Lufta speciale e Serbisë në Kosovë/ Vjen paralajmërimi për një luftë të re në Ballkan!

Politika

Lufta speciale e Serbisë në Kosovë/ Vjen paralajmërimi për një luftë të re në Ballkan!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 18 prill 2022 Në ora: 17:47
Të shtunën, Policia kufitare është sulmuar më këtë mjet piroteknikë

Situata në vendin tonë po vazhdon të bëhet edhe më e tensionuar.

Është Serbia ajo e cila nuk po i ndalon provokimet ndaj shtetit të Kosovës.

Së fundmi Njësite të Policisë së Kosovës kanë qenë cak i sulmeve për pesë ditë rresht në veri të vendit.

Edhe gjatë natës së kaluar dyshohet se shpërthimet ishin shkaktuar nga provokimet e Serbisë, si pjesë të një plani më të gjerë.

Sulmi i fundit i konfirmuar ishte të dielën në vendin e quajtur Sharpej në Jarinje, përcjell “Bota sot”.

Në raportin e policisë thuhet se derisa njësia e policisë kufitare kanë qenë duke vëzhguar, janë dëgjuar dy shpërthime.

Në këtë rast nuk ka pasur të lënduar si dhe as dëme materiale. Në vendin e ngjarjes kanë dal njësitë përkatëse policore”.

Lidhur me rastin është konsultuar prokurori i shtetit dhe është iniciuar rasti. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e policisë .

Mirëpo, përveç ditës së djeshme sulmet ndaj zyrtarëve të Kosovës këtë javë kanë qenë shumë prezente duke rrezikuar edhe vet jetët e tyre.

Policia është sulmuar edhe me granatë dore, AK 47 si dhe janë vendosur si pengesa në rrugë; iriqët metalikë. Sulmeve me armë policët ju shpëtuan falë makinave antiblind.

Ndaj këtyre sulmeve pat një reagim të menjëhershëm nga SHBA-ja, BE-ja, Gjermania dhe misionet tjera këtu si dhe nga Shqipëria e Maqedonia e Veriut.

Për këto sulme ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla i cili i quajti sulmet akte terroriste dhe shtoi se vendi është i gatshëm të përballet me çfarëdolloj skenari të Serbisë.

Mirëpo duke qenë pjesë e këtyre sulmeve a mund të themi që Serbia ka filluar një luftë speciale ndaj Kosovës?

Halimi: Serbia ka një kohë që po zhvillon luftën speciale ndaj Kosovës

Eksperti i sigurisë, Armend Halimi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që lufta speciale e Serbisë ndaj Kosovës është tashmë një kohë në funksion, mirëpo së fundmi ka rritur intensitetin.

Image
Armend Halimi

Lufta speciale e Serbisë ka qenë përherë aktive ndaj Kosovës, madje paralelisht me luftën e hapur. Por, sigurisht që tani ka rritur më tepër intensitetin”, thekson eksperti i sigurisë.

Ai shton se Serbia gjithë koncentrimin e saj e ka në luftën speciale, prandaj edhe Kosova duhet aktivizuar gjithë potencialin e institucioneve të sigurisë.

Andaj, deri në ndryshimin e rrjedhave në luftën Rusi-Ukrainë, Serbia gjithë koncentrimin e saj e ka në luftën speciale, përkatësisht propagandë, nxitje dhe sponzorizim të grupeve kriminale dhe terroriste, prandaj edhe Kosova duhet aktivizuar gjithë potencialin e institucioneve të sigurisë në identifikimin dhe zbulimin me kohe të këtyre grupeve e akteve kriminale e terroriste”, foli Halimi për “Bota sot”.

Hoxha: Lufta speciale e Serbisë kundër Kosovës nuk është ndërprerë kurrë

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, flet ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hafir Hoxha.

Image
Hafir Hoxha

Ai u shpreh se shqiptarët që nga ish-Jugosllavia janë munduar të arrijnë të drejtat kombëtare duke luftuar kështu edhe si një luftë speciale.

Normalisht luftë speciale zhvillon një shtet kundër një shteti tjetër, por në ish-Jugosllavi statusi i Kosovës dhe i shqiptarëve në tërësi nuk ishte i drejtë, prandaj shqiptarët rregullisht në të gjitha format dhe mënyrat e mundura jemi munduar që t’i arrijmë të drejtat tona kombëtare dhe ato me lëvizje legale, gjysmë legale dhe ilegale, të cilat Jugosllavia i ka konsideruar si luftë speciale e Shqipërisë mes shqiptarëve në ish-Jugosllavi kundër saj, prandaj ajo edhe ato aktivitetet tona legjitime për të drejtat tona kombëtare i ka luftuar me strukturat e veta shtetërore me pretekst se po e lufton luftën speciale”, u shpreh ai.

Pak sqarim se çka është lufta speciale!?

Tutje, ushtaraku tregon se çfarë është lufta speciale, duke u shprehur se aktivitetet armiqësore të një ose më shumë shteteve sovrane kundër një shteti tjetër sovran që i korrespondojnë luftës në objektivat e saj.

Lufta speciale ose lufta hibride është një term që përdoret për të përshkruar aktivitetet armiqësore të një ose më shumë shteteve sovrane kundër një shteti tjetër sovran që i korrespondojnë luftës në objektivat e saj, por që nuk përfshijnë një element të konfliktit të armatosur të drejtpërdrejtë ose konvencional. Veprimi i drejtpërdrejtë ka qenë zëvendësuar nga një gamë e gjerë operacionesh ekonomike, inteligjente, propagandistike dhe të ngjashme që synojnë në mënyrë indirekte shtetin që kërkon ta shkatërrojë ose dobësojë nëpërmjet përmbysjes”, thotë Hoxha.

Kosova merr aksione sulmuese të armatosura në veri të Kosovës në shumicë serbe

Serbia mundohet ta prishë qetësinë dhe sigurinë në Kosovë me qëllim që të intervenojnë Forcat Speciale të Kosovës atje dhe të del situata prej kontrollit, shton ish komandanti.

Ndër të tjera Hoxha paralajmëron Ballkanin për një luftë duke u shprehur se deri këtu e ka sjellë humbja e madhe që po merr Rusia nga lufta në Ukrainë.

Deri tani qeveritë e Kosovës kanë pasur durim dhe politik të mirë që nuk kanë rënë pre e provokimeve serbe, mirëpo me luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, Rusia goxha është nervozuar sepse luftimet atje nuk i kanë shkuar sipas planit dhe kanë pësuar shumë humbje ushtarake. Mundet me ndodhë strategjia ruse që me zgjeru luftën në rajone të tjera me e tërheq vëmendjen prej Ukrainës, që me pas mundësi me përdorë armë të ndaluara kimike biologjike atje. Vendi i përshtatshëm për luftë të re është Ballkani, pra Serbia në krah të Rusisë kundër shqiptarëve, Kosovës dhe në Bosnje kundër boshnjakëve dhe kroatëve me tentim të ndarjes së Republika Serbe nga Bosnja dhe Hercegovina”, thotë Hoxha.

Ai thotë që Kosova duhet të ketë kujdes e të mos veproj kundër Serbisë, pasi ajo po kërkon këtë gjë nga vendi ynë.

Kosova duhet të ketë kujdes nga veprimet e serbëve të veriut dhe mos të bëjë hapa radikal, të mos u përgjigjet në të njëjtën mënyrë me armë atyre provokimeve sepse aty edhe është qëllimi i Serbisë. Kosova ka forcat e NATO-s prezente këtu dhe duhet me i shfrytëzuar ato që së paku t’i kuptojë bota qëllimet dhe provokimet serbe në Kosovë dhe mos t’u japim shkas që lufta speciale, të ngritet në të asaj të armatosur”, nënvizoi Hoxha për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat