Koha e “komandantëve” të pashkolluar ka përfunduar

Politika

Koha e “komandantëve” të pashkolluar ka përfunduar

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 2 dhjetor 2021 Në ora: 18:44
Presidentja Osmani ka emëruar gjeneralmajor Bashkim Jasharin komandant të ri të Forcës së Sigurisë së Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dekretuar lirimin nga detyra të komandantit të deritanishëm të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, pas dorëheqjes nga ana e tij.

E në vend të tij, ka emëruar gjeneralmajor Bashkim Jasharin komandant të ri të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në përputhje me kompetencat kushtetuese.

Emërimi është bërë siç parashihet në Ligjin për FSK-në, pas propozimit të ministrit të Mbrojtjes dhe rekomandimit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Hoxha: Ndërrimi i Komandantit të FSK-së proces normal dhe i duhur

Ish Komandanti i Policisë Ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hafir Hoxha thënë se duhet të kuptohet drejt që NATO-ja ka intervenuar ta shpëtojë popullatën civile nga krimet e ushtrisë dhe paramilitarëve serb që mos të përsëriten krimet e bëra nga ta si në Bosnje.

Image
Hafir Hoxha

“Të gjithë ata të cilët nuk e kanë kuptuar saktësisht dhe drejt intervenimin e forcave të NATO-s në vitin 1999, pastaj nuk e kanë kuptuar saktë dhe drejt nënshkrimin e marrëveshjes së Kumanovës mes NATO-s, RFJ-së dhe përfaqësuesve të UÇK-së me 09.06.1999 dhe me 11.06.1999 hyri në fuqi dhe u zbatua që nga ajo kohë, kanë pas probleme serioze në analizat e tyre politike dhe në planifikimin e konceptit të Forcave të Sigurisë së Kosovës, më saktësisht me statusin e veteranëve të UÇK-së me TMK-në dhe së fundmi edhe me FSK-në”, thotë ai.

Sipas tij ky keqkuptim ka ndodhur edhe nga ish përfaqësues politik, si Hashim Thaçi, të cilët gjithmonë e kanë fshehur apo nuk e kanë pasur parasysh se NATO nuk ka pas relacion vetëm me forcat e sigurisë së Kosovës, por edhe me të tjera.

“Për fat të keq shumë lider politik kosovar, por edhe ish komandantë dhe përfaqësues politik të UÇK-së këto gjëra i kanë kuptuar dhe trajtuar pjesërisht vetëm lidhshmërinë e Kosovës, forcave të saj në të ardhmen duke mos i vërejtur dhe duke mos i analizuar edhe faktorët tjerë, pra relacionet dhe projektet e synimet mes NATO-s dhe ish-ushtrisë jugosllave”.

Analizat gjysmake ushtarake

Sipas Hoxhës këso analiza gjysmake nuk hapin orientime të sakta në avancimin e Kosovës dhe forcave të saj për të siguruar dhe garantuar integritetin territorial të Kosovës. “Pikësëpari NATO-ja nuk ka intervenuar që t’i ndihmonte UÇK-së që ta luftojë armikun serb në Kosovë, siç e paraqesin shumë nga ata të lartpërmendurit në deklarimet e tyre publike dhe në shumë libra të tyre që i kanë botuar. NATO-ja, pra ka intervenuar ta shpëtojë popullatën civile nga krimet e ushtrisë dhe paramilitarëve serbë, që mos të përsëriten krimet e bëra nga ta në Bosnje”, thotë ai.

Sipas tij me Marrëveshjen e Kumanovës NATO i dëboi forcat serbe nga Kosova, por, “në të njëjtën kohë fiku së ekzistuari UÇK-në”. Duke iu referuar Marrëveshjes së demilitarizimit, thotë se u zgjodh një strukturë e pa armatosur në teori, “kinse si Mbrojtje Civile, e uniformuar pa armë dhe pa planprogram të trajnimit dhe të aftësimit si strukturë ushtarake”. Sipas Hoxhës TMK-ja nuk ishte e pajisur dhe nuk kryente as detyra të Mbrojtjes Civile. “Në praktikë ishte strukturë ku pjesëtarët e ish UÇK-së mbaheshin nën kontroll tërë kohën, dhe një numër i madh i tyre nuk patën mundësi as të kyçen në luftimet në Maqedoni”, thotë ai.

Ai e quan burg shtëpiak, kohën e kaluar aty nga ish anëtarët e UÇK-së. “Pra ishim një lloj burgu shtëpiak, strukturë e ngrirë ku funksioni i saj varej nga ecurit politike mes Kosovës dhe Serbisë ku NATO-ja prapë nuk printe në ato ecuri, por priste rezultate politike mes dy vendeve”, thotë Hoxhaj.

Ai e përshkruan në mënyrë kronologjike procesin duke e dhënë vlerësimin e tij. “Me avancimin e politikës kosovare ku më 17 shkurt 2008 Pavarësia e Kosovës u shpall, dhe u pranua nga shumë shtete dhe NATO-ja, tani çeli rubinetën e TMK-së që nga ajo strukturë të rrjedhë ushtria, por tërë kohën nën kontrollë si kundërpeshë me ecurit në Serbi ku synimi final i NATO-s është që edhe Serbia të bëhet pjesë e saj”, shpjegon ai.

Synimet e NATO-s

Tutja shton, se edhe synimi i NATO-s final është që edhe Serbia të bëhet pjesë e saj, derisa nga ana tjetër thotë që Serbia ka presion nga Rusia që mos të bëhet pjesë e NATO-s.

“Këtë strukturat politike në Serbi nuk munden ta bëjnë për shkak bombardimeve të NATO-së atje ku shumica e popullit serb e konsiderojnë si strukturë, forcë armiqësore të saj. Në të njëjtën kohë Serbia ka joshje dhe presion nga Rusia që mos të bëhet pjesë e NATO-s. Shumë ushtarak serb janë pro-rus dhe nuk po afrohen me NATO-n. USA i ka dhënë mundësi Serbisë që të bëhet gati të hynë në NATO duke e stimuluar udhëheqësinë e saj politike që të bind qytetarët e saj se hyrje e tyre në NATO është e domosdoshme dhe më favorizuese për Serbinë edhe për zhvillimin ekonomik te saj”, potencoi ai.

Sipas tij armatosja e FSK-së është rregullisht si kundërpeshë e reagimeve të Serbisë, sa më shumë largohet Serbia nga synimi i saj në NATO aq më shumë investohet në FSK për t’i bërë me dije Serbisë që ardhmëria e saj duhet të jetë në NATO.

Andaj sipas tij, Kosova duhet ta ketë ushtrinë e saj me synimet e veta.

Derisa për emërimin e Bashkim Jasharit komandat në krye të FSK-së, ka thënë se kjo ka efekt moral për qytetarët e Kosovës pasi është nipi i Adem Jasharit, kurse punën dhe angazhimin e tij deri më tani e kanë të njohur forcat e NATO-s dhe USA, kjo d.m.th. se ndoshta do të ketë autoritet dhe fuqi e dëgjueshmëri, të jetë aktiv dhe konstruktiv në synimet përfundimtare të NATO-s.

“Prandaj Qeveria e Kosovës kam thënë me herët dhe po e përsëris nuk mund të vendos për veriun e Kosovës e as për ushtrinë e saj me ritmin dhe synimet e veta, nëse ato aktivitete e largojnë Serbinë nga hyrja në NATO. Ministri i Mbrojtjes i Kosovës dhe Komandanti i FSK-së duhet të jenë profesional dhe t’i ushtrojnë detyrat e tyre shtëpiake për aq sa u lejohet nga NATO-ja, të ecin në hap me ritmin dhe me kahen e USA-s dhe NATO-s kah synimi final që edhe Serbia dhe Kosova të bëhen pjesë e NATO-s:, thotë ai.

Ushtaraku Hoxha, mendon se të gjitha këto i dinë Serbia prandaj mundohet politikisht dhe ekonomikisht të përfitojë sa më shumë që është e mundur. Sipas tij komandantët në FSK duhet të jenë strateg që i dallojnë mirë interesat e NATO-s, dhe të mos sillen si ish-komandantët aty.

“Në FSK komandantët e dalur nga lufta nuk dëshirojnë as nuk i analizojnë gjërat më gjerë, pos për interes të tyre të ngushtë vetëm për Kosovën, prandaj momentin që me veprimet e tyre çrregullojnë punën e NATO-s në terren dhe paraqesin rrezik, me tremb Serbinë që të futet në kafaz, ata ndërrohen. Pra, kushdo që emërohet në këto detyra në Kosovë duhet t’i dijë e t’i njohë mirë synimet e NATO-s në raport me Serbinë dhe politika më konstruktive do të ishte që t’i ndihmojnë NATO-s në synimet e saj përfundimtare në Ballkan, e ai synim është që të largohet ndikimi ushtarak rus në Ballkan dhe të përmbyllet shpërbërja e ish-Jugosllavisë duke i fut të gjitha ato shtete të reja në NATO”, thotë Hafir Hoxha.

Ai emërimin e Bashkim Jasharit e sheh me efekt moral, si një moralizim të emërimeve dhe politikës.

“Emrat e komandantëve të FSK-së nuk çojnë shumë peshë, por emërimi i gjeneral Bashkim Jasharit në krye të FSK-së ka efekt moral për qytetarët e Kosovës pasi është nipi i Adem Jasharit, kurse punën dhe angazhimin e tij deri më tani e kanë të njohur forcat e NATO-s dhe USA, kjo d.m.th. se ndoshta do të ketë autoritet dhe fuqi e dëgjueshmëri, të jetë aktiv dhe konstruktiv në synimet përfundimtare të NATO-s”, përfundon ish-komandanti Hafir Hoxha për “Bota sot”.

Tërnava: Komandanti është një pasqyrë për ushtrinë tonë

Image
Hajrullah Tërnava

Lidhur me këtë eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava ka thënë se komandanti është një pasqyrë edhe për ushtrinë tonë, dhe në bazë të shkollimit të tij edhe vlerësohet ushtria e jonë. Për çdo kontakt që ndodhë gjatë stërvitjeve të ushtrisë tonë, të tjerët ushtarak të vendit.

“Dorëheqja e Komandantit te FSK-së të deritashëm Rrahman Rama nga ky post aq të rëndësishëm për Kosovën, është tepër domethënës, sepse një Komandant që i prinë një ushtrie sikur në këtë rast FSK-së, sado qoftë që kjo ushtri ka dalë nga lufta çlirimtare dhe që është e stërvitur edhe me trupa të NATO-s, e që merr shpesh pjesë në stërvitje të ndryshme edhe jashtë Kosovës, çdo kush që duan të dinë aftësinë e kësaj ushtrie dhe me e vlerësu ushtrinë tonë në këtë rast FSK-në, të tjerët duan të dinë shkollimin ushtarak dhe aftësitë përgatitore ushtarake të Komandantit të FSK-së, që e përfaqëson ushtrinë e Kosovës, prandaj Komandanti është një pasqyrë edhe për ushtrinë tonë, dhe në bazë të shkollimit të tij edhe vlerësohet ushtria e jonë”, thotë.

Sipas tij referencë për vendet, ushtritë tjera, është niveli i arsimimit të komandantit, përgatitjet e tij teorike e taktike.

“Për çdo kontakt që ndodhë gjatë stërvitjeve të ushtrisë tonë, të tjerët ushtarak të vendeve mike duan ta dinë biografinë e Komandantit dhe shkollimin e tij ushtarak, tjetër janë kurset që i frekuentojnë në seminare të ndryshme si ato gjuhësore apo qofshin edhe në stërvitje të ndryshme apo marrja pjesë në seminare të ndryshme ku marrin pjesë ushtarakë të ndryshëm të shteteve mike”, ka thënë eksperti.

Imazhi i pasluftës

Ai thotë që FSK-ja ka nevojë për një imazh të pasluftës, dhe në krye të FSK-së të ketë prijës mirë të shkolluar të profilit ushtarak, sepse koha e luftës moti ka kaluar.

“FSK-ja duhet ta ndërtoj tani një imazh tjetër të pasluftës, dhe në krye të FSK-së të ketë prijës mirë të shkolluar të profilit ushtarak, që qëndrojnë në krye të ushtrisë si Komandant të FSK-së, sepse koha e luftës moti ka kaluar, dhe nëse atëherë gjatë luftës na u ka imponuar emërimet e djemve trima dhe të kthjellët sikur që i ka kërkuar koha, tani mbas 21 vitesh që ka mbaruar lufta, kemi të rinj të shkolluar nëpër Akademi ushtarake të ndryshme si brenda ashtu edhe jashtë shtetit tonë, në shtete mike sikur që kemi mjaft të rinj që kanë kryer Akademi ushtarake të tëra në SHBA dhe shtete tjera, dhe me përvojat e tyre tani e kanë krijuar imazhin e komandantëve të suksesshëm brenda ushtrisë tonë”, thekson ai.

Në fund deklaron se në këto kohë duhet të marrë fund epoka e “komandantëve”, duke shtuar se kështu ushtria e Kosovës ka të rinjë, të cilët kanë përfunduar akademi ushtarake dhe kështu Kosova mund ta arrijë nivelin e lartë të përgatitjeve stërvitore.

Madje sipas tij, asnjë moment nuk duhet ndalur angazhimin deri në anëtarësimin në NATO.

“Në këto kohëra tani duhet të merr fund koha e „komandantëve“ të luftës sikur që ishin në TMK, e cila u shndërrua në FSK e në vazhdimësi deri më tani. Me ushtarak të zotë e me stërvitje e gjithnjë duke qëndruar në lidhshmëri me ushtritë më të zhvilluara të botës si në këtë rast me NATO-n, si dhe me angazhimin e pandalur deri në anëtarësimin në NATO. Një anëtarësim në këtë strukturë ndërkombëtare sikur që është NATO-ja, do i detyronte edhe ato shtete që janë armiqësisht të orientuara ndaj Kosovës, që ta ndërrojnë sjelljen e saj ndaj shtetit tonë, dhe me një anëtarësim të tillë, do t’i përafrohemi njohjeve të pavarësisë edhe nga ato 5 shtete të BE-së, që ende se kanë njohur pavarësinë e Kosovës, dhe Serbia do të jetë e detyruar që ta njeh pavarësinë e Kosovës, sepse do ta ketë të qartë se tjetër rrugëdalje më nuk ka”, përfundon për “Bota sot” Hajrullah Tërnava.

Këtu mund të gjeni një historik të shkurtër të komandantëve të Ushtrisë së Kosovës

Themelimi i TMK-së është bërë më 21 shtator 1999 gjegjësisht me transformimin e paraardhëses së saj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

E, në janar të vitit 2009 TMK-ja zyrtarisht u shpërbë duke u riformuar në Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Komandantët ndër vite:

Në vitin 2000, Udhëheqësi i parë i TMK-së u emërua gjeneral-llejtënant Agim Çeku

Ai u lind më 29 Tetor 1960 në fshatin Qyshkë të Pejës.

Ai kreu dy vite të akademisë ushtarake në Beograd dhe dy të tjera në Zarë të Kroacisë ku iu bashkëngjit Armatës Popullore të Jugosllavisë. Kur filloi lufta në ish-Jugosllavi në tetor 1991, ai iu përgjigj kushtrimit të gardës kombëtare të Kroacisë dhe fitoi komandën e njësive artilerike në Zarë, dhe pastaj u bë zëvendës-komandant i divizionit luftarak. Në shkurt 1992 i u besua komanda e divizionit luftarak Masleniçko (Masleničko), e pastaj komanda e divizionit anti-tankist e garnizonit në Gospiç (Gospić) në ushtrinë kroate.

Por, me largimin e gjeneral-lejtnant Agim Çekut nga TMK-ja në fillim të vitit 2006 dhe angazhimin e tij në politikë, Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës u emërua gjeneral-lejtnant Sylejman Selimi. Ai në krye të TMK-së ishte deri në vitin 2009, dhe kur ajo u shndërruar në FSK, ai vazhdoi të jetë komandant i FSK-së deri më 22 nëntor 2011, kur edhe gjeneral Lejtnant Sylejman Selimi doli në pension nga FSK-ja.

Ai u lind më 25 Shtator 1970 në fshatin Açarevë të Drenicës.

Shkollën fillore e përfundoi në fshatin e tij të lindjes derisa atë të mesme e përfundoi në qytetin e Klinës dhe i vazhdoi studimet në Fakultetin e Minierave dhe Metalurgjisë në Mitrovicë të Kosovës.

Kadri Kastrati

Derisa atë kohë (2011) ish-presidentja Atifete Jahjaga, caktoi ish-Drejtorin e Operacioneve Gjeneral Majorin Kadri Kastrati për ta pasuar atë si Komandant të forcës të cilën e përfundoi në vitin 2015.

Ai u lind më 15 mars 1960 në fshatin Katunishtë ish-Velikorekë, Komuna e Podujevës.

Kadri Kastrati, shkollën fillore e kreu në vendlindje e të mesmen ushtarake ka përfunduar në Split, Republika e Kroacisë, në vitin 1981. Fakultetin e Mbrojtjes së Përgjithshme Popullore e ka përfunduar në vitin 1987 në Sarajevë, Republika e Bosnjës dhe Hercegovinës. Në vitin 2012 diplomon dhe merr titullin magjistër në lëmin e sigurisë, më saktësisht në “Menaxhimin e katastrofave në Republikën e Kosovës dhe rajon”. Ai ishte edhe pjesë e luftës në vitet 1998 – 1999, ka qenë Zëvendëskomandant në Zonën Operative të Llapit (ZOLL).

Rrahman Rama

Në vitin 2015, pas Kadri Kastrati në krye të ushtrisë emërohet Rrahman Rama, Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Rama u lind më 1970, në fshatin Akrashticë të Komunës së Vushtrrisë

Ai e kishte të përfunduar shkollën e mesme në Vushtrri. Ndërsa, fakultetin me program trevjeçar e filloi në vitin 2011 në moshën 41 vjeçare, ndërsa e përfundoi në vitin 2014, në programin Menaxhment i përgjithshëm ndërkombëtar në Prishtinë, por në faqen zyrtare mungon informacioni se në cilin kolegj apo universitet e ka mbaruar atë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat