Ndëshkimi financiar, a do t’i disiplinojë deputetët!?

Politika

Ndëshkimi financiar, a do t’i disiplinojë deputetët!?

Nga: A.Z Më: 24 shkurt 2022 Në ora: 15:13
Foto ilustrim

Dje gjatë seancës plenare në Kuvend, është votuar një vendim i rëndësishëm, me ç’rast tani e tutje, deputetët që mungojnë në seanca do të sanksionohen edhe financiarisht. Këtë e ka mundësuar votimi i Rregullores së re të Kuvendit.

Adnan Rrustemi, kryetar i Komisionit për Legjislacion ka thënë se shuma e dënimit do të saktësohet nga Kryesia e Kuvendit.

Rrustemi shtoi se tash do të formohet edhe Konferenca e Shefave të Grupeve Parlamentare, që bashkë me Kryesuesin e Kuvendit do të mbajnë mbledhje të rregullta, për t’i përpiluar politikat e Kuvendit, e po ashtu edhe do t’i caktojë seancat.

Lidhur me këtë, ka reaguar juristi Muhamet Kelmendi, i cili në një prononcim për “Bota sot”, është shprehur se mjet i funksionimit të Kuvendit është ndëshkimi, madje sipas tij, disa nga mënyrat e përgjegjësisë së deputetit janë përgjegjësia financiare, ndëshkimi për rrahje në Kuvend, dhe deri tek pushimi i mandatit të tyre.

“Ndëshkimi është mjet i funksionimit të Kuvendit. Edhe në rregulloren e vjetër të hartuar që në legjislacionin e parë ka qenë e përcaktuar përgjegjësia financiare dhe largimi nga Kuvendi i deputetit. Tash është futur edhe më ashpër përgjegjësia e deputetit. Janë tri mënyra të përgjegjësisë së deputetit në Kuvend: E para, përgjegjësia financiare, ku mos shkuarjen në Kuvend, nëpër seanca apo në komisione më shumë se tri herë dënohet me të holla. Ka qenë dënimi për seancë 30 euro. Së dyti rrahjet në Kuvend, veprimet antiligjore në elemente të veprës penale, dërgojnë te përjashtimi nga Kuvendi i deputetit dhe së treti, mungesa mbi 6 muaj nëpër seancat parlamentare, dërgon te pushimi i mandatit të deputetit”, thotë Kelmendi.

Më tej u shpreh se e keqja e gjithë kësaj është se deputeti edhe pse e nënshkruan seancën, prapë largohet, gjë që i llogaritet e tërë seanca, sipas Kelmendit, edhe në këtë rast kërkohen masa dënuese.

“Kuptohet se mos funksionimi i Kuvendit vjen kryesisht nga Kryesia e Kuvendit dhe nga Kryetari i tij. Nga Kryesia lindin temat e punës dhe caktohet rendi i ditës. Këtej, vjen në shprehje edhe përgjegjësia financiare për mospjesëmarrje nëpër seanca. E keqja është se nuk po shikohet pjesëmarrja deri në fund e deputetëve. Deputeti shkon në seancë dhe e nënshkruan pjesëmarrjen. E lëshon seancën dhe nuk kthehet më. Këtij po i llogaritet tërë seanca. Këtu kërkohen masa dënuese. Deputeti kërkohet të qëndrojë në seancë deri në fund. Përndryshe kalon në ndëshkim financiar. Kuptohet se rregullorja nuk e zgjidhë, ndoshta çështjen, kur ka mungesë të përgjegjësisë së deputetit apo mungon vetëdija e tij si përfaqësues i popullit. Kur këto nuk janë, vjen në veprim vetëm ndëshkimi financiar”, shtoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat