Parashikimi i Bytyçit: Ky ëshë skenari që po përgatitin Rama, Vuçiqi dhe Haxhiu për Abdixhikun

Politika

Parashikimi i Bytyçit: Ky ëshë skenari që po përgatitin Rama, Vuçiqi dhe Haxhiu për Abdixhikun

Nga: A.M Më: 7 prill 2022 Në ora: 09:37
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Largimi i ‘gardës së vjetër’ dhe fitorja e Lumir Abdixhikut në zgjedhjet e brendshme të LDK-së, pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021, u pa si shpresë e reformimit të thellë të këtij subjekti.

Mëgjithse, në fillim zgjedhja e Abdixhikut në krye të LDK-së u prit mirë, tani kanë filluar të ndryshojnë gjërat.

Afërsia e tij me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili vlerësohet edhe si një mik i ngushtë i president serb, Aleksandër Vuçiqi ka filluar të shihet me skepticizëm.

Madje, bashkëpunimi i afërt Abdixhik-Rama, po thuhet të ketë një paraprijës, siç është Baton Haxhiu.

Kujtojmë se Lumir Abdixhiku para zgjedhjes kryetar i LDK-së ishte takuar me Baton Haxhiun. Ndërsa tani gjatë vizitës në Shqipëri është takuar me kryeministrin Edi Rama me të cilin dukej mjaft i afërt.

Image
Baton Haxhiu dhe Lumir Abdixhiku, pak ditë para zgjedhjeve

Profesori Enver Bytyçi në prononcimin e tij për “Bota sot” tha se Abdixhiku fillimisht u prit mirë në krye të LDK-së, mirëpo që më pas duke dashur të hiqet si lider “modern” i kapërceu disa vija të kuqe.

“Ardhja e Lumir Abdixhikut në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës u prit mirë për dy arsye: Së pari se ai ishte shfaqur si kundërshtar i Isa Mustafës dhe zhgënjimi me ish-kryetarin zgjoi shpresa me ardhjen e kryetarit të ri. Së dyti, sepse mendohej se Abdixhiku ka një lloj marrëdhënieje më të mirë me presidenten e vendit, Vjosa Osmanin. Në rastin e dytë mbështetësit e LDK-së shpresonin në bashkimin e Lëvizjes Guxo me Lidhjen Demokratike.

Por, më pas zoti Abdixhiku, duke dashur të hiqet si lider “modern” i kapërceu disa vija të kuqe. Filloi të bashkëpunojë me Edi Ramën. Dmth me perversitetin!”, deklaroi ai.

Image
Profesori Enver Bytyçi

Rrjedhimisht, Bytyçi përmendi faktin se i gjithë ky bashkëpunim po vjen nga premtimi i Ramës për ngritjen e përmendores së Rugovës në Tiranë.

“Ky bashkëpunim dhe sidomos takimi i fundit u shit si “shërbim ndaj Lidhjes Demokratike” për shkak se paska marrë premtimin që presidentit Rugova t’i ngrihej përmendore në Tiranë.

Gjithkush natyrshëm bën pyetjen: Pse Edi Rama e bllokoi këtë gjatë këtyre 1—16 viteve si kryetar i Bashkisë dhe si kryeministër i vendit dhe tani paska ndërruar mendje?! Ka edhe një pikëpyetje tjetër: Pse Lulzim Basha nuk e realizoi në katër vitet e qeverisjes së tij të kryeqytetit? Për Lulin nuk mendoj njësoj si për Ramën në këtë rast. Por, pikëpyetja qëndron”, theksoi profesori.

Dyshimet për bashkëpunimin Rama-Abdixhikut, sipas modelit Rama-Basha

Madje, ai hodhi dyshime se bashkëpunimi midis Ramës dhe Abdixhikut është në të njëjtin model siç ishte bashkëpunimi Rama-Basha, ku në mes tyre duhet të jetë Sorosi!

“Çfarë magjie përdori Lumir Abdixhiku që t’ia ndërrojë mendjen Edi Ramës, gjithnjë nëse ia ka ndërruar! Rrethanat dhe pozicionet nuk kanë ndryshuar! Rexhep Qosja është nxitësi i vendimeve anti-Rugovë të Edi Ramës. Dhe Qosja jeton edhe sot, madje është bërë shumë aktiv. Atëherë pse ndryshoi? Dyshimet shkojnë te bashkëpunimi midis Ramës dhe Abdixhikut në të njëjtin model siç ishte bashkëpunimi Rama-Basha! Në mes tyre duhet të jetë Sorosi! Por, Abdixhiku ka përparësi, sepse me Sorosin në krah shfaqen edhe Albin Kurti e Vjosa Osmani! Jo në formatin dhe në cilësinë servile të Hashim Thaçit, por ama ata shpesh bëhen bashkë.

Nëse Abdixhiku gjendet në sofrën e Soros, ne nuk e dimë se çfarë kreditesh ka e do të ketë. Por, një gjë e dimë se kjo lidhje e çon në varësi të Edi Ramës. Pra, nuk është monumenti ose busti i Rugovës në Tiranë shkaku i kësaj lidhjeje. Pa diskutim që kjo lidhje është në favor të Edi Ramës dhe strategjisë së tij për ta përçarë edhe më tej skenën politike të Kosovës”, nënvizoi Bytyçi.

Takimet e Abdixhikut me Ramën e Batonin hapin dyert e takimeve me presidentin e Serbisë!

Tutje, profesori përmendi edhe takimet e Lumir Abdixhikut me Baton Haxhiun. Ai tha se takimet e Abdixhikut me Ramën e Batonin hapin dyert e takimeve me presidentin e Serbisë.

“Informacionet na thonë se zoti Abdixhiku është takuar më herët edhe me Baton Haxhiun. Ku është Batoni është Edi Rama dhe ku është Batoni e Edi, është edhe Aleksandër Vuçiqi. Ndoshta disa politikanë shqiptarë e shohin me interes të bëhen pjesë e kësaj sofre. Batoni është udhërrëfyesi. Pa udhëzimet e tij nuk shkohet deri te Rama. Ndërsa kur mbërrin te Rama të hapet dera të shkosh edhe te Vuçiqi.

Jam i sigurt se takimet e Abdixhikut me Ramën e Batonin hapin dyert e takimeve me presidentin e Serbisë. Dikush mund të thotë: Po ç 'lidhje ka kjo? Po, ka lidhje. Në zgjedhjet lokale LDK doli parti e parë. Ka indicie se opozita, sigurisht me mbështetjen e Listës Srpska, do të bëjë shumicën në zgjedhjet e ardhshme pas tri vitesh. Abdixhiku në këto parti zë vendin e parë. Pra ai do të jetë kryeministër. Atëherë dikush duhet të punojë me këtë politikan që t’i afrojë qëndrimet me Ramën dhe Vuçiqin. Ky person është Baton Haxhiu. Të njëjtën gjë ka bërë Batoni me shumë politikanë në Kosovë dhe në Shqipëri”, vlerësoi ai.

Në fund, Bytyçi potencoi se Rama, Vuçiqi dhe Batoni janë të gatshëm t’ia bëjnë përmendoren Rugovës, vetëm që ta përfitojnë Abdixhikun për nbështetje të politikave serb.

Ai e sqaroi se këto janë disa hipoteza të tij, që lidhen me luhatjet në qëndrimet e kryetarit të LDK-së.

“Monumenti apo busti i Rugovës janë thjesht sebepi. Edi Rama, Vuçiqi, Batoni me ta, janë gati t’ia ngrenë një përmendore Ibrahim Rugovës që ta fitojnë kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në favor të politikave serbe në Ballkan. Kjo duket edhe nga qëndrimet asnjanëse të kreut të Lidhjes së Demokratike ndaj Open Balkan.

Këto që thashë janë hipoteza. Nuk janë dëshmi krejt të sakta. Por që shoh një luhatje në qëndrimet e zotit Abdixhiku, kjo është aksiomatike. Nuk është hamendësim. Sinqerisht nuk do të doja t’i bija në qafë kreut aktual të LDK-së. Por, edhe nëse e teproj, do të doja që ai t’i marrë këto si këshilla të vlefshme. Do isha i lumtur që të gaboj në këto parashtrime që përmenda”, përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat