“Kryeministri Rama nuk mund ta zgjedhë presidentin me “teke” të tij”

Politika

“Kryeministri Rama nuk mund ta zgjedhë presidentin me “teke” të tij”

Nga: M.H Më: 28 janar 2022 Në ora: 11:22
Edi Rama dhe Ilir Meta

Kryeministri Rama në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste,u shpreh se në harkun kohor të këtyre zhvillimeve, në muajin prill duhet ta zgjedhin Presidentin e Republikës dhe se do ta zgjedhë ky Grup parlamentar në radhë të parë.

Rama nuk e përjashtoi mundësinë e një zgjedhje të presidentit nga diaspora.

“Nuk do të bjerë nga qielli, me siguri do gjendet mes nesh këtu, në mes nesh në territorin e Republikës së Shqipërisë apo në territorin shpirtëror të Kombit tonë, sepse mund të jetë edhe jashtë Republikës së Shqipërisë, por e kemi detyrim që t’i japim asaj zyre mundësinë që për 5 vitet e ardhshme të ketë një njeri normal, një qytetar normal, një figurë moralisht dhe profesionalisht normale”, u shpreh Rama.

Në lidhje me këtë temë analisti politik Florim Zeqa në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë se ky propozim i Ramës të kujton deklaratën që ai e kishte bërë para katër viteve.

Sipas analistit zgjedhja e presidentit bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet andaj Rama duhet ta ketë parasysh këtë.

Image
Florim Zeqa

Propozimi i kryeministrit Edi Rama, që një president i Shqipërisë mund të jetë dikush që nuk është vetëm nga Shqipëria, të kujton deklaratën e tij të katër viteve më parë “për një president të përbashkët Kosovë-Shqipëri”! Shqipëria si një shtet sovran dhe i pavarur, zgjedhjen e drejtuesve shtetëror duhet ta bëjë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet që burojnë prej saj. Në Kushtetutën e Republiks së Shqipërisë është e përcaktuar qartë mënyra e zgjedhjes së presidentit. Çdo tendencë e ikjes nga rregullat e përcaktuara për zgjedhjen e presidentit nga Edi Rama janë të jashtëligjshme dhe antikushtetuese”, thotë ai.

Analisti më tej thotë se presidenti nuk mund të zgjidhet sipas tekeve të Ramës.

Presidenti i Republikës sipas Kushtetutës së Shqipërisë është kryetari i shtetit e jo kryetar i të gjithë shqiptarëve. Andaj, për zgjedhjen e presidentit të Shqipërisë sipas shijeve dhe tekeve të kryeministrit aktual, Shqipëria paraprakisht duhet të ndërrojë kushtetutën dhe sistemin qeverisës parlamentar, respektivisht kalimin në sistemin monarkist”, shprehet Zeqa.

Nga ana tjetër analisti përmend disa nga kriteret që një president i ardhshëm duhet të ketë duke shtuar që Rama po kërkon dikë që përkrahë “Ballkanin e Hapur”.

Siç dihet kushtet për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë janë të përcaktuara në nenin 86 të Kushtetutës.

Sipas këtij neni Presidenti i Republikës është kryetar shteti dhe përfaqëson unitetin e popullit. Si president mund të zgjidhen vetëm personat me moshën mbi 40 vjeçare me shtetësi shqiptare nga lindja dhe që së paku dhjetë vitet e fundit i kanë kaluar në Shqipëri.

Dëshira e Edi Ramës që të kalojë kufijtë e shtetit shqiptar për zgjedhjen e presidentit duket të jetë tendencioze për mbulimin e dështimeve apo më mirë të themi të veprimeve antikombëtare me “Mini Shëngenin” e transformuar në “Ballkani i Hapur” i cili cenon interesat e shqiptarëve në Ballkan, e në veçanti të Republikës së Kosovës, e cila përveç mungesës së respektit ndaj shtetasve kosovar, e rrezikon Kosovën të kthehet nga një shtet sovran në koloni të Serbisë”, theksoi analisti.

Në vazhdim Zeqa potencoi që zgjedhja e presidentit duhet të bëhet ekskluzivisht nga personalitete unifikuese brenda kufijve shtetërorë dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën.

Edhe pse në kaluarën kemi pasur përvoja (të panevojshme) të emërimit të ministrave në të dy qeveritë shqiptare (Kosovës dhe Shqipërisë) jashtë kufijve shtetërorë, zgjedhja e presidentit duhet të bëhet ekskluzivisht nga personalitete unifikuese brenda kufijve shtetërorë dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën. Ndryshe, jo që nuk do të fuqizohemi asnjëherë si dy shtete shqiptare në Ballkan, do të dalim qesharak para botës dhe do të mbetemi të papërfillshëm nga bashkësia ndërkombëtare”, potencoi ai.

Në fund analisti thotë se Shqipëria dhe Kosova mund të vazhdojnë bashkëpunimin mes veti pa “huazuar” presidentët siç po synon Rama.

"Shqipëria dhe Kosova e ndihmojnë njëra tjetrën duke bashkëpunuar në mënyrë reciproke si dy shtete të pavarura shqiptare në Ballkan e jo duke i “huazuar” presidentët, ministrat apo kryeministrat siç pretendon Edi Rama me privatizimin e institucioneve shtetërore të Republikës së Shqipërisë”, përfundoi Zeqa për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat