Të pakompromis ndaj krimit/ Reformat duhet të vazhdojnë me çdo kusht

Politika

Të pakompromis ndaj krimit/ Reformat duhet të vazhdojnë me çdo kusht

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 24 prill 2022 Në ora: 17:18
Foto ilustrim

Ka shënuar ngritje të lehtë në raportin e organizatës amerikane “Freedom House” për vitin 2022.

Por, sipas këtij raporti, Kosova ka ngecje në luftimin e korrupsionit e pavarësinë e gjyqësorit.

Rritja është shënuar në kategorinë e qeverisjes demokratike në vend, derisa Kosova radhitet sërish në grupin e qeverisjes hibride/demokraci tranzicionale.

Vlerësimet për pavarësinë e gjyqësorit janë rritur po ashtu në 2.75, ndryshe nga 2.50, sa ishte në raportin e kaluar, ndërsa të gjitha vlerësimet tjera mbeten të pandryshuara nga një vit më parë.

Por, si vlerësohet fakti që Kosova ka ngecje në luftimin e korrupsionit dhe pavarësinë e gjyqësorit?

Batusha: Ngecjet duhet evidentuar dhe adresuar

Image
Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Agon Batusha

Lidhur me këtë dhe raportin e “Freedom House” për vitin 2022, deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Agon Batusha, thotë për gazetën “Bota sot” se raporti është pozitiv.

“Raporti është pozitiv dhe Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që ka shënuar ngritje”, është shprehur ai.

Sa i përket ngecjeve, ai thotë se ato duhet evidentuar dhe adresuar.

“Ngecjet duhet evidentuar dhe adresuar. Kjo është konform agjendës sonë si mazhorancë dhe qeveri sidomos në raport me reformat që nevojiten”, vlerësoi deputeti.

Batusha ka përmend Vettingun në drejtësi, ligjin për pasurinë e pajustifikuar, që thotë se duhet të bëhen ndaj krimit.

“Vettingu në drejtësi, aplikimi i ligjit për pasurinë e pajustifikuar dhe reformat të ngjashme duhet të vazhdojnë të bëhen me çdo kusht e pakompromis ndaj krimit”, deklaroi Agon Batusha për gazetën “Bota sot”.

Duhanaj: Kosova më mirë se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimo

Image
Analisti politik, Leon Duhanaj

Ndërsa, analisti politik, Leon Duhanaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot” thotë se Kosova në shumicën e temave është më mirë se shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Kur flasim për raportet ndërkombëtare për Kosovën, duhet të kemi një gjë parasysh. Ka vite që unë personalisht kam shprehur rezerva të mëdha rreth objektivitetit të këtyre raporteve. Nëse ua bëjmë një analizë të thjeshtë të gjitha shteteve në Ballkanin Perëndimor, del në pah se Kosova është në shumicën e temave me mirë se shtetet përreth”, thotë ai.

Ndërsa, analisti ka një sqarim se pse Kosova ka kritika të mëdha, ku thotë se problemi është i brendshëm.

“Arsyeja pse Kosova del çdoherë me kritika të mëdha qëndron në Kosovë. Shumica e raporteve hartohen nga organizata të shoqërisë civile, të cilat paguhen me fonde të shumta, por që për fat të keq bëjnë punë të pakta dhe ka vite që kanë qenë në shërbim të politikave ditore”, thekson Duhanaj.

Ai shton se në këtë ka ndikuar edhe perceptimi i errët në të gjitha zhvillimet në Kosovë.

“Pos kësaj kanë ndikuar që të kemi një perceptim publik tejet të errët për të gjitha zhvillimet në Kosovë. Ky perceptim është krijuar në masë të madhe nga thashethemet që krijohen kafeneve dhe rrugëve të Prishtinës. Kjo nuk nënkupton që i tërë raporti të jetë jo objektiv sepse ka gjëra që pasqyrojnë realitetin në Kosovë”, vlerëson Leon Duhanaj.

Më tej, ai përmend faktin që në raport janë përmendur Thaçi e Haradinaj, derisa thekson se si mund të përmendet Thaçi kur ai ka 1.5 vite që nuk ka kontakt me Kosovën.

“Për shembull, ishte një pjesë aty ku flitej për ndikimin e madh të z. Thaçi e z. Haradinaj në jetën publike në Kosovë. Si paska mundësi të ketë z. Thaçi të ketë ndikim në Kosovë kur tashmë dy vite fizikisht pa kontakt me Kosovën. Aq më pak kur e tërë partia e tij, por dhe pjesa tjetër e opozitës janë të pafuqishme edhe për nisma të thjeshta parlamentare”, është shprehur analisti.

Krejt në fund, ai thotë se Kosova duhet të këndellet në të gjitha aspektet.

“Kosova duhet të këndellet në të gjitha aspektet. Jo vetëm politika është sfera problematike, por edhe shoqëria civile, e cila bën gjysmë punësh, e njëjtë është gjendja edhe në disa qarqe të mediave ku kemi një frymë agresive të prodhimit të lajmeve pa kriter veç për klikime. Pra, kemi nevojë për këndellje kolektive të bëhemi pak më të moralshëm në sjelljet tona të përditshmërisë”, thekson analisti Leon Duhanaj për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat