Kurti flet për gjykimin e Thaçit, tregon për çfarë krimesh do të duhej të gjykohej ai dhe në cilin vend

Politika

Kurti flet për gjykimin e Thaçit, tregon për çfarë krimesh do të duhej të gjykohej ai dhe në cilin vend

Nga: A.ZH Më: 21 nëntor 2021 Në ora: 08:11
Albin Kurti dhe Hashim Thaçi; foto ilustrim nga "Bota sot"

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për gjykimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale në Hagë.

Në një intervistë me zë për revistën online “Monocle”, Kurti ka thënë se nuk i gëzohet faktit se ish-presidenti Hashim Thaçi, po gjykohet në një shtet tjetër.

Ai ka theksuar se ish-krerët e UÇK-së do të duhej të përballeshin me drejtësinë në Kosovë për korrupsion, pasi sipas tij, “ata janë kryesisht përgjegjës për privatizimin abuziv dhe tenderomaninë”, përcjell Bota sot.

“Ish-Presidenti Thaçi dëshironte që në një farë forme të monopolizonte historinë për përfitime politike. Asnjëherë se kam kontestuar kontributin e tyre gjatë luftës, dhe unë isha poashtu pjesë e saj. Pas luftës disa gjëra ndodhën ku disa udhëheqës të UÇK-së me fuqi politike filluan të fitojnë përfitime materiale dhe idealizmi i tyre devijoi. Absolutisht jo (nuk i gëzohem gjykimit të Thaçit në Hagë), unë do të doja që ata të përballen me drejtësinë në Kosovë për korrupsionin që e kanë bërë këtu në Kosovë, sepse ata janë kryesisht përgjegjës për privatizimin abuziv dhe tenderomaninë. Kështu që ata do të duhej të gjykoheshin në Kosovës për krime paqeje që i kanë bërë ekonomisë dhe shoqërisë dhe jo nga një gjykatë “sui-generis” që ka mungesë trasnparence dhe që po merret me diçka që është trajtuar nga Gjykata Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë (ICTY), nga gjykatat e UNMIK-u dhe ato të EULEX-it. Është një gjykatë tjetër speciale dhe kemi një trajtim special, unë do të doja një trajtim normal, gjykata normale në Kosovë që merren me krimin dhe korrupsionin”, ka deklaruar kryeministri Kurti.

Kurti tha gjithashtu se mendon se për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon, rruga më e shpejtë dhe më e mirë është që gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen menjëherë në BE.

“Disa nuk duan të anëtarësohen në NATO, por Kosova do. Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete, por ne kemi të njëjtën gjuhë dhe jemi një popull. Kur shpallëm pavarësinë e shpallëm kundër Serbisë, jo kundër Shqipërisë. Nga ana tjetër, ka shumë qytetarë të BE-së që kanë shtetësi të dyfishtë. Mendoj se ka shumë që kanë tre pasaporta dhe i inkurajoj që të votojnë në të gjitha shtetet që kanë shtetësinë e tyre”, ka thënë Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat