovës, të përdoret klauzola "Rebus Sic Stantibuse" për shfuqizimin dhe moszbatimin e marrëveshjes së kundërligjshme për asociacionin një etnik serb, e cila rrezikon bosnjëzimin praktik dhe ndarjen e shtetit të Kosovës, ndaj as sipas praktikave ndërkombëtare ligjore, asociacioni një etnik serb, qoftë edhe e nënshkruar nga kuislingu Thaçi dhe renegati Isa Mustafa, nuk mund të imponohet njëanshëm nga Serbia, siç pretendon Aleksandër Vuçiqi, t`ia imponojë padrejtësisht Kosovës”, përfundon Qarri.

Bytyçi: Firmat e Thaçit dhe Mustafës janë të dënueshme si akte anti-shtet

Nënshkrimin e Asociacionit në Bruksel e ka komentuar edhe prof. dr. Enver Bytyçi, i cili thotë se, në atë marrëveshje u parashikuan kompetencat e këtij asociacioni më saktë fushat e këtyre kompetencave.

Image
Enver Bytyçi

Bytyçi thekson se, veç kulturës, arsimit, shëndetësisë, çështjeve sociale, urbanizimit, ajo marrëveshje e Thaçit i jep Asociacionit edhe
kompetenca në fushën e sigurisë dhe drejtësisë. d.m.th që në vitin 2013 Asociacioni ishte anti-kushtetues.

Në vitin 2015 ishte Isa Mustafa që me urdhër të zëvendësit të vet,Hashim Thaçit, nënshkroi marrëveshjen e Asociacionit, të cilën Gjykata Kushtetuese e Kosovës e hodhi poshtë për shkak se bie ndesh me 23 nene të Kushtetutës së vendit. Për të përgatit projektet kanë punuar sa e sa të ashtuquajtur ekspertë të tipit Petrit Selimi”, thotë profesori.

Ai thotë se, firmat e Thaçit dhe Mustafës janë akte anti-Kosovë.

Ju shtroni pyetjen nëse këta persona përgjegjës e të papërgjegjshëm mund të ndiqen penalisht për tradhti kombëtare! Kjo është e
diskutueshme, sepse bisedimet janë vendim i Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe nuk është sanksionuar në këtë vendim se çfarë është e ndaluar. Por politikisht e moralisht është e ditur se firmat e Thaçit dhe Mustafës janë të dënueshme si akte anti-shtet, anti-Kosovë
”, potencon ai.

Bytyçi tutje shton se, diskutimi për ndryshimin e kufijve është i dënueshëm edhe ligjërisht, sepse në Kushtetutën e Kosovës shkruhet
qartë se askush nuk mund të vejë në diskutim territorin, sovranitetin shtetëror, kufijtë dhe integritetin territorial.

Neni 2, Pika 2 e Kushtetutës së Kosovës shkruan qartësisht se “Askujt nuk i lejohet ta cenojë territorin e Kosovës në çfarëdo forme qoftë”! Kjo e bën të dënueshme për tradhti kombëtare deklaratën e Hashim Thaçit për “korrigjimin e kufijve”! Sepse me këtë deklaratë është bërë thirrje për cenimin e territorit të Kosovës! Asociacioni i nënshkruar nga dy ish-kryeministrat e Kosovës dhe akti i nënshkrimit, megjithatë duhet hetuar nga prokuroria e vendit. Sepse duhet parë nëse ka pasur deklarime dhe qëndrime që me vetëdije kanë çuar në shkeljet kushtetuese të reflektuara nga vendimi i GJKK-së. Nëse protagonistët e kësaj marrëveshjeje kanë firmosur me vetëdije në shkelje të Kushtetutës dhe në funksion të rrënimit të shtetësisë së Kosovës, atëherë ata mund të dënohen penalisht, së paku për shpërdorim të detyrës dhe postit zyrtar. Duhen hetuar ndoshta edhe nëse janë zbatuar procedurat ligjore ose jo, si konsultimi me institucionet e tjera të shtetit, presidentin dhe parlamentin. Po qe se është vepruar pa këto konsultime, atëherë del se është shkelur ligji i shtetit”, thotë Bytyçi.

“Firmat e Thaçit dhe të Mustafës e kanë vështirësuar pozicionin e Kosovës në bisedime me Serbinë”

Profesori pohon se, një hetim për Asociacionit do ta ndihmonte grupin negociator të sotëm dhe Qeverinë Kurti në realizimin e një politike të arsyeshme konform Kushtetutës në bisedimet me Serbinë.

Nëse do të dilnin përgjegjësitë dhe do të faktohej shkelja me qëllim e ligjit, Kushtetutës, atëherë në bisedimet Kosovë-Serbi pala e
Kosovës do ta kishte më të lehtë të rezistonte para ndërkombëtarëve për ta rikthyer në tavolinën e bisedimeve çështjen e Asociacionit.
Firmat e Thaçit dhe të Mustafës e kanë vështirësuar pozicionin e Kosovës në bisedime me Serbinë, edhe pse Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë atë. Sepse nga Serbia e disa ndërkombëtarë ato firma po konsiderohen si obligim në bazë të ligjit ndërkombëtar. Duhet investim i shumëfishtë i delegacionit të Kosovës për ta përballuar këtë presion të madh. Pra, marrëveshjet e nënshkruara më 2013 e 2015 e kanë dobësuar pozicionin e Kosovës. Kjo do të thotë se shteti i Kosovës duhet të merret seriozisht për impaktin që ato kanë shkaktuar dhe të dalin para përgjegjësisë shkaktarët, nëse jo për tradhti, për dobësi dhe shpërdorim të detyrës!
”, thotë Bytyçi.

Ai shprehet se, asgjë nuk mund dhe nuk duhet ta detyrojë Qeverinë dhe institucionet e Kosovës të pranojnë që dialogu të përfundojë me krijimin e Asociacionit.

Premtimi për njohjen e shtetit nga Serbia në këmbim të Asociacionit është karrem në fakt për ta shkatërruar shtetësinë e Kosovës. Prandaj duhet refuzuar ky opsion, edhe pse Vuçiq kërcënon me lojën e fjalëve "Mirë u pafshim herë tjetër”! (Nëse Kosova nuk pranon të flasë për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë)”, përfundon prof. dr. Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat