Në kryeqytetet evropiane bien kambanat e alarmit për rrezikun e destabilizimit të Ballkanit nga aleanca serbo-ruse

Politika

Në kryeqytetet evropiane bien kambanat e alarmit për rrezikun e destabilizimit të Ballkanit nga aleanca serbo-ruse

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 29 mars 2022 Në ora: 16:22
Foto ilustrim

Agresioni rus mbi Ukrainën që po zhvillohet qe më shumë se një muaj ka ngjallur reagime të ashpra ndërkombëtare. Janë të pakta shtetet, të cilat e përkrahin Rusinë në terrorin që po e ushtron në Ukrainë. Në mesin e këtyre shteteve është edhe Serbia, e cila për më tepër nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, siç kanë bërë shumica e shteteve në botë.

Kjo ka ngjallur edhe frikën për një front të dytë lufte në Ballkan. Bosnja dhe Hercegovina po përjeton krizën më të madhe në historinë e saj, gjersa Millorad Dodik së fundi është takuar me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov.

Rusia ka vite që mbështet separatistët serbë në Bosnje dhe Hercegovinë. Qetësi nuk ka as në Kosovë, veçanërisht në pjesën veriore, ku shteti sfidohet në mënyra të ndryshme. Mjafton të kujtojmë këtu pjesëtarët e Listës serbe dhe vartës institucional që morën pjesë në Mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Serbisë.

Edhe një dokument strategjik i BE-së, e konsideron si të punë të pakryer çështjen e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Dokumenti strategjik i BE-së

Siguria e Ballkanit Perëndimor nuk mund të merret si punë e kryer, thuhet në një dokument strategjik të Bashkimit Evropian (BE).

Javën e kaluar, ministrat e jashtëm dhe ata të mbrojtjes të shteteve anëtare të BE-së kanë miratuar në takimin e tyre në Bruksel dokumentin strategjik për vizionin e sigurisë në dhjetëvjeçarin e ardhshëm të titulluar si “Kompasi strategjik”.

Edhe pse puna në përpilimin e këtij dokumenti kishte nisur para dy vjetësh, agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës ka zënë vend në këtë dokument dhe ka ndikuar edhe në versionin përfundimtar të tij, thuhet në një shkrim të REL-it, përcjell “Bota sot”.

Situata dhe sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, sidomos kriza e brendshme në Bosnje e Hercegovinë dhe dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, janë përmendur po ashtu në këtë dokument strategjik të BE-së.

Në këtë dokument thuhet se “siguria dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor nuk mund të nënkuptohet si punë e kryer”. Si sfida të sigurisë përmenden ndikimet e faktorëve të jashtëm, përfshirë edhe përmes fushatave të dezinformimit, por edhe mundësia që kriza në Ukrainë të bartet edhe në Ballkan dhe në pjesë të tjera të Evropës.

“Në këtë drejtim, me interes të veçantë është që të mbështetet sovraniteti, uniteti dhe integriteti territorial i Bosnjë e Hercegovinës, i bazuar në barazinë dhe mosdiskriminimin e të gjithë qytetarëve dhe popujve konstitutiv, ashtu siç është thënë edhe në Kushtetutën e Bosnjë e Hercegovinës, sikurse edhe procesi i reformave në rrugëtimin evropian dhe të çojmë përpara dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në këtë dokument.

Gazeta “Bota sot” lidhur me këtë çështje ka diskutuar me ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Bytyçi: Serbia është bëtë më agresive se kurrë

Image
Enver Bytyçi, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare

 

Enver Bytyçi, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare thotë për “Bota sot” se është e natyrshme që Bashkimi Evropian dhe SHBA-të, si edhe NATO të shqetësohen për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit e sidomos të Ballkanit Perëndimor.

Kjo pasi sipas tij, po bëhet një çerek shekulli që kur kanë mbaruar luftërat në ish-Jugosllavi dhe ende konfliktet ekzistojnë në këtë rajon.

“Tani mbas kaq kohe ka ardhur momenti që nacionalizmi serb të rigjallërohet dhe të shkaktojë tragjedi të reja te popujt e Ballkanit. Sigurisht që për Serbinë në disa pikëpamje është sot më e vështirë sesa para 23 vitesh. Por ajo ka krijuar dhe një komoditet të ri në aleancë dhe në mbështetje të Kremlinit dhe presidentit rus, Vladimir Putin”, ka thënë Bytyçi.

Sipas tij, Bashkimi Evropian dhe strukturat e institucionet e shteteve perëndimore kur flasin për pasigurinë e një rajoni të kontinentit tonë, kanë parasysh shumë rrethana.

Ai rikujtoi se Serbia po fuqizohet gjithnjë e më shumë nga pikëpamja ushtarake, gjithnjë me ndihmën e Rusisë dhe të Kinës.

“Ajo është bërë më agresive se kurrë. Madje më agresive se në periudhën e diktatorëve bolshevikë si Stalini dhe Brezhnjevi. Moska po kërcënon sigurinë evropiane dhe planetare e për pasojë pjesë e këtij kërcënimi është sidomos Ballkani, sepse në këtë hapësirë gjeopolitike Rusia ka Serbinë si shkopin e saj magjik”, ka thënë profesori.

Në Bruksel dhe kryeqytetet e tjera evropiane të bien kambanat e alarmit për këtë rrezik

Ai ka shtuar edhe faktin që Beogradi nuk pranon të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

“Është i vetmi vend evropian që e bën këtë. Aq më tepër që Serbia ka përfunduar bisedimet e integrimit me Brukselin për shumë kapituj. Rusia dhe Serbia së bashku po punojnë për të destabilizuar Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjë Hercegovinën. Edhe deklaratat e udhëheqësve serbë se në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e tre prillit dhe se kjo do të funksionojë me struktura paralele të komisionarëve, janë përpjekje për destabilizimin e Kosovës. Ndërsa në BH po mbështetet hapur Milorad Dodik e në Mal të Zi po bëhen përpjekje për të provokuar trazira me rastin e refuzimit të zgjedhjeve serbe të 3 prillit edhe në qytete ku nuk banojnë serbë”, ka thënë profesori.

Ai ka shtuar se të gjitha këto ngjarje janë të mjaftueshme për të pasur dhe shprehur një shqetësim të tillë nga Bashkimi Evropian.

“Dhe është mirë që në Bruksel dhe kryeqytetet e tjera evropiane të bien kambanat e alarmit për këtë rrezik. Por, dokumenti strategjik bazohet gjithashtu në të dhëna dhe informacione informale. Ato që përmenda më lart janë fakte që duket dhe lexohen në publik. Ka elementë të tjerë të të dhënave, të cilat publiku nuk I njeh, por që shërbimet perëndimore i posedojnë. Jam I bindur se në këto raporte e informacione të BE-së dhe SHBA-ve ka të dhëna shqetësuese e serioze për praninë e ndikimit dhe provokimit ruso-serb në rajon”, ka nënvizuar ai.

Autoritetet e Brukselit po i legjitimojnë provokimet e Beogradit

Mirëpo sipas profesorit, bazuar në këto informata autoritetet e Brukselit shpesh herë gabojnë kur u kërkojnë udhëheqësve të rajonit të përkëdhelin interesat, provokimet, qasjet destruktive dhe sedrën e Aleksandër Vuçiq.

“E përkëdhelën edhe në rastin e fundit, kur Beogradi kërkoi votime në Kosovë e Mal të Zi për parlamentin dhe presidentin e Serbisë. Madje po e kritikojnë refuzimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për ta pranuar kërkesën e Serbisë për këto zgjedhje. Kjo qasje është e gabuar, sepse legjitimon provokimet e Beogradit dhe madje edhe atë që në Serbi e konsiderojnë si e "drejtë sovrane mbi Kosovën"! Në këtë mënyrë I jepet fuqi politike e diplomatike të gabuar autoriteteve serbe”, ka shtuar ai.

Për profesorin, janë pikërisht këto lëshime të dy dekadave të fundit e kanë bërë Serbinë destruktive dhe kërcënim për stabilitetin në Europën Juglindore.

"Mos harrojnë se kësaj sfere i përket edhe Moldavia, një pjesë e territorit të së cilës e kontrollon Kremlini. Kjo do të thotë se mund të vihet në veprim një korridor prorus për të lidh Serbinë me Rusinë. Ndërkaq në Beograd, përveç presidentit Aleksandër Vuçiq, janë thuajse të gjithë politikanët e vendit në avangardë të përpjekjeve për ta ndryshuar orientimin e Serbisë. Në fakt ky orientim do të ndryshohej, nëse Serbia do të integrohej në BE e NATO. Aleanca e saj me Rusinë është historike dhe deri më sot ka mbetur e tillë".

“Mësime historike nga agresioni rus”

Bytyçi është shprehur se, liderët politikanë të Serbisë, si Vulin, Daçiq etj janë më besnikë se Milosheviçi në shërbimet dhe lidhjet që demonstrojnë përkrah Moskës.

“Këta liderë sollën tragjedinë e dhjetëvjeçarit të fundit në ish-Jugosllavi dhe po këta sot janë protagonistë të kërcënimeve serioze ndaj sigurisë dhe paqes rajonale. Këto fakte njihen tashmë dhe lexohen drejt nga Bashkimi Europian dhe strukturat euro-atlantike. Por nuk mjafton që fakte të tilla të lexohen. BE dhe NATO besoj se do të nxjerrin disa mësime historike nga agresioni rus në Ukrainë dhe do të përcaktojnë një agjendë diplomatike imponuese për vendosjen e paqes e të sigurisë afatgjatë në Ballkanin Perëndimor. Deri atëherë qeveria e Kosovës, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, madje dhe Bosnjë-Hercegovina duhet të bëjnë shumë kujdes!”, përfundon ai.

Tahiri: Tani BE po ballafaqohet me paradoksin serb

Image
Politologu Mentor Tahiri

Kështu, politologu Mentor Tahiri, thotë për gazetën “Bota sot” se aktualisht BE-ja po ballafaqohet me paradoksin serb ku deklarativisht shprehen ambiciet për anëtarësim, kurse efektivisht përkrahet Rusia.

“BE-ja një kohë të gjatë nuk i ka parë konfliktet në afërsi të saj si konflikte, të cilat mund t’ia rëndojnë sigurinë vetë BE-së. Me hezitimin e saj lidhur me Ballkanin, BE-ja ua ka trasuar shteteve të pa integruara një rrugëtim sfilitës përplot me barriera burokratike. Madje integrimi në BE është parë konceptualisht i shkëputur nga integrimi në NATO, duke lejuar kështu që edhe shtete si Serbia të cilat deklarohen për “neutralitet” ushtarak, të shihen si partnere. Tani BE-ja po ballafaqohet me paradoksin serb ku deklarativisht shprehen ambiciet për anëtarësim, kurse efektivisht përkrahet Rusia”, thotë Tahiri.

Sipas tij, lufta në Ukrainë po dëshmon qartë se aleancat politike nuk mund të mbijetojnë pa komponentin e aleancës ushtarake.

“Bota perëndimore duhet te trajtojë anëtarësimin e vendeve ballkanike si në BE ashtu edhe në NATO me shumë prioritet. Jemi dëshmitarë se si anëtarësimet me kohë të Rumanisë dhe Bullgarisë kanë ndikuar pozitivisht, duke përmbyllur përgjithmonë edhe orientimin gjeostrategjik të këtyre shteteve”, është shprehur ai.

“Në regjion ka shtete që po vazhdojnë të jenë “agjent” destabilizimi dhe ngatërrestar gjeopolitik”

Tahiri thotë se, nëse do të ketë apo jo zhvillime destabilizuese në Ballkan, kjo varet shumë nga serioziteti me të cilin komuniteti ndërkombëtar i qaset Ballkanit.

“Sigurisht, shtetet të cilat kanë të paqarta orientimet politike dhe ushtarake, më nuk mund të trajtohen njëjtë me shtetet, të cilat e kanë shumë të qartë pozicionin e tyre sikurse vendi ynë. Republika e Kosovës e ka të qartë orientimin e saj dhe duke qenë se në regjion ka shtete që po vazhdojnë të jenë “agjent” destabilizimi dhe ngatërrestar gjeopolitik, tani i takon diplomacisë sonë që në këtë drejtim të alarmojë qendrat vendimmarrëse më shumë se kurdoherë”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat