Zgjidhja e çështjes së hapësirës ajrore, interes vital për sigurinë kombëtare

Politika

Zgjidhja e çështjes së hapësirës ajrore, interes vital për sigurinë kombëtare

Nga: M.L. Më: 15 mars 2022 Në ora: 16:04
Foto ilustrim

Hapësira ajrore mbi Kosovën mbetet e hapur për Rusinë, pavarësisht kërkesës së institucioneve të Kosovës për mbyllje të saj.

Pas situatës së krijuar me luftën në Ukrainë, institucionet e Kosovës i kanë kërkuar NATO-s mbylljen e hapësirës ajrore të Kosovës për Rusinë.

Mirëpo nga NATO kanë deklaruar se Komandanti i KFOR-it ruan autoritetin parësor për përdorimin e hapësirës ajrore mbi Kosovë, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999.

“KFOR-i mbetet plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij të OKB-së për të siguruar mjedis të sigurtë dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, kishte deklaruar një zyrtar i NATO-s”, thuhej në një përgjigje nga NATO.

Fakti që hapësira ajrore e Kosovës kontrollohet nga Hungaria, shtet ky i cili ka mbajtur qëndrime hezituese sa i përket sanksionimit të Rusisë, pas luftës me Ukrainën e bën paksa të pasigurt gjendjen në Kosovë.

Lidhur me këtë, Mentor Tahiri ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare, ka thënë për gazetën “Bota sot” se fakti që Kosova nuk ka sovranitet mbi hapësirën e lartë ajrore mbi 6.250 metra, është i ndërlidhur ngushtë me autoritetin e KFOR-it në Kosovë.

Kjo sipas tij, përveç anëve pozitive i ka edhe ato negative që kanë të bëjnë me sovranitetin e kufizuar të vendit tonë.

Kjo natyrisht sjell disa benifite për Kosovën, për shkak se siguria e hapësirës ajrore garantohet nga aleanca më e madhe ushtarake në botë. Por, ka edhe anët negative e që ndërlidhen me sovranitetin e kufizuar të Kosovës lidhur me hapësirën ajrore.

Kosova e ka të qartë pozicionim e saj gjeopolitik, por jo të gjitha shtetet janë alarmuar mjaftueshëm për rrezikun ushtarak rus. Lufta në Ukrainë ka komplikuar përgjithësisht raportet politike dhe ushtarake në botë. Kjo determinon edhe marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet shteteve, sikurse edhe raportet ndërmjet Hungarisë dhe Rusisë, të cilat së paku deri më tani janë cilësuar shumë të afërta, por ka një tendencë ndryshimi”, ka treguar Tahiri.

“Qeveria e Kosovës duhet ta sensibilizojë çështjen e hapësirës ajrore me diplomaci”

Ai ka theksuar se ndonëse mbyllja e hapësirës ajrore për Rusinë aktualisht nuk paraqet ndonjë rrezik të drejtpërdrejtë, ndërsa gjërat mund të komplikohen në rast se vazhdon të ketë një kontinuitet të hapësirës manovruese që hipotetikisht mund përfshijë hapësirën mbi territoret e pushtuara të Ukrainës, Hungarinë dhe Serbinë.

Qeveria e Kosovës duhet të sensibilizojë çështjen e hapësirës ajrore me diplomaci të matur si një çështje me interes vital për sigurinë kombëtare, përfshirë këtu edhe sqarimin lidhur me pozicionin e kompanisë HungaroControl, e cila në cilësinë e kontraktuesit kryen shërbimet për KFOR-in. Bëhet fjalë për operator, i cili është në tërësi aset i shtetit hungarez, një nga shtetet e para që e ka pranuar Pavarësinë e Kosovës”, thekson ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat