Kriza energjetike: Një termocentral të ri elektrik apo nga miliarda qymyr t’i përfitojmë mbi 300 produkte?!

Politika

Kriza energjetike: Një termocentral të ri elektrik apo nga miliarda qymyr t’i përfitojmë mbi 300 produkte?!

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 11 prill 2022 Në ora: 20:32
Foto ilustrim

E mbarë bota po përballet me një krizë ekonomike dhe energjetike. Si pasojë e kësaj Anglia ka vendosur mos ta mbyllë një termocentral të madh me qymyr që ishte paraparë të mbyllej më 2024.

Ndërkaq, duke ditur se Kosova ka mjaftë rezerva të qymyrit a duhet ta ndërtojë Kosova një termocentral të ri? Cilat investime në energji e nxjerrin Kosovën nga kjo krizë energjetike?

Limani: Një termoelektran është më se e nevojshme

Lidhur me këtë çështje ka folur për ‘Bota sot’, profesori i ekonomisë, Musa Limani. Ai thotë se është për të konstatuar se Kosovës i mungon energjia elektrike, edhe atë duke filluar që nga çlirimi. Duke pasur parasysh mungesën e energjisë elektrike, si faktor limitues të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror, qeveritë e Kosovës, duke filluar që nga viti 2011, kanë iniciuar nevojën e ngritjes së kapaciteteve të reja energjetike.

Image
Profesori i ekonomisë, Musa Limani.

“Në fillim ishte propozuar ngritja e një termocentrale prej 2.100 MGW, që ishte një kafshatë e madhe për Kosovën, sepse investimet në energjetikë janë kapitalo-intensive, absorbojnë vlera të medha investimesh, e punësojnë numër të vogël punëtoresh. Madje, ky propozim ra në 1.200 MGW, më pas në 500 MGW, e tani kemi vetëm fjalë që duhet të ngriten kapacitete energjetike, por nuk ka kurrfarë elaborati, apo projekti për ngritjen e këtyre kapaciteteve. Ja pra, po të ishte filluar ngritja e kapaciteteve energjetike që nga propozimi i parë, apo i dytë, sot do të kishim termocentralin në funksion. Mirëpo, kjo për fat të keq nuk ndodhi dhe tani po ashtu nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim”, tha ai.

Sipas profesor Limanit, arsyet për këtë janë kryesisht subjekteve, të cilat i dinë vetëm zotërinjtë nga qeveritë e Kosovës. Sipas logjikes ekonomike, duke pasur parasysh lëndën e parë, duhet të ngritet një termoelektroan, ndoshta deri në 500 MGW.

“BE-ja sikur ka marrë vendim që mos të ngriten termoelektrana, sepse janë ndotëse të mëdha të ambientit. Kjo qëndron, por me teknologji të re bashkëkohore, mendoj se ky problem mund të evitohet. Ne duhet t'i shfrytëzojmë resurset tona natyrore, por gjithnjë duke pasur parasysh ruajtjen e ambientit. Në këtë krizë të energjisë elektrike, ngritja e një kapaciteti të ri, në bazë të thëngjillit, pra një termoelektran është më se e nevojshme. Anglia, e cila tani nuk është anëtare e BE-së, ka marrë vendim që mos të mbyllë termoelektranën në funksion, për shkak të krizës së energjisë elektrike. Andaj, edhe ngritjen e një termoelektrane të re, e arsyeton pikërisht kriza e energjisë elektrike, si në Kosovë ashtu dhe në tregun ndërkombëtarë. Ky është mendimi im si makroekonomist, pro për këtë vendos ekzekutivi, që mendoj se Qeveria aktuale nuk duhet ta zvarrisë këtë problem akut, siç kanë bërë qeveritë e mëparshme”, thekson ai.

Investimi në energji të ripërtëritshme

Profesor Limani thotë më tutje se, cilido lloj i prodhimit të energjisë elektrike, është kapitalo-investiv. Mirëpo, ngritja e kapaciteteve energjetike nga burimet e ripërtëritshme (rigjeneruese) është më e preferueshme, cilado qoftë ajo.

“Ne kemi kushte shumë të volitshme për ngritjen e kapaciteteve energjetike me erë dhe solare. Andaj, në krahasim me termocentralet, më të preferueshme janë hidrocentralet, aq sa kemi mundësi, si dhe energjia me erë dhe solare. Ne kemi rezerva të mëdha të thëngjilli (linjititi 12-15 miliardë tonë), por nuk do të thotë që këtë resurs natyror ta shndërrojmë në hi, pra në termoelektrana. Perspektiva e thëngjillit është në karbo-kimi. Mendohet se, në bazë të avancimit të teknologjisë në periudhë kohore ndoshta jo të largët, nga thëngjilli do të nxirreshin mbi 300 produkte. Në kontekst të kësaj pyetje do të thosha se, në momentin aktual, do të ishte mirë që të kemi një marrëveshje këmbimi të energjisë elektrike në mes Kosovës dhe Shqipërisë, përkatësisht Shqipërisë dhe Kosovës, pasi që jemi komplementar në prodhimin e energjisë elektrike. Shqipëria prodhon energji elektrike 95,0% nga hidrocentralet, kurse Kosova 98,0% nga termocentralet”, vlerëson ai.

Profesor Limani thotë se duke pasur parasysh këtë strukturë të prodhimit, mund të themi se gjatë verës Kosova e furnizon Shqipërinë me energji elektrike, kurse Shqipëria gjatë vjeshtës e dimrit ia kthen Kosovës energjinë elektrike.

“Ky lloj i këmbimit do ta zbutë krizën aktuale të energjisë elektrike si në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri, kjo është e realizueshme pasi që tani e kemi autostradën energjike në mes të dy vendeve tona shqiptare”, thekson profesori i ekonomisë, Musa Limani.

Mulliqi: Këtë krizë energjetike, ta zvogëlojmë duke ndërtuar termocentrale më qymyr

Image
Analisti Skender Mulliqi

Ndërkaq, analisti Skender Mulliqi thotë se duke u bazuar në krizën globale energjetike edhe në Kosovë, dhe duke pasur parasysh se Kosova është e pasur me thëngjill, atëherë shtrohet domosdoja që këtë krizë energjetike ta zvogëlojmë duke ndërtuar termocentrale më qymyr.

“Ishte shtruar ideja edhe më parë për ndërtimin e një termocentrali të tillë, por që nuk u bë diçka më shumë në këtë drejtim, deri më tash. Ky opsion duhet të shtrohet në Kuvendin e Kosovës. Dihet se edhe ato ekzistueset kanë nevojë për stabilimente të reja, për shkak të vjetërsisë së atyre ekzistuese. Është koha që nga diskutimet të dalim në vepra sa nuk kemi jashtë funksionit edhe këto që i kemi. Kosova këtë mundësi duhet shfrytëzuar, edhe pse termocentralet e tilla po janë shkaktarë të ndotjes së ajrit, pastaj edhe të paraqitjeve të sëmundjeve të ndryshme të organeve respiratore”, thekson ai.

Mulliqi thotë se sipas ekspertëve ekzistojnë mundësitë teknike për një ndotje minimale të ajrit. Kjo qeveri duhet të mbështetet në një plan të tillë për të ardhmen e termocantralit të ri Kosova.

“Me ndërtimin e një termocentrali të tillë dhe më riparimet e këtyre që i kemi natyrisht që kërkohen edhe investime kapitale. Si pasojë e vjetërsisë së tyre dhe prishjeve të shpeshta buxheti i shtetit ka humbur miliona euro nga mungesa e prodhimit në to. Kjo ide përpos që do t’i plotësonte nevojat për energji, do të bënte të mundur edhe punësime të reja”, thotë ai.

Sipas Mulliqit ndërtimi i një termocentrali të ri me qymyr, pasi edhe shumë shtete të zhvilluara ende nuk kanë hequr dorë nga projektet e tilla, shton domosdonë që Qeveria ta adresojë sa më parë këtë temë në Kuvendin e Kosovës.

“Nuk them që mos të riparohen edhe ato ekzistueset. Mirë do të ishte që nga ekspertët e kësaj lëmie të bëhet një strategji, e cila do t’i hapte rrugë këtij investimi me karakter edhe kombëtar. Kjo do të bënte që mos të importojmë shumë rrymë, dhe do t’ua bënte të mundshme konsumatorëve që mos të kenë restrikcione të shpeshta të rrymës, si dhe të paguhet shumë më lirë, kur dihet së çmimi nuk është në proporcion me koston e lartë të jetës. Mund të vijnë në shprehje edhe solucionet e tjera, që të investohet në programe të reja si në shumë vende të zhvilluara në prodhimin e energjisë elektrike, me diell dhe me erë, e ku ka mundësi të gjendën investitorë të ndryshëm si brenda vendit ashtu edhe jashtë Kosovës”, thekson Mulliqi për ‘Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat