Anton Quni: U bë frymëzues i të gjithë luftëtarëve. Me Agimin në ballë fitoret ishin të sigurta!

Politika

Anton Quni: U bë frymëzues i të gjithë luftëtarëve. Me Agimin në ballë fitoret ishin të sigurta!

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 14 prill 2022 Në ora: 17:59
Agim Ramadani

Më 9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, ishte zhvilluar Beteja e Koshares, me ç’rast u arrit thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

Këtë betejë e udhëhoqi ushtaraku Agim Ramadani, i njohur ndryshe me emrin konspirativ – “Katana”, që së bashku me ushtarët e tij arritën ta shembnin ‘murin’ njëqindvjeçar shqiptaro-shqiptar, që e ndante Kosovën nga Shqipëria.

Ndërsa, më 11 prill, janë bërë 23 vjet nga rënia e luftëtarit dhe heroit Agim Ramadani, me ç’rast nënkryetari i LDK-së, njëherit ish-ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se personaliteti i tij profesional ka bërë që njësia e komanduar nga ai, të bëhet e tmerrshme për armikun.

Image
Anton Quni

“Të gjithë e ndjenin vetën krenar të ishin në krah me të”

Quni theksoi se me fitoret nga ai ishin të sigurta, madje ai e potencon edhe një porosi që e kishte lënë Ramadani me ç’rast kishte thënë: “Ushtari i fundit i mbijetuar e ka për obligim me zbrit në fshatin e parë dhe me e kriju ushtrinë”.

“Suksesi i Betejës së Koshares e bartë vulën e analizave, përgatitjeve dhe angazhimeve personale të Agimit. Personaliteti i tij si gërshetim i vlerave familjare, kombëtare dhe profesionale ishin parakushte që njësia nën komandën e tij, nga një formacion i vogël gueril të shndërrohet në njësinë më të tmerrshme për armikun. Me komandën “ejani pas meje” u bë frymëzues i të gjithë luftëtarëve se me Agimin në ballë fitoret janë të sigurta. Agimin e donin të gjithë bashkëluftëtarët e tij, dhe që të gjithë e ndjenin vetën krenar të ishin në krah me të. Bashkëluftëtarët janë dëshmitar se si u përball me forcat e armikut gjithnjë duke qenë në krye të njësisë. Agimi ishte i vetëdijshëm se në një moment edhe ai do të gjendet në shënjestrën e forcave serbe, prandaj na kishte porositur: “ushtari i fundit i mbijetuar e ka për obligim me zbrit në fshatin e parë dhe me e kriju ushtrinë"”, theksoi Quni.

“Ishte i pari që shkuli gurin-piramidën-kufitare në Koshare”

Analisti Skënder Mulliqi, ka potencuar se institucioneve të krijuara kryesisht nga LDK-ja i janë bashkangjitur shumica e popullit, sepse në krye të saj ishte Rugova, gjithashtu kësaj pjese iu bashkuan edhe ushtarakët, përkatësisht Ministrisë së Mbrojtjes, e cila tashmë ndodhej me seli në Tiranë. Njëri nga ushtarakët e angazhuar ishte edhe Agim Ramadani, i cili sipas Mulliqit, ishte njeri i kompletuar.

Image
Skënder Mulliqi

“LDK-ja e sotme ishte lëvizje gjithëpopullore, dhe për këtë fakt kur u shndërrua në parti politike ishte më e madhja në Kosovën e pas luftës. Ju bashkëngjiten shumica e popullit, se në krye të LDK–së ishte intelektuali dhe politikani i shquar dr.Ibrahim Rugova. Në vazhdimësi ky subjekt politik është përkrahur nga populli, por edhe nga shumë komandantë të luftës, të cilët për komandant suprem njohën Ibrahim Rugovën. Po minimizohet pa të drejtë nga disa kontributi i tyre në luftë. Për figurën ushtarake dhe intelektuale të Agim Ramadanit të gjithë shokët e tij të luftës, flasin me pietet të lartë. Ai ishte vizionar, njeri i kompletuar në kuptimin e plotë të fjalës”, theksoi Mulliqi.

Tutje ai është shprehur se Ramadani ishte i pari që shkonte në ballë të fronteve luftarake, andaj Mulliqi potencon se nuk duhet të manipulohet lidhur me të, sepse edhe shokët kanë sqaruar se të gjithë të rënët janë vrarë nga serbët.

“Ai gëzonte respekt të madh te shokët dhe ushtarët e tij. Ai ishte ndër të parët që shkonte në ballë të fronteve të luftës çlirimtare. Për vrasjen e tij nuk duhet të manipulohet dhe të spekulohet se këto janë gjëra shumë të rënda, se bëhet fjalë për komandant -hero që ka rënë dinjitetshëm në fushën e nderit. Për vrasjen jo vetëm të Agimit, por të të gjithë të rënëve në Koshare janë deklaruar dhe kanë sqaruar shokët e tyre. Ata kanë thënë në intervista dhe paraqitje tjera publike se janë vrarë në fronte të luftës nga serbët. Agimi gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët. Ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë të cilën edhe e bëri bashkë me shokët e vet”, shtoi ai.

Agimi e shkuli gurin e kufirit

Mulliqi potencon se Ramadani ishte i pari që “shkuli gurin kufitar në Koshare”, pra Ramadani dhe shumë të tjerë na kanë sjellë lirinë, andaj duke ikur spekulimeve lidhur me ta.

“Ishte i pari që shkuli gurin-piramidën-kufitare në Koshare. Pas thyerjes së këtij kufiri, në pjesën e Kosovës tek vendi i quajtur "Zharret", ai ra dëshmor heroikisht për të mos vdekur kurrë. Edhe njëherë duhet ikur spekulimeve dhe jo kompetencës, në paraqitje publike pa pasur njohuri dhe fakte konkrete për ndodhitë e luftës. Këtu bëhet fjalë për opinion të gjerë publik, dhe për familjet e tyre për të cilat edhe duhet pasur e ruajtur respektin e veçantë. Agim Ramadani dhe luftëtarët tjerë të lirisë anë e kënd Kosovës na kanë sjellur lirinë e pritur me dekada, të cilën po e gëzojmë të gjithë ne sot. Kosovës nuk i duhen ndasitë partiake dhe ideologjike, të cilat i kanë sjellur dëme të mëdha në shtetndërtim dhe mirëqenie. Kosovës i duhet uniteti më shumë se kurrë, kur ende po kërcënohemi nge Serbia fashiste e Vuçiqit”, ka përfunduar Skënder Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat