Publicisti rrëfen veprimtarinë e Jusuf Gërvallës, zbulon detaje nga letra dërguar Enver Hoxhës

Politika

Publicisti rrëfen veprimtarinë e Jusuf Gërvallës, zbulon detaje nga letra dërguar Enver Hoxhës

Nga: A.M. Më: 30 nëntor 2021 Në ora: 22:49
Jusuf Gërvalla

Kanë kaluar afër 4 dekada që nga dita kur u vranë në një atentat vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. 

Atentati ndaj dy vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka ka ndodhur me 17 janar, 1982 në Untergrupenbach të Gjermanisë. Nga autoritet shtetërore gjermane është lajmëruar se vrasës të panjohur kanë vrarë tre jugosllavë dhe se ky ishte kulminacion i ri në luftën e fshehtë në të cilën agjentët e sigurimit jugosllav i luftojnë kundërshtarët e pushtetit. 

Dihet se veprimtaria e Jusuf Gërvallës ishte e madhërishme, ku dashuria e tij për atdheun dhe puna ishte e palodhshme. 

Publicisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj një prononcim për gazetën “Bota sot” ka rrëfyer disa fragmente nga jeta e vëllezërve Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla. 

Fillimisht, ai tha se aktiviteti i dy vëllezërve Gërvalla filloi me art dhe u përmbyll me gjak. 

Image
Publicisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj

“Vëllezërit, Jusufi dhe Bardhoshi, pinjollë të familjes Gërvalla, aktivitetin e tyre e filluan me art dhe e përmbyllën me gjak. Dy vëllezërit tjerë, Hyseni dhe Avdyli, të kyçur në Lëvizjen Ilegale, përjetuan burgjet serbo-sllave. Pra, familja e tërë kishte angazhim e qasje supreme, për të shtuar një gur në themelet e shtetit të Kosovës. 

Jeta e gazetarit Gërvalla, në relacionin Prishtinë-Shkup, po e profilizonte edhe në politikë, gjithnjë, në përpjekje për ta bërë argatin për atdheun e pushtuar. Përgjimi i rreptë, imponoi largimin e Jusuf Gërvallës në mërgimin e kobshëm, në Gjermani. Atje gjeti vëllanë e tij Bardhoshin, i shkolluar në Slloveni dhe i punësuar në sektorin social, në shërbim të emigracionit ekonomikë, të ardhur, kryesisht, nga Jugosllavia”, rrëfeu publicisti. 

Krahas kësaj, Zeqiraj tregoi për kohën e migracionit në Gjermani, të arratisur pas Luftës së Dytë Botërore. 

Këtë e krahasoi me vitet e luftës, kur pjesëtarët e LPK-së e kërcënonin me LDK-në e Rugovës, për shuarjen e FARK-ut. 

“Jusuf Gërvalla u vendos në Landin (Republikën) e Badenëürtembergut, si republikë e dytë e fuqishme ekonomike në Gjermani, andaj, edhe emigracioni shqiptarë ishte numerikë. Polarizimet e para ishin në mes të nacionalistëve, të arratisur pas Luftës së Dytë Botërore, nga përndjekja e pushtetarëve komunistë dhe gardës së re të enveristëve shqiptarë, nga trevat shqiptare në Jugosllavi. 

Krejt ngjashëm me vitet e luftës, kur LPK-istët kërcënonin LDK-në e Rugovës, "ose të shuhet FARK-u, ose lëmë Serbinë dhe luftojmë me ju si me shka!" Dhe, vërtet, e mbajtën fjalën! Kjo është e vërteta e luftës në terren, në atë kohë. Kurse uniteti, kinse, bashkëpunimi i faktorëve ushtarakë, gjatë luftës, është vetëm teorik, i përrallëzuar, i pa lëndëzuar, por, fort i reklamuar në retorikën e politikanëve dhe kalemxhinjëve të sotëm”, shpjegoi ai. 

Pas kësaj, publicisti vlerësoi se me rritjen e numrit të emigracionit në Evropë, UDB e organizoi një rrjet përgjues duke dërguar agjentët e saj. 

Gjithashtu, ai theksoi se pjesëtarët e UDB-së  ishin dështak në studime në Kosovë, ku pas lufte blenë diploma në Tiranë, Tetovë dhe Kosovë. 

“Ende pa u konsoliduar lëvizakët e kuq, me portretet anakronike për kohën dhe Evropën: Marks, Engels, Lenin, Stalin, Mao Ce Duan, Enver, bëheshin tre shqiptarë dhe krijonin një partizë! Kjo na kujton Konicën tonë mençurak: "5 shqiptarë e 9 parti!" 

Me shtimin e emigracionit në Evropë, UDB-a organizoi rrjetin përcjellës e përgjues të tyre, duke dërguar agjentët e saj. Të dërguarit e UDB-së ishin dështak në studime në Kosovë, ashtu mbetën edhe në Evropë. Por, pas luftës blenë diploma në Tiranë, Tetovë, Kosovë! Madje, asnjëri syresh, nuk u angazhua në punë të mirëfilltë. Përkundër, regjistroheshin, fiktivisht, në ndonjë firmë shqiptare, duke mashtruar se punonin për Kosovën, ndërkohë që bënin të kundërtën. Firma paguante kuotën pensionale dhe shëndetësore, për hafijet e UDB-së!”, nënvizoi Zeqiraj. 

Në vazhdim, ai beson se spiunimi i punëtorëve ishte masiv, madje sipas tij në lojë u fut edhe sigurim shqiptar. 

“Ata ishin të lirë dhe bridhnin në kërkim dhe hetim të "gjahut". Spiunimi i punëtorëve ishte masiv dhe shumë syresh kishin probleme me policinë UDB-eske, kur shkonin në Atdhe. Ata thirreshin në "biseda informative", ua konfiskonin pasaportën dhe disa edhe i dënonin, "për veprimtari armiqësore kundër Jugosllavisë!" 

Sikur të mos mjaftonte UDB-a, në lojë u fut edhe Sigurimi Shqiptar. Sigurimsa, të veshur me kostumin e "diplomatëve"! Bashkëpunimi arriti deri në atë përmasë, sa hafijet e UDB-së i spiunonin edhe ata diplomatë shqiptarë, të cilët nuk ishin aktivë në përçarjen ndër shqiptare në Mërgatë. Dhe, Tirana zyrtare i kthenin në Shqipëri, pa mbaruar mandatin!”, potencoi publicisti. 

Me tej, ai ritheksoi se shteti gjerman ishte qendra organizative e veprimtarëve kombëtare. 

E këtu ndërlidhi veprimtarin e Jusuf Gërvallës në Gjermani, ku këtë gjë nuk e donte as Tirana zyrtare dhe UDB-ja jugosllave. 

“Gjermania ishte epiqendra organizative e veprimtarëve kombëtarë, ndërsa shtetet tjera ishin degëzime, pavarësisht nga trevat nga vinin aktivistët e mërgatës. Jusufi kishte qasje tjetër, natyrisht, edhe mirëkuptim, ndaj nacionalistëve, sepse ata kishin sakrifikuar shumë, duke braktisur nuset dhe kalamajtë. Dhe, ata filluan ta admironin Jusufin, ta besonin atë. Por, kjo qasje ndaj tyre, ishte blasfemi, ngaqë nacionalistët ishin të dënuar dhe të anatemuar nga shteti komunist shqiptar, rrjedhimisht, edhe nga kuqaloshët e rinj të Kosovës, vegla qorre të enverizmit marroq! Simpatia e emigracionit për Jusufin po rritej. Por, këtë nuk e donte as Tirana zyrtare dhe as UDB-ja jugosllave”, tha ndër të tjera Zeqiraj. 

Krejt në fund, publicisti përmendi letrën e Jusuf Gërvallës dërguar Enver Hoxhës dhe pyetje e tij. 

Letra e Jusuf Gërvallës, dërguar Enver Hoxhës, me pyetjen-dilemë: "Kur do të zgjidhet çështja e Kosovës? Përgjigja e diktatorit Hoxha, ishte si në "kalendat greke": "Çështja e Kosovës do të zgjidhet, atëherë kur do të triumfojë Revolucioni Proletar, në shkallë botërore!" Dhe, pason kundër-pyetja e thekshme e Jusuf Gërvallës: "Po sikur ajo ditë të mos vijë kurrë?!"”, përmbylli Idriz Zeqiraj për “Bota sot”. 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat