Mulliqi i reagon Haradinajt: Ikjet nga vendi nuk kanë filluar me Qeverinë Kurti

Politika

Mulliqi i reagon Haradinajt: Ikjet nga vendi nuk kanë filluar me Qeverinë Kurti

Nga: A.SH Më: 9 janar 2022 Në ora: 22:42
Ramush Haradinaj

Kryetari i AAK-së, Haradinaj ka kritikuar qeverinë Kurti për ikjen e qytetarëve nga vendi, duke thënë se 56000 qytetarë të Kosovës për një muaj kanë aplikuar për viza pune për të dalë jashtë vendi, vetëm në njërën nga ambasadat.

“Ata duan të ikin sepse qeveria nuk po tregon aftësi për ringjalljen ekonomike, përkundrazi, po e fundosë dita ditës edhe më shumë ekonominë edhe ashtu në krizë”, ka thënë Haradinaj.

E, këtë situatë e ka komentuar analisti Skënder Mulliqi gjatë një prononcimi për “Bota sot”.

Ai ka thënë se, kjo nuk i faturohet qeverisë Kurti sepse ikjet nuk kanë filluar me të, këto ishin prodhim i qeverive të kaluara të cilat nuk punuan për të mirën e përgjithshme.

“Kriza ekonomike, varfëria dhe largimet masovike nga Kosova nuk kanë filluar me qeverinë Kurti. Për 20 vite kemi pasur lloj-lloj të krizave të cilat ishin prodhim të qeverive te kaluara, të cilat qeveri nuk punuan mirë dhe për të mirën e përgjithshme. Nuk punuan për mirëqenie dhe për zhvillim, punuan për t’i realizuar më shumë interesat e tyre personale. Shkalla e atyre që kërkuan punë ishte e lartë, siç ishte edhe largimi nga Kosova në mungesë të perspektivës. Janë ende të freskëta pamjet nga stacionet e autobusëve të mbushur plotë me familjarë të cilët ikën për një jetë më të mirë në botën perëndimore. Kurrë tema e të ikurëve nuk është elaboruar në Kuvendin e Kosovës. Për shumë vite kemi pasur stagnime të proceseve zhvillimore ekonomike dhe sociale. Nuk u hartua nga qeveritë e kaluara ndonjë plan afatgjatë zhvillimor, e as ndonjë planifikim për hapje te reja të vendeve te punës për rininë tonë. Shumëçka u keqpërdor gjatë këtyre viteve duke i sjellë shumicën në gjendje të vështirë sociale, të cilët mezi i kanë lidhur dy skajet e një muaji për të mbijetuar”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, aplikimi nëpër ambasada nga qytetarët e ka një histori pak më të gjatë, duke shtuar se, ky interesim i Haradinajt është dashur të bëhet edhe në kohën kur ndodhi para disa vitesh largimi me përmasa të mëdha, ku njerëzit ikën përmes kufirit me Hungarinë në shtetet perëndimore.

“Ne, edhe tash siç thotë Haradinaj kemi largime nga Kosova, por këto janë më shumë si pasojë e gjendjes së krijuar nga ata që deri më sot ishin në pushtet. Një shifër kaq e madhe prej 56000 mijë vetave të cilët kanë aplikuar për viza pune për të dalë jashtë vendit në njërat nga ambasadat e huaja, sigurisht se ka një histori pak më të gjatë, jo për të arsyetuar në asnjë mënyrë. Dihet se Kosova si e gjithë bota gati që tre vite po përballet me pandeminë globale, e cila bëri që mos të punojnë apo të punojnë kohë pas kohe ambasadat e huaja në Prishtinë. Dhe, për tre vite janë grumbulluar edhe kërkesat e paraqitura për viza të punës. Ky interesim i Haradinajt nuk ka gjë të keqe për mua që bëhet, por që është dashur të bëhet edhe në kohën kur na ndodhi para disa vitesh largimi me përmasa të mëdha, ku njerëzit ikën përmes kufirit me Hungarinë në shtetet perëndimore. Madje, jemi dëshmitarë të gjithë se patën humbur jetën edhe një familje në një lum kufitar. Nuk mund të kemi shtet stabil, pa stopim të ikjeve duke i krijuar kushtet paraprake, që rinia mos të largohen nga vendlindjet e tyre”, thekson ai.

Si përfundim, Mulliqi keqpërdorimet e ndryshme të pozitës shoqërore dhe politike janë indikatori kryesor më duket mua, që njerëzit po largohen nga Kosova sidomos gjenerata e fundit e kanë humbur perspektivën e jetës duke pritur se kur po bëhët mirë.

“Këto mundësi i kemi pasur dhe i kemi sikur të ishte menaxhuar më mirë dhe ndershmërisht, duke filluar nga pushtetet lokale deri të niveli qendror. Kjo nuk u bë kurrë në masë të duhur dhe tash, e kemi një gjendje, kur ky proces i largimeve do të jetë më i vështirë të menaxhohet, se është humbur besimi moti në institucionet e shtetit. Edhe kjo qeveri duhet të angazhohet shumë më tepër që mos të kemi largime masovike nga vendi. Tema e ikjes u takon të gjithëve, edhe opozitës në këtë rast. Keqpërdorimet e ndryshme të pozitës shoqërore dhe politike janë indikatori kryesor më duket mua, që njerëzit po largohen nga Kosova. Gjenerata të tëra e humbën perspektivën e jetës duke pritur se kur po bëhet mirë për të jetuar në Kosovë”, përfundon analisti Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat