Ky është “shkaktari” i humbjes së Arben Vitisë në Prishtinë

Politika

Ky është “shkaktari” i humbjes së Arben Vitisë në Prishtinë

Nga: A.SH Më: 18 nëntor 2021 Në ora: 14:59
Arben Vitia dhe Përparim Rama

Përparim Rama ka fituar që të qeverisë me kryeqytetin në zgjedhjet lokale, në raundin e dytë.

Ai doli i pari në zgjedhjet të cilat u mbajtën të dielën që kaloi, duke lënë prapa kundërkandidatin nga LVV, Arben Vitia.

Por qeverisja në kryeqytet, Ramën e presin shumë punë.

Analisti Skënder Mulliqi në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se, Arben Vitia humbi në këto zgjedhje edhe për shkak të Shpend Ahmetit.

Sipas tij, vet LVV kishte kritikuar ish-kryetarin e Prishtinës për korrupsion, se ai po përfiton duke lejuar ndërtime pa leje në kryeqytet.

“Arben Vitia i LVV e humbi garën nga Përparim Rama i LDK-së, duke ja pa bukur shumë sherrin edhe Shpend Ahmetit, i cili si kryetar i Prishtinës kishte ardhur përmes LVV, për të kaluar në PSD, ku thuhet se nuk ka qenë në nivelin e kërkuar. Pikërisht LVV e kishte akuzuar hapur ish kryetarin e Prishtinës për korrupsion, se ai po përfiton duke lejuar ndërtime pa leje në kryeqytet. Shpendi është kritikuar shumë në medie nga analistët se ka punuar shumë punë në kundërshtim me ligjin. Ata kanë hedhur akuza serioze politike publike, duke kërkuar që me punët e ish të parit të Prishtinës, të merret prokuroria e shtetit. Shpendi është akuzuar se ka lejuar ndërtime pa leje. Shumë kush mendon se Shpend Ahmeti e ka degraduar Prishtinën”, ka thënë ai.

Derisa për sfidat që e presin kryetarin e ri, Mulliqi ka thënë se të gjitha punët në komunë i ka të trashëguara, duke shtuar se Prishtina është bërë mish-mash nga ndërtimet pa leje, andaj thotë që presim punë të mira nga ai për kryeqytetin.

“Mendoj se ai ka trashëguar shumë të meta të cilat kërkojnë mund dhe kohë për riparim. Të them të drejtën unë nuk kam njohuri për zotësinë e kryetarit të ri, Përparim Rama, por flitet se është ekspert i dalluar. Të shpresojmë që të bëjë punë të mira. Sipas njohësve dhe analistëve, Prishtina është bërë një mish-mash i madh në ndërtime pa leje duke filluar nga koha Mustafës e deri te Ahmeti. Rama dhe të tjerët që kanë ardhur në pushtetin lokal, do të duhej që më në fund t’i zbatojnë në praktikë premtimet e dhëna elektorale karshi përmirësimit të jetës të qytetarëve”, shprehet ai.

Në fund, analisti potencon që premtimet e shumta të cilat i ka bërë kryetari i ri duhet t’i zbatojë edhe në praktikë, e jo të punojë për familjarë dhe militantë partiak si praktikë e keqe e deritashme.

“Duhet të ndalen keqpërdorimet, si ndërtimet pa leje, nepotizmat dhe korrupsioni që është bërë gangrenë e kësaj shoqërie etj. Përparim Rama shumë ka premtuar gjatë fushatës elektorale dhe këtë premtim duhet të zbaton në praktikë, e jo të punojë për familjarë dhe militantë partiak si praktikë e keqe e deritashme. Kryetari është i çdo qytetari, e nuk është i një partie të caktuar politike siç kanë vepruar deri më tash sidomos në segmentin e punësimit dhe të tenderomanisë. Tashmë duket se ka një mendësi të re në mesin e qytetarëve, dhe se dënimi e pret shumë më shpejt secilin që nuk punon mirë apo bën keqpërdorime të mëdha apo të vogla. Të presim se çfarë do të na sjellë pushteti i ri në Prishtinë, me Përparim Ramën e LDK-së”, përfundon analisti Skënder Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat