“Thembra e Akilit”/ Lojërat e ndyra të Beogradit ndaj Kosovës

Politika

“Thembra e Akilit”/ Lojërat e ndyra të Beogradit ndaj Kosovës

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 31 mars 2022 Në ora: 08:02
Vladimir Putin dhe Aleksandar Vuçiq, foto ilustrim nga "Bota sot"

Serbia vazhdimisht gjen mënyra si ta provokojë Kosovën. Shpeshherë, liderët politikë të shtetit të Kosovës kanë përmendur para botës të bëmat dhe provokimet e Serbisë ndaj Kosovës.

I tillë është edhe rasti i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit.

Ajo në një shkrim të publikuar për "The Economist" ka folur për provokimet e Beogradit.

“Ndërsa sytë e botës me të drejtë janë në Ukrainë, këtu në zemër të Evropës, kemi një kërcënim domethënës që na rri mbi krye. Z. Putin ka ngulitur kthetrat e tij thellë në rajonin tonë përmes ndikimit që ushtron te aleati i tij, Serbia, e cila ka intensifikuar përpjekjet për të destabilizuar Kosovën, Bosnje Hercegovinën dhe Malin e Zi”, ka thënë ajo.

Po ashtu, ajo ka përmendur edhe rastin kur Serbia vendosi tanket dhe avionët pranë Kosovës.

“Qeveria në Beograd u ngut t’i vendoste tanket dhe avionët MiG rusë në kufirin tonë, dhe ambasadori rus i dha bekimin ushtrisë serbe nëse vendoste të hynte në Kosovë”, ka shkruar ndër të tjera Osmani.

Tërnava: Lufta mund të zgjerohet edhe në shtete tjera

Image
Njohësi i çështjeve të sigurisë dhe ish-zëvendësministri në Ministrinë e Brendshme, Hajrullah Tërnava

Njohësi i çështjeve të sigurisë dhe ish-zëvendësministri në Ministrinë e Brendshme, Hajrullah Tërnava, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se politikat serbe janë të lidhura dhe të koordinuara mirë me Rusinë.

“Situatat luftarake të krijuara në këto rrethana të luftës, tani edhe botërisht dihet, se politikat serbe janë të lidhura dhe të koordinuara mirë me Rusinë. Rusia për Serbinë është si i vetmi vend mik, që e llogarit në Ballkan. Duke e pasur parasysh situatën në të cilën tani gjendet Serbia dhe të kaluarat e saj të viteve 1990-1999 dhe shumë luftëra që i bëri me ato shtete, që dikur ishin nën një ombrellë të përbashkët që quhej Jugosllavi, dhe me ato politikat nacionaliste dhe luftërat që i bëri Serbia, e që u detyrua edhe NATO-ja për shkaqe humanitare të intervenojë ndaj saj, që ta shpëtoj një popull jo të mbrojtur, shqiptar”, thotë ai për “Bota sot”.

Po ashtu, Tërnava është shprehur se Rusia mund të llogaritë në Serbinë si shteti më i afërt i saj.

“Prandaj, Serbia tani është edhe si i vetmi shtet i afërt me Rusinë në Ballkan. Sipas llogarive të Rusisë e që iu nevojitet atyre, që ta kenë së paku një shtet të përafërt në Ballkan dhe Evrope, që munden me llogaritë në të është Serbia”, thekson ai.

Të ngritet niveli i gatishmërisë luftarake

Më tej, Tërnava e ka komentuar edhe pikëpamjet e presidentes Osmani të shprehura në "The Economist".

Ai e ka përkrahur Osmanin duke thënë se ajo ka folur ashtu siç i takon presidentes së Kosovës.

“Presidentja e Kosovës në një shkrim për "The Economist" thotë se “Qeveria në Beograd u ngut t’i vendoste tanket dhe avionit MiG rusë në kufirin tonë, dhe ambasadori rus i dha bekimin ushtrisë serbe nëse vendoste të hynte në Kosovë”. Deklarata e Presidentes Osmani si e para e shtetit që është prononcuar, ashtu si i takon një presidentit të shtetit të pavarur, sepse situata tani e krijuar që po mbretëron në tërë botën e sidomos tani kur ka luftë aktive mes Rusisë dhe Ukrainës”, thotë ai.

Duke u mbështetur në deklaratën e Osmanit, Tërnava shprehet se lufta mes Rusisë dhe Ukrainës mund të zgjerohet edhe në shtete të tjera.

“Kjo luftë ka rrezik që të zgjerohet edhe në shtetet e tjera të botës, e sidomos në Ballkanin Perëndimor. Nga luftërat e deri më tani që Serbia i bëri me shtetet për rreth, situata e tendosur është duke vazhduar edhe tani e sa kohë, e sidomos situata konfliktuoze që ekziston mes Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Kosovës, si dhe tani edhe me Malin e Zi, është situatë për tu shqetësuar se lufta mundet edhe të zgjerohet në këto shtete”, thotë ai.

Po ashtu, ai ka një sugjerim për presidenten e vendit, se çfarë duhet të bëjë në këtë situatë.

“Presidentja e Kosovës tani është në situatë që ta urdhërojë FSK-në dhe policinë e shtetit, që ta ngritin nivelin e gatishmërisë luftarake, si dhe t’i sinjalizojë shtetet mike e sidomos OKB-në, që forcat e KFOR-it së bashku me NATO-n, që e garantojnë sigurinë e territorit të Kosovës, që të jenë në hap me kohen dhe gatishmëria e tyre të jetë e sinkronizuar sipas rrjedhave që do të pasojnë për këtë kohë”, thotë Tërnava.

Maxharraj: Veriu i Kosovës është thembër e Akilit

Image
Profesori Binak Maxharraj

Profesori Binak Maxharraj, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur për qëndrimet e Serbisë karshi Rusisë, si dhe thotë se veriu i Kosovës është thembër e Akilit që kontrollohet nga serbët.

“Ekzistojnë aleanca të forta midis Rusisë dhe Serbisë, e cila në këto çaste kritike kur e tërë bota u rreshtua në anën e Perëndimit me sanksione, Serbia e tregoi fytyrën e vetë të vërtetë kur haptas doli në anën e Rusisë dhe Putinit duke mos i vënë sanksione Rusisë. Kjo do të thotë se aleanca e qëndrueshme politike ndërmjet Serbisë dhe Rusisë e bënë Beogradin një lojtar të rëndësishëm në aventurën luftarake të Putinit, duke e tërheqë në mënyrë të pashmangshme Kosovën në listën e vendeve, së bashku edhe me Bosnjën, për mundësinë e shpërthimit të luftës, kur dihet se veriu i Kosovës është thembër e Akilit që kontrollohet nga Serbia, kurse pjesë serbe e Bosnjës nga çetniku Dodik pro serb. Por, posa filloi lufta Rusi-Ukrainë Kosova menjëherë u rreshtua në aleancë me perëndimin duke i vënë sanksione Rusisë, duke u solidarizuar me Ukrainën, u ndriçua ndërtesa qeveritare me flamurin e Ukrainës, i mbështeti mbi 20 gazetarë të ikur nga Ukraina, por edhe duke u zotuar se Kosova do t`i pranojë deri në 5.000 refugjatë të Ukrainës”, thotë ai për “Bota sot”.

Sipas tij, shqetësimi i presidentes së Kosovës është i kuptueshëm.

“Por, do si do dihet se Serbia është duke e luajtur lojën e Rusisë, ajo në vazhdimësi për dy dekada pas çlirimit e kërcënon Kosovën duke sjellë ushtrinë në kufi, me armatim të sofistikuar, duke bërë kërcënime dhe shantazhe gati të përditshme me ç`rast edhe ambasadori i Rusisë ia dha bekimin ushtrisë serbe që të vepronte sipas rrethanave aktuale. Prandaj, shqetësimi i presidentes Osmani është i kuptueshëm, kur dihet se kemi të bëjmë me një armik shekullor serb, i cili vazhdimisht për qëllim e ka pas zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e veta”, thotë ai.

Situatat janë të paparashikueshme

Gjithashtu, profesori ka shtuar se Serbia po luan lojëra të pista me ushtrinë e vetë përreth kufijve të Kosovës.

“Por, është fakt se edhe kur Serbia luan lojëra të pista me ushtrinë e vetë përreth kufijve të Kosovës, ajo nuk ka asnjë shanse që të sulmojë Kosovën, sepse Kosova e ka pranin e NATO-s me misionin e KFORI-it që vazhdon të ofrojë siguri dhe garanci sipas marrëveshjes së Kumanovës të arritur në vitin 1999 e cila edhe i dha fund fushatës 78-ditore të bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë. Në të kundërtën Rusia dhe Serbia do të përballeshin me Aleancën e NATO-s që do të thoshte drejtë një lufte të tretë botërore”, përfundon Maxharraj për “Bota sot”.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve ushtarake, Hasan Zeneli në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka treguar se çfarë po e pret Vuçiqin nga Rusia.

Image
Njohësi i çështjeve ushtarake, Hasan Zeneli

“Lidhur me Ballkanin mendoj se Putini i vogël, Vuçiqi po pret të avancojë Rusia me pushtimin e Ukrainës dhe më pas të vihet në funksion projekti i tyre ruso-serb në Bosnjë, Kosovë e Mal të Zi. Por, mendoj se gjithçka lidhet me zhvillimin e luftës në Ukrainë. Situatat janë të paparashikueshme”, thotë ai për “Bota sot”.

Po ashtu, ai ka dhënë një këshillë për Osmanin. “Presidentja Vjosa duhet ta ndjekë shembullin e Presidentit të Ukrainës!”, theksuar Zeneli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat