Çfarë garancie do të kërkojnë Mirosllav Lajçak dhe Gabriel Escobar nga Albin Kurti?

Politika

Çfarë garancie do të kërkojnë Mirosllav Lajçak dhe Gabriel Escobar nga Albin Kurti?

Nga: P.R Më: 26 janar 2022 Në ora: 15:44
Mirosllav Lajçak dhe Gabriel Escobar

I dërguari i posaçëm për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë javës së ardhshme do të qëndrojnë në Kosovë dhe Serbi.

Kjo është konfirmuar nga Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili tha se qëllimi i kësaj vizite do të jetë angazhimi për vazhdimin e dialogut për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë.

E përgjegjësinë për ngecje në procesin e dialogut, Borrell e barti më shumë te zyrtarët e Kosovës.

“Dua t’ia bëj të qartë Kosovës se dialogu nuk zhvillohet për shkak të dialogut, por për shkak se është kyç në përparimin në rrugëtimin evropian. Së bashku me Lajçakun do të vazhdojmë të përgatisim takimin e radhës, por kjo do të ndodhë vetëm nëse të dyja palët merren vesh rreth rezultateve pozitive dhe konkrete. Prandaj unë dhe Lajçak do të vazhdojmë të angazhohemi me palët, e posaçërisht me Kosovën, e cila po dëshmon më shumë jogatishmëri për t’u ulur në tryezë”, tha Borrell.

E sipas analistit politik, Nexhat Haziri, kjo vizitë Lajçakut dhe Escobarit vijë pas stagnimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Image
Nexhat Haziri

“Vizita e të dërguarit të posaçëm për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në Kosovë e paralajmëruar Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, do të jetë një vizitë që ka për qëllim vlerësimin e gatishmërisë së palës së Kosovës sa i përket procesit të dialogut me Serbinë, proces ky që ka stagnuar që një kohë, e që për mendimin tim është një proces i rëndësishëm për të dy shtetet, por edhe për komunitetin ndërkombëtar për ta mbyllur këtë çështje e cila po i mban peng të dy shtetet në agjendat e tyre për integrim në BE”, thotë Haziri për “Bota sot”.

Sipas tij, Lajçak dhe Escobar do të kërkojnë garanci nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti për dialogun me Serbinë.

“Unë pres që nga kjo vizitë presioni të shtohet te kryeministri Kurti nga i cili të dy emisarët ai Lajçak dhe Escobar, do të kërkojnë garanci nga kryeministri Kurti për qasje më serioze ndaj procesit të dialogut me Serbinë, pasi ka një përshtypje, edhe pse jo e drejtë tek Brukseli, se Kosova është ajo që po i bënë obstruksione dialogut me Serbinë, siç thuhet për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve”, shprehet Haziri.

Ndër tjerash, Haziri thotë se një nga temat që do të shqyrtohet është edhe pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në zgjedhjet në Serbi.

“Mendoj që një nga temat që do të bisedohet nga dy emisarët me kryeministrin Kurti, do të jetë edhe gjetja e mundësisë për procesin e zgjedhjeve në Serbi, dhe mundësinë dhe mënyrës së pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në këto zgjedhje, pas zhvillimeve që patëm më referendumin për ndryshime kushtetuese të Serbisë, që nuk u lejua të mbahej edhe në Kosovë”, thekson Haziri.

Për fund, analisti Haziri deklaron se vizita e Lajçakut dhe Escobarit do të jetë më shumë presion ndaj Kosovës, se sa ndaj Serbisë.

“Pra nuk pritet ndonjë gjë e veçantë nga kjo vizitë, për shkak edhe të proceseve të brendshme që pritet të zhvillohen në Serbi, siç janë zgjedhjet e përgjithshme dhe ato presidenciale, por do të jetë një vizitë në njërën anë informuese por edhe e presionit ndaj Kosovës sa i përket këtij procesi. Pasi nuk ka ndonjë agjendë të veçantë as në Bruksel për ndonjë takim në mes Vuçiqit dhe Kurtit që prapë nuk do të prodhonte diçka serioze me ndonjë marrëveshje, për arsyet që i cekëm pak më lartë të zgjedhjeve që do të mbahen në Serbi”, përfundon analisti poltik, Nexhat Haziri për “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat