Serbia e rrezikshme për paqen në Ballkan/ Presidentja Osmani ka të drejtë që kritikon BE-në

Politika

Serbia e rrezikshme për paqen në Ballkan/ Presidentja Osmani ka të drejtë që kritikon BE-në

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 20 prill 2022 Në ora: 11:19
Vjosa Osmani

Kosova vazhdimisht po trajtohet jo e barabartë me Serbinë në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli, që nga fillimi i tij në vitin 2009.

Dialogu Kosovë-Serbi filloi pak kohë pas miratimit të Rezolutës nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, sipas së cilës duhej të bisedohej për “çështje jetike për serbët”.

Ndërsa, nëntë vjet më parë, me 19 prill 2013 u nënshkrua marrëveshja e parë, ndërmjet kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçit, që ishte në mandatin e tij të dytë, dhe ministrit të Jashtë të Serbisë Ivica Daçiqit.

Marrëveshja veç të tjerash parashikonte formimin e një asociacioni për komunat me shumicë serbe, dhe e dizajnonte fuqinë e tij, po ashtu marrëveshja parashihte shpërbërjen e strukturave paralele.

Pavarësisht lëshimeve që bëri qeveria Thaçi, kompromiset vazhduan edhe me marrëveshjen e dytë, që e përcaktonte edhe më qartë strukturën e statusit të asociacionit, përkatësisht të kompetencave. Fatmirësisht pas një vale të gjatë protestash, që nga marrëveshja e vitit 2013, Gjykata Kushtetuese e shpalli antikushtetues në 23 pika të tij.

Që atëherë procesi nuk ka ecur me ndonjë marrëveshje të re, ndërsa BE-ja bën thirrje për realizimin e tyre.

Bashkimi Evropian nuk është treguar neutral, siç është pritur nga vetë detyrat që ia ka dhënë Rezoluta e Asamblesë së OKB-së, pasi ka anuar nga Serbia, e cila thuajse asnjë marrëveshje nuk e ka zbatuar.

Një akuzë të tille, e ka bërë të hënën edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila e ka kritikuar drejtpërdrejtë BE-në.

Ajo ka kërkuar që Brukseli të respektojë parimin e barazisë së palëve.

“Është përshtypja ime si presidente e Republikës që BE-ja akoma nuk ka folur me gjuhë të qartë sa i përket moszbatimit të marrëveshjeve nga ana e Serbisë. Serbia në praktikë vazhdon të bëjë të kundërtën e asaj që e ka nënshkruar, por BE-ja akoma nuk ka bërë thirrje publike në raport me Serbinë, ku ata janë prezent në dialog, por e shfrytëzojnë prezencën si obstruksion, pra e bllokojnë çdo marrëveshje”, ka thënë Osmani.

Presidentja ka përmendur kritikat e vazhdueshme të BE-së karshi Kosovës, derisa ka thënë se është i rëndësishëm roli i SHBA-ve në arritjen e marrëveshjes finale Kosovë Serbi.

Qarri: Presidentja ka të drejtë që kritikon BE-në

Lidhur me këtë, analisti Gani Qarri, thotë për gazetën “Bota sot” se Presidentja ka të drejtë që e kritikon BE-në.

“Në fakt Presidentja e vendit Dr. Vjosa Osmani ka plotësisht të drejtë kur e kritikon Evropën për mostrajtim të barabartë të Republikës së Kosovës në dialog me Serbinë, mungesën e reagimit të BE-së, kundër Serbisë për moszbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel, si dhe kërcënimet dhe pretendimet e vazhdueshme territoriale ndaj Republikës së Kosovës. Për aq më tepër, Serbia përveç vendosjes, para disa muajsh të ushtrisë së saj në pozicione agresioni luftarak kundër Kosovës, në kufirin verior, kohët e fundit brenda pesë ditësh u ndërmorën edhe 4-5 sulme të armatosura, përfshirë së paku një nga brendësia e territorit serb, mbi policinë e Kosovës në kufirin verior me Serbinë”, thotë ai.

Image
Gani Qarri

Por, sipas Qarrit, BE-ja nuk mund të kritikohet për punët që duhet t’i bëjë vet Kosova, teksa përmend fusnotën që e bëri Hashim Thaçi, që sipas tij është akti më famëkeq.

“Por BE-ja, nuk mund të kritikohet për punët që duhet t’i bëjë vet Republika e Kosovës, që tash e mbi një dekad, nuk ka ndërmarrë asnjë hap në atë drejtim: Kosova nuk mund të trajtohet në mënyrë të barabartë nëse ende edhe sot e asaj dite e mbanë në fuqi "fusnotën" e famshme të kuislingut Hashim Thaçi. Fusnota është akti më famëkeq, me të cilën Thaçi e zhvlerësoi Pavarësinë tonë dhe e ktheu Kosovën në një vend me status neutral, apo thënë-shkurt e shqip, e shndërroi në "krahinë" të Serbisë, prej kur edhe filluan bisedimet vetëm për çështjet e brendshme të Kosovës, me këtë shtet okupator”, vlerëson analisti.

Ai madje thotë se BE-ja nuk mund të fajësohet kur as pas 23 vitesh çlirim, Kosova ende nuk po ia arrin t’i zhbëjë grupet kriminale, e nuk mund të fajësohet as pse Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa nënshkruan marrëveshjen kundër kushtetuese për krijimin e asociacionit një etnik serb.

“BE-ja nuk mund të fajësohet nëse as pas gati 23 vitesh të çlirimit, Kosova jo vetëm që nuk arrin t’i zhbëjë grupet kriminale dhe t’i burgosë e t’i dënojë udhëheqësit e njohur të tyre, por prokuroria dhe gjykatësit e saj, me urdhra të politikës partiake, heqin edhe aktakuzat kundër kriminelëve kryesor, të cilët tash e mbi dy dekada nuk kanë lënë akt korruptiv e kriminal pa kryer në pjesën veriore të Kosovës, e ndoshta edhe më gjerë si Milan Radojçiqi, i cili bashkë me kryekriminelin Zvonko Veselinoviq besohet se janë organizatorë edhe të sulmeve të fundit terroriste, kundër policisë së Kosovës në kufi me Serbinë. BE-ja, e madje as vet Serbia, assesi nuk mund të fajësohen dhe as të kritikohen, pse Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa për interesat e tyre personale, nënshkruan marrëveshjen kundër kushtetuese për krijimin e asociacionit një etnik serb, marrëveshje të cilën, megjithëse është konstatuar nga Gjykata Kushtetuese se është e kundërligjshme dhe bie ndesh me mbi 23 nene të Kushtetutës, fatkeqësisht vazhdon të ekzistojë dhe as qeveria aktuale, nuk ka marrë guximin ta shfuqizojë e shpallë "nul" dhe inekzistente”, thekson Qarri për “Bota sot”.

Sipas tij, BE-ja dhe SHBA-ja nuk mund të marrin fajësi mbi vete pasi në Kosovë ka ende që flasin për shkëmbimin e territoreve.

“BE-ja, as SHBA-ja nuk mund të marrin kurrfarë fajësie mbi vete, se pse në momentet më kritike dhe pikërisht me rastin e vizitave të personaliteteve më të larta nga SHBA-ja dhe BE-ja, siç ishte vizita e z. Eskobar dhe Mirosllav Lajçak-ut, në Kosovë personalitetet kryesore udhëheqëse të PDK-së, si Vlora Çitaku e Ramë Buja, njëjtë si kuislingu Thaçi dalin dhe kërkojnë publikisht ndarjen e Kosovës, përderisa edhe vet SHBA-ja, si sponsorizuesi kryesor i çlirimit, pavarësimit dhe shtetndërtimit të Kosovës, janë deklaruar prerë, për ruajtjen e tërësisë territoriale dhe të kufijve aktual të Republikës së Kosovës”, thotë ai.

Qarri shton se Osmani ka të drejtë të kritikojë BE-në, derisa eksponentët e PDK-së, pa therë në këmbë, sikur e mbajnë publikisht anën e Serbisë, nuk duhet t’i japin shkelmin Kosovës.

“Madje presidentja Osmani ka plotësisht të drejtë ta kritikojë BE-në, pse ajo nuk i reagon Serbisë për mos zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog dhe nuk kërkon që edhe Serbia ta bëjë këtë, derisa Kosova ka përmbushur shumicën e marrëveshjeve të nënshkruara. Por, përderisa SHBA-së i mundësoi Republikës së Kosovës që ta formojë edhe zyrtarisht ushtrinë e saj, e Qeveria e vendit shpalli fondin e sigurisë për financimin e pajisjes së ushtrisë me armatimet moderne, dhe përderisa BE-ja kritikon ashpër sulmet terroriste nga territori i Serbisë, ndaj policisë së Kosovës, SHBA as BE, nuk mund të bëhen përgjegjëse, pse eksponentët e PDK-së, pa therë në këmbë, mbajnë publikisht anën e Serbisë, duke bërë thirrje, jo vetëm për shkarkimin e drejtorit të Policisë tonë, por edhe për mos financimin e fondit për pajisjen me armë të Ushtrisë së Kosovës. Kështu që megjithëse BE medoemos duhet të jetë, shumë më e ashpër me Serbinë, të mos mbajë anën e saj dhe të mos jetë kundër Kosovës, është fakt se për tu trajtuar e barabartë me Serbinë, këtë çështje nuk e ka në dorë SHBA as BE, por vet Kosova”, thekson analisti.

Ai thotë se Kosova duhet t’i heq të gjitha aktet që e pengojnë trajtimin e saj të barabartë, duke filluar nga fusnota.

“Prandaj, Kosova paraprakisht duhet t’i asgjësojë të gjitha aktet tashmë të njohura, që pengojnë trajtimin e saj në nivel të barabartë, duke filluar me anulimin urgjent të "fusnotës", shfuqizimin sa më parë të marrëveshjes kundër kushtetuese të asociacionit një etnik serb, dënimin e Thaçit dhe të Isa Mustafës si dhe miratimin e ligjit për dënimin e secilit individ apo grupimi politik, që guxon të kërkojë ndarjen, këmbimin e territoreve, ndryshimin e kufijve dhe faljen e veriut të vendit tonë Serbisë okupatore. Pra këto janë detyrat dhe obligimet që nuk mund t’i kryejë SHBA as BE, por medoemos duhet t’i kryejë e plotësoj sa më parë, vet Kosova”, thekson ai.

Krejt në fund Qarri thotë se presidentja, kryeministri, Qeveria aktuale dhe udhëheqjet institucionale e partiake duhet bërë çmos që Kosova të funksionojë si shtet.

“Dhe sado i brishtë e jofunksional, që mund të jetë, nëse Kosova vërtetë dëshiron të pranohet dhe trajtohet si shtet i njëmendtë dhe i barabartë, pikësëpari nga BE-ja, presidentja, kryeministri, qeveria aktuale dhe udhëheqjet institucionale e partiakë, nuk duhet t’i japin shkelmin për ta ndarë e copëtuar dhe shkatërruar sa më parë, por të bëjnë çmos që Kosova të funksionojë si shtet, sepse nuk mund të presin që edhe 23 vite pas çlirimit dhe mbi 14 sosh të shpalljes së pavarësisë, të vulosur edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë qysh më 22 korrik të vitit 2010, serish SHBA dhe BE t’i kryejnë edhe punët e brendshme të Republikës së Kosovës, nëse pretendojmë të jemi shtet dhe të njihemi e trajtohemi të barabartë nga të tjerët”, deklaron Gani Qarri për gazetën “Bota sot”.

Kelmendi: Në Ballkanin Perëndimor nuk sigurohet paqja me kriminelët serbë

Image
Muhamet Kelmendi

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike dhe juridike, Muhamet Kelmendi, thotë se në Ballkanin Perëndimor nuk sigurohet paqja me kriminelët serbë.

Ai përmend faktin që BE-ja vazhdimisht takohet e i respekton serbët, të cilët dihet se çfarë krime kanë kryer në Kosovë.

“Përgjegjësia e shtetit serb për gjenocidin në Kosovë nuk është realizuar. Pothuajse nuk kemi ndonjë përgjegjësi. Kjo, as individuale dhe as kolektive si shtet. Serbia dhe udhëheqja e saj me Vuçiqin po i mbajnë kriminelët afër vetes. Në konferenca të ndryshme me Vuçiqin shihen shumë kriminelë të luftës dhe të kësaj kohe. Kriminelët serbë po kërkohen për krime. Serbia i mban dhe i avancon. Shumë prej tyre janë në pushtet në Serbi. Të tillë janë Vuçiqi dhe Daçiqi, si udhëheqës të shtetit. Kemi edhe të tjerë, si Akeksadroviç, Spasiç, Simiç, Radojçiq e shumë të tjerë. Kriminelët po e udhëheqin shtetin serb. Natyrisht se Kosova nuk ka mundësi që të njëjtit t’i ndjekë, t’i kapë dhe t’i dënojë. Të njëjtit po respektohen nga BE-ja si udhëheqës të shtetit serb. Me ata po komunikon BE-ja. Takohen nëpër konferenca dhe në takime të ndryshme. Çdokush në BE e di se ku ka qenë Vuçiqi dhe çka ka bërë Daçiqi, Spasiçi a Vulini. E megjithatë, ata nuk ndiqen”, thotë Kelmendi për “Bota sot”.

Ai vlerëson se derisa BE-ja i toleron kriminelët dhe veprimet e tyre, rritet rrezikshmëria në Ballkan dhe kërcënohet Ballkani Perëndimor.

“Kjo e ka krijuar një gjendje të rëndë. Ka bërë punë negative në besueshmëri, si dhe çdo ditë që BE-ja i toleron kriminelët dhe veprimet e tyre, po rritet rrezikshmëria në Ballkan. Ballkani Perëndimor po kërcënohet. Askund nuk ka raste që shteti i lejon zgjedhjet e shtetit tjetër në shtetin e vet. Këtë e kërkon shteti serb. E kjo po respektohet nga BE-ja. Kështu po kërcënohet siguria. Ballkani dhe kryesisht Kosova po kërcënohen me agresion serb. Serbia po mobilizon ushtri e vullnetarë. Bashkëpunon dhe armatoset nga Rusia. BE heshttë. Dhe, kështu janë mobilizuar kriminelët e luftës dhe të paqes. Ata po mobilizojnë dhe po organizojnë veprimtari të ndaluara. Kjo e gjitha nën udhëheqjen e shtetit serb. Kosova mund dhe duhet të përgatitet. Nuk mund të përcaktojë përbërjen e palës serbe. Por, kërkohet të jetë e qartë dhe e vendosur në çështjen e vetë. I takon BE-së dhe SHBA-ve të merren me Serbinë dhe sa më parë që veprojnë, aq më mirë është për paqen dhe për sigurinë. Me kriminelë nuk ka të ardhme paqja në Ballkanin Perëndimor”, deklaron Muhamet Kelmendi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat