Serbia po armatoset edhe me avionë francez / Kosova me çfarë armë mund t’ia rrëzojë!

Politika

Serbia po armatoset edhe me avionë francez / Kosova me çfarë armë mund t’ia rrëzojë!

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 8 prill 2022 Në ora: 21:02
Vuçiq dhe Kurti

Agresiviteti ushtarak i Serbisë nuk ka të ndalur. Projekti i saj që të ketë më shumë se dyfishin e armatimit të katër ushtrive ballkanike, Kroacisë, Shqipërisë, Bosnjës dhe Maqedonisë, po shkon drejt finalizimit, ndërsa shqiptarët nuk po investojnë thuajse aspak.

Serbia e intensifikuar garën e saj me vetveten për ta fuqizuar ushtrinë e saj, dhe që flotës së saj ajrore me avion rus, t’ia shtojë edhe një ‘eskortë’ franceze, dhe të kthehet në kërcënim të papërballueshëm për vendet e Ballkanit, veçmas për Kosovën dhe Bosnjën.

Së fundmi Gazeta franceze La Tribune ka raportuar se kompania franceze e prodhimit të aeroplanëve luftarakë “Dassault Aviation” pritet t’ia shesë Serbisë 12 avionë të tipit “Rafale” në vitin 2022.

Avionët e rinj luftarakë që pritet t’i blejë Serbia mendohet se e modernizojnë flotën e Forcave Ajrore të Serbisë që kryesisht përbëhet nga Mig 21 dhe Mig 29, të cilët i ka blerë dhe i janë dhuruar nga Rusia.

Por çka është duke bërë Kosova për armatim? E formoi fondin për siguri, por ende nuk ka lajme për armatosje. Lidhur me këtë, kanë folur edhe disa njohës të kësaj fushe.

Armatim dhe strategji mbrojtëse

Ndërsa, ekspert ushtarak si kolonel Dritan Demiraj, kanë propozuar disa lloje të armatimeve që janë më të lira, por janë efikase si raketat “Stinger”, “Javelin” etj.

“Investimi i ushtrive tona në të ardhmen e afërt duhet të jetë ‘smart’. Një tank T-90 që kushton 5 milionë dollarë, mposhtet lehtësisht nga një raketë ‘Javelin’ 160.000 dollarë, nga një raketë ‘Carl Gustav’ 6.000 dollarë ose nga një predhë ‘RPG-7’ që gjendet me shumicë dhe ka kosto të lirë”, shkruan Demiraj, ish-ushëheqës i forcave speciale të Shqipërisë.

Sipas tij, nëse nuk mund të blejmë helikopter sulmues, mund të blejmë “Stinger” të lëvizshëm. “Një helikopter sulmues rus MI-24, MI-25, MI-28, MI-35M, KA-52, etj të cilat kushtojnë 18-30 milionë dollarë, mposhten nga një raketë ‘Stinger’ që kushton vetëm 120.000 dollarë”, shkruan Demiraj.

Sipas këtij eksperti do të mjaftonte edhe një sasi prej 6-12 dronësh ‘Bayraktar TB-2’ dhe 6 copë ‘Bayraktar Akinci B’, “për të rritur ndjeshëm kapacitetet operacionale të ushtrive tona (Kosovës dhe Shqipërisë)”, që sipas tij, në të njëjtën kohë, “do t’i ofronin SHBA-ve dhe NATO-s një forcë të gatshme efektive për operacione të ndryshme luftarake në luftën kundër terrorizmit global”.

Koloneli kërkon që dy ushtritë shqiptare, “duhet sa më parë të planifikojnë së bashku Strategjinë e Sigurisë Kombëtare, Strategjinë Ushtarake dhe të fillojnë zbatimin e një plani afatmesëm dhe afatgjatë për krijimin e njësive moderne të operacioneve speciale, modernizimin me dronë të armatosur, armë moderne kundërajrore, kundërtanke dhe krijimin e kapaciteteve të qenësishme të inteligjencës”.

Eksperti i sigurisë Drizan Shala thekson se Serbia gjithmonë ka qenë e orientuar tek Rusia për blerjen e armëve, ndërsa blerjen e fundit nga shteti i Francës, ai e quan puro politike, pra qëllimi i së cilës është zbutja e kritikave.

Image
Drizan Shala

“Në lidhje me modernizimin e kapaciteteve të ushtrisë së Serbisë, kjo e fundit në planifikimin e saj për sektorin e mbrojtjes gjithmonë orientimin e ka pasur në blerjen e pajisjeve ushtarake nga Rusia, nëse i referohem të dhënave zyrtare në lidhje me pajisjet ushtarake që posedon ushtria e Serbisë mbi 95% është ruse dhe kineze. Andaj kjo blerje e fundit nga Franca e avionëve ushtarak është puro politike për të zbutur kritikat dhe presionin ndërkombëtar në pozicionin e saj në luftën që është duke u zhvilluar në Ukrainë bazuar në atë se Serbia nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë”, thotë ai.

Tutje theksoi se Serbia po luan lojë të dyfishtë në mes të NATO-s dhe Rusisë, madje sipas Shalës, Serbia nuk dëshiron t’i paguaj avionët luftarak, por megjithatë do të jetë e detyruar.

“Përmes këtij veprimi Serbia po tenton që të luaj lojën e dyfishtë politike ku në njërën anë flirton me anëtarët e NATO-s në blerjen e pajisjeve ushtarake, ndërsa në anën tjetër e gjithë infrastruktura e saj e mbrojtjes është koncept rusë, dhe interferimi me këta avion luftarak në vetvete ka një kosto financiare të cilën Serbia nuk dëshiron që ta paguajë, por në rrethana të tilla do të jetë e detyruar që në procesin e saj drejt një shteti neutral ndërkombëtar, që ka për synim Serbia të jetë në periudhën afatgjatë sikur Zvicra”, shtoi Shala.

“Forcat e NATO-s i kemi këtu”

Lidhur me këtë, analisti politik, Skënder Mulliqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se gjykata e Hagës është dashur ta dënojë Serbinë për gjenocid, me ç’rast do ta kishin të pamundur armatimin dhe kërcënimet ndaj shteteve të tjera.

“Duke e ditur se Serbia ishte ajo që me rastin e shpërbërjes të ish-Jugosllavisë, provokoi luftën dhe shkaktoi gjenocid mbi myslimanët e Bosnjës dhe shqiptarët e Kosovës, shtetet tjera ish-jugosllave po shqetësohen se ushtria e Serbisë po ngrihet gjithnjë e më shumë ushtarakisht. Ishte gabim që Serbia nga gjykata e Hagës nuk u dënua për gjenocid, ku do t’i ishte pamundësuar armatimi dhe çdo kërcënim ndaj shteteve fqinje. Në muajin shtator të vitit të kaluar ndodhi problemi me targa të makinave, ku avionët luftarakë të Serbisë sikundër përgjigje fluturuan afër kufirit me Kosovën, si dhe u panë edhe mjete të rënda luftarake të tjera”, thotë ai.

Image
Skënder Mulliqi

Tutje ka theksuar se përveç Rusisë dhe Bjellorusisë që po e armatosin Serbinë, është edhe Franca që po e bënë një gjë të tillë, madje Mulliqi e përmend edhe një paralajmërim me ç’rast thuhet se këtë vit Franca do t’ia shesë Serbisë 12 avionë.

“Serbia intenzivisht është duke u armatosur që nga viti 2015, ku ky shtet ka rritur buxhetin ushtarak për 70 për qind. Rusia dhe Bjellorusia janë dy shtetet të cilat si mike te Serbisë janë duke e furnizuar me armatim-avionë luftarakë dhe tanke. Serbia po furnizohet me mjete ushtarake edhe nga Kina dhe Franca”, ka shtuar Mulliqi.

Sipas tij, që nga lufta e tanishme në mes Rusisë dhe Ukrainës, del se nuk ka përfunduar ende lufta në Evropë.

Mulliqi thekson se përderisa të gjitha shtetet po armatosen, edhe Kosova duhet të rrisë kapacitetet ushtarake.

“Invazioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë tregoi se epoka e luftës në Evropë nuk ka përfunduar pas luftës në ish-Jugosllavi të viteve të ‘90-ta të shekullit të kaluar. Të gjitha shtetet e reja janë duke u armatosur, e me shpejtësi më të madhe po bëhet tash, kur nga lufta mund të kërcënohet edhe Ballkani Perëndimor. Ajo që neve më së shumti na intereson është se sa jemi duke u armatosur, kur dihet se për fqinjë kemi një shtet fashist grabitqar historikisht të tokave shqiptare. Çdo shtet modern ka nevojë për një ushtri të fortë. Prandaj, Kosova duhet ta rrisë buxhetin ushtarak dhe atë jo pa urgjencë. Dihet se kapacitetet tona buxhetore janë të vogla, por megjithatë duhet gjetur forma siç ishte edhe Fondi për Armatim”, thotë ai.

Diaspora do të grumbullojë më shumë mjete për “Fondin e sigurisë”

Tutje u shpreh se synimi i luftës në Ukrainë është realizimi i “Botës ruse”, të ngjashme janë edhe synimet e “Botës Serbe”, kështu duke e krijuar një mini-Jugosllavi, e që sipas Mulliqit, këto janë vetëm supozimet që nuk do të realizohen asnjëherë.

“Besohet se qytetarët tanë dhe veçmas diaspora do të grumbullojnë shumë mjete për pasurimin e fondit ushtarak. Lufta e filluar në Ukrainë është synim i realizimit të “Botës Ruse”, kurse apetitet e “Botës Serbe” janë sikur të asaj ruse. E para për riokupim të republikave të shkëputura pas Luftës së Ftohtë nga Bashkimi Sovjetik, dhe e dyta tendenca e Serbisë të Vuçiqit për kthimin e Malit të Zi, Bosnjës, Maqedonisë Veriore dhe Kosovës në gjirin e saj, duke krijuar një mini-Jugosllavi. Natyrisht këto janë supozime dhe iluzione që nuk do të realizohen se Evropa dhe Amerika nuk do të lejojnë kthimin e dominimit të humbur të Rusisë dhe të Serbisë”, ka shtuar ai.

Më tej deklaroi se Serbia nuk mund të bëj ndërhyrje ushtarake përderisa është e rrethuar nga NATO, por në rast të ndonjë lufte i kemi forcat e NATO-së.

Mulliqi propozon që qeveria sa më shpejt të dale me një deklarim në Kuvendin e Kosovës.

“Me shumë gjasë Putini do të humbas luftën me Ukrainën dhe përfundimisht do të shuhen iluzionet ruso- serbe edhe në Ballkan. Një Serbi e vogël e rrethuar me ish republikat dhe me NATO-n, nuk ka mundësi që të bëjë ndonjë ndërhyrje ushtarake. Forca e Sigurisë së Kosovës është duke u pajisur me autoblinda të tipit Armored Security Vehicle (ASV), prodhim amerikan. Në rast të një krize shumë të madhe për shpërthim eventual të luftës në Kosovë, forcat e NATO-s i kemi këtu”, ka përfunduar Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat