“Asgjë nuk duhet lejuar askujt pa reciprocitet”/ Kelmendi kërkon që shqiptarët e Luginës të trajtohen baras me serbët në veri

Politika

“Asgjë nuk duhet lejuar askujt pa reciprocitet”/ Kelmendi kërkon që shqiptarët e Luginës të trajtohen baras me serbët në veri

Nga: A.SH Më: 16 shkurt 2022 Në ora: 14:51
Foto ilustrim

Në Kosovën Lindore e cila është e banuar me shqiptarë, kanë nisur të fshihen gjurmët në gjuhën shqipe, madje edhe ato të informacionit.

Këtë e ka bërë të ditur ditë më parë aktivistja Flora Ferati-Sachsenmaier, e cila ka thënë se, “Partia në pushtet SNS vazhdon t’i heqë tabelat dygjuhëshe në Komunën e Medvegjës. Gjuha shqipe po hiqet sistematikisht nga të gjitha shenjat e informacionit (objektet e kujdesit shëndetësor, emrat e rrugëve, informacionet turistike)”.

Juristi Muhamet Kelmendi, ka thënë se Kosovës ndër vite i është ngushtuar territori, sepse të gjitha vendet i ka asimiluar Serbia duke dëbuar shqiptarët nga tokat dhe pronat e veta.

“Kosova si një krahinë më e madhe e Shqipërisë, nga gjerësia gjeografike, që i kishte mbi 35 mijë km. katror, ka ardhur nga Kongresi i Berlinit duke u ngushtuar, saqë sot i ka vetëm 10 mijë e 700 km. katror. Nga sipërfaqja e humbur mbi 20 mijë km në katror, janë asimiluar nga ana e Serbisë. Ndjekjet dhe vrasjet e shqiptarëve në Toplicë, në Leskovc, në Pirot, në Nish etj, duke i dëbuar nga ato vende dhe duke sjellur kolonë, ka bërë që brenda periudhës disa vjeçare, ajo hapësirë të serbizohet. Dëbimet e shqiptarëve kanë qenë temë edhe në Kongresin e Berlinit më 1878. Aty u vendos që shqiptarët e dëbuar të rikthehen në tokat dhe në shtëpitë e veta apo të bëhet kompensimi adekuat nga Serbia. Këto nuk u bën kurrë”, ka thënë ai.

Ai më tej përmend edhe masat shoviniste, duke thënë se Serbia kishte qëllim që të rriste strukturën nacionale serbe në Kosovë dhe futja e Medvegjës, Bujanovcit dhe Preshevës nën administrimin e Serbisë.

“Masat shoviniste dhe raciste serbe kanë vazhduar edhe para Luftës së Parë Botërore, midis dy Luftërave Botërore dhe pas saj. Kudo u veprua me masa vrastare raciste për të shkombëtarizuar territoret shqiptare. Viti 1957 shënon datën më të dëmshme për Medvegjën, Bujanovcin dhe Preshevën. Në këtë vit Serbia bëri shkëmbimin e këtyre komunave me Leposaviqin me rrethinë. Qëllimi ishte rritja e strukturës nacionale serbe në Kosovë dhe futja e Medvegjës, Bujanovcit dhe Preshevës nën administrimin e Serbisë. Futja e tillë ka ndikuar dukshëm në përshpejtimin e masave serbizuese të këtyre komunave. Në vitin 1957 kishim një strukturë nacionale 92 me 10 % shqiptarë, ndërsa tash në Medvegjë flitet vetëm për popullin serb. Gjendja më e mirë nuk është as në Preshevë dhe në Bujanovc. Nëse kështu vazhdon gjendja pritet që brenda kësaj dekade të kemi serbizim të plotë të Luginës së Preshevës”, shpjegon juristi.

Ai për këto zhvillime negative e zë “fajtor” Tiranën, e cila është pjesë e KE-së, dhe asnjëherë nuk u paraqit kurrë gjendja e shqiptarëve në Luginë. Madje edhe Shqipëria është pjesë e “Ballkanit të hapur”, as aty nuk është kërkuar që të respektohen të drejtave e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke qenë se Serbia po e ndalon gjuhën shqipe atje.

“E keqja është se as Tirana dhe as Prishtina nuk po merren me këtë pjesë të popullit tonë. Flitet për "Ballkan të Hapur" me shtetin serb dhe maqedon të Shqipërisë, ndërsa Serbia ndalon edhe gjuhën shqipe në territoret etnike shqiptare. As këtu nuk u kërkua nga Tirana respektimi i të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Shqipëria është anëtare e KE-së, as aty nuk u paraqit kurrë gjendja e shqiptarëve në Luginë. Kurrë nuk dëgjuam nga Tirana qëndrime të qarta mbi Luginën e Preshevës. Asnjëherë nuk u paraqit kjo çështje në bazë të normalizimit të marrëdhënieve të Tiranës me Beogradin. Këto territore janë lënë jashtë interesave të shtetit shqiptar. Pse?!”, pyet ai.

Edhe për Prishtinën, juristi thotë se nuk e ka paraqitur në Bruksel çështjen e Luginës. Sipas tij, nuk duhet lejuar asnjë privilegj për Serbinë, andaj asgjë nuk duhet lejuar pa reciprocitet.

“Ndërsa, Prishtina, as në takime me shtetin serb, as në Bruksel dhe askund nuk e paraqiti çështjen e Luginës së Preshevës. Është e pakapshme mos futja e reciprocitetit në raport me shtetin serb në çështjen nacionale. Asgjë nuk duhet lejuar askujt pa reciprocitet. Shqiptarët e kanë një minoritet në Luginë, sikurse Serbia në veri. Barazia politike, shoqërore e socio-ekonomike është faktori kryesor në ndërtimin e çfarëdo raporti ndërshtetëror. Serbisë nuk duhet lejuar asnjë privilegj”, përfundon Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat