A do të spastrohet Kosova nga shërbimet sekrete ruse-serbe, kineze?!

Politika

A do të spastrohet Kosova nga shërbimet sekrete ruse-serbe, kineze?!

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 30 prill 2022 Në ora: 10:42
Vladimir Putin dhe Aleksandar Vuçiq, foto ilustrim nga "Bota sot"

Sipas raportimeve dhe informacioneve që kanë siguruar senatorët amerikan, rezulton se ndikimi rus në Kosovë dhe rajon është rritur.

Së fundmi, senatorja Amerikane Shaheen tha se në vizitën në Ballkanin Perëndimorë ka gjetur gjurmë të gishtërinjve të Putinit dhe ndikimit malinj rus.

“Ballkanin e kam vizituar në vitin 2010, dhe mund të them se në të gjitha vendet që kam vizituar tani, jam shumë më e shqetësuar për situatën politike në Ballkan tani se në vitin 2010”, tha ajo.

Edhe Freedom House, konstaton se në Kosovë ka pasur ndikime në vendime të qeverive, shërbimet serbe, ruse, kineze, turke...

Por, çfarë do të bëhet, si do të pastrohet Kosova nga ndikimi rus, kinez etj në qeveri, dhe brenda Kosovës, për “Bota sot”, kanë folur disa njohës të çështjeve politike.

Kurti të nxjerrë ligje në mbrojtje të Kosovës ndaj ndikimeve ruse e serbe”

Image
Analisti politik Sulejman Mehazi

Lidhur me këtë, analisti politik Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se nga këto ndikime kanë pësuar shqiptarët më së shumti, madje ai e thekson se ‘haraçi’ më i madh i shqiptarëve i është bërë e i bëhet nga Serbia.

“Si gjithmonë në shtetet ballkanike interesat ndikuese ruse-serbe, kineze, turke, po edhe greke kanë qenë e do jenë prezente dhe më tej, prej këtyre ndikimeve më së shumti kanë pësuar shqiptarët, në Gadishullin Ballkanik secili popull i ka borxh njëri tjetrit, haraçe më të mëdha nga të gjitha popujt e Ballkanit ju kanë shqiptarëve, haraçi më i madh ndaj shqiptarëve, sidomos ndaj Kosovës është Serbia e ish-Jugosllavisë që ua vodhi gjysmën e territoreve shqiptareve. Këto haraçe serbe-ruse kanë hyrë aq thellë në vetëdijen e politikanëve, opinionistëve, mediave e intelektualëve të pandershëm shqiptarë sa që janë infektuar rëndë nga këto sëmundje ndikuese të pashërueshme malinje kancerologjike serbe, ruse, greke e turke, aq sa Kosova, Shqipëria e RMV-ja nuk mund t'ia gjejnë diagnozën e shërimit e shpëtimit nga këto ndikime vdekjeprurëse për shqiptarët në përgjithësi e Kosovën në veçanti”, tha ai.

Tutje shtoi se Kosova është në rrezik edhe nga Rama, madje ai e përmend edhe Ballkanin e hapur të Vuçiqit.

Gjurmët e Putinit

Më tej theksoi se duke u bazuar në deklaratën për gjurmët e Putinit, Kurti duhet të jetë më syçelë ndaj ndikimeve të rrezikshme, madje Mehazi propozon që të nxirren edhe ligje ndaj ndikimeve të rrezikshme.

“Kosova jo që është në rrezik nga ndikimet serbo-sllave, por është në rrezik edhe nga vetë qeveria shqiptare e Edi Ramës, sidomos, me atë Ballkanin e hapur famoz të Vuçiqit, jo vetëm kaq, po Kosova është në rrezik nga opinionistë e media të shitura serbe të cilët veprojnë hapur e pa frikë kundër Republikës së Kosovës të cilët me opinionet e tyre ushqejnë ndikimet serbe e ruse në Kosovë. Paralajmërimet e rrezikshme serbe-ruse vijnë edhe nga Senatorja Amerikane, Shaheen, e cila gjatë vizitës në Ballkanin Perëndimorë "ka gjetur gjurmë të gishtërinjve të Putinit dhe ndikimit malinj rus", të njëjtin mendim e thotë edhe Freedom House, i cili konstaton se në Kosovë ka veprimtari me ndikim ne qeveri, të shërbimeve serbe, ruse, kineze, turke...”.

Ai thotë se këto mesazhe janë alarm serioz, me të cilin duhet të merret qeveria Kurti.

“Këto vërejtje serioze të funksionarëve të lartë amerikan dhe evropian ia bëjnë me dije kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, që të jetë më syçelë ndaj këtyre ndikimeve të rrezikshme, ai si e qysh e sa më shpejt sa nuk është vonë, të nxjerrë ligje të rrepta në mbrojtje të Kosovës ndaj këtyre ndikimeve armiqësore ruse e serbe. Nëse qeveria e Kosovës nuk bëhet e pamëshirshme ndaj këtyre ndikimeve serbe, ruse e kineze atëherë baroti i parë i zjarreve luftarake në Ballkanin Perëndimor pas Ukrainës do jetë Kosova”, ka potencuar Sulejman Mehazi.

Në BE dyshime për ndikim në qeverisje nga Lindja

Image
Analisti politik Leon Duahnaj

Analisti politik Leon Duahnaj, potencoi se konstatimi i senatores nuk është i befasishëm, sepse agjenturat antishqiptare kanë ndikim dhe përcaktojnë agjenda të shumta shoqërore, madje sipas tij, janë të kontrolluara nga shërbimi rus.

“Për sa i përket temës së ndikimit të agjenturave antishqiptare, kam dhënë mendimin tim me dhjetëra herë duke shprehur bindje se në Kosovë ka ndikime të tilla dhe se për fat të keq, na i përcaktojnë shumicën e agjendave shoqërore. Pra, ky konstatim i senatores së nderuar amerikane znj. Shaheen, për mua nuk është aspak i befasishëm. Se Kosova konsiderohet si vend i ndikuar nga agjenturat serbe-turke e aziatike me theks të veçantë Arabinë Saudite, e që të gjitha këto janë të koordinuara dhe të kontrolluara nga shërbimi rus, prapë nuk është befasi, pasi që këtë mendim intern e kanë edhe shtetet e Bashkimit Europian. Pra, në BE, ka shumë shtete që jozyrtarisht Kosovën, përkatësisht qytetarët e saj i shohin si dorë e zgjatur e këtyre agjenturave, përmes të cilëve synohet Europa”, tha ai.

Ai ka përmendur edhe disa segmente në të cilat ndikojnë agjenturat, duke filluar nga ato politiko- gjeostrategjike, kulturore, si dhe në ato ekonomike.

Ai i përmend edhe trazirat e marsit 2004, me ç’rast ishte edhe pasqyra më e errët e kombit.

“Kur i kam kuptuar këto fakte, për mua ka qenë lajm i pakapërdishëm, të cilin edhe e kam bërë publik, por që nuk kam pasur kur t'i them. Se ne jemi të ndikuar nga këto agjentura, të cilat vërehen kryesisht në disa segmente, e që si më interesante po i përmend 3 nga to: 1. Në ato politiko-gjeostrategjike 2. Kulturore-strategjike 3. Ekonomike.

Po i trajtoj të ndara, edhe pse në ekzekutimin faktik janë të ndërlidhura. Segmenti, apo aspekti politik- siç edhe është e njohur nga publiku i gjerë, po i përmend vetëm disa fakte për të cilat edhe është bërë zhurmë e madhe. - Trazirat e marsit 2004, kanë qenë pasqyra më e errët që kemi mundur ta prezantojmë si komb. Kjo na është hakmarrë më pastaj me 6 pikat e Ban Ki Munit, në negociatat e Vjenës, në statusin e shtetit të mbikëqyrur, e deri edhe sot kur kemi eksterritorialitet të kishave nëpër Kosovë e që konsiderohen si serbe, e gjerë tek përpjekja edhe për më shumë përmes asociacionit”, shtoi Duhanaj.

Më tej ai u shpreh se janë disa raste, që mund të dyshohet se kanë të bëjnë me ndikimin rus, edhe pse nuk përmend asnjë informacion apo burim, që e konfirmon këtë.

“Maskarada në raport me temën e demarkacionit me Malin e Zi, për të cilën të gjithë miqtë ndërkombëtarë, e gjithë bota demokratike na luti të mos e bëjmë dhe ta mbështesim demarkacionin, sepse ishte me efekt gjeostrategjik për NATO-n. Tani më të freskët e kemi rastin e refuzimit të gazit amerikan. etj. etj. - Aspekti kulturor - Për mendimin tim, në këtë segment fshihet edhe çelësi i suksesit të agjenturave. Interesat gjeopolitike pansllaviste, në masë të madhe janë duke u promovuar nga segmente fetare. Filloi menjëherë pas lufte me disa persona të ashtuquajtur vehabist por që nga segmente të UNMIK -ut sugjerohej t'u jepet hapësira e duhur, si e drejtë elementare për ta ushtruar besimin e tyre”.

Tutje deklaroi se trazira e 2004-es u shfrytëzua, dhe me qëllim të kryenin krime përmes djegies së objekteve fetare- ortodokse, duke treguar se shqiptarët nuk janë europian, por duke e ndihmuar Serbinë në ndërtimin e narracionit, se shqiptarët janë mysliman ekstremist.

“Dikur filluar të rriten dhe aktet e para, apo frytet e para të këtyre agjenturave kulmuan në kuadër të trazirave të marsit 2004. Përderisa shumë qytetarë shprehen me të drejtë mllefin e tyre nga neglizhencat e UNMIK-ut në proces, grupe të caktuara e shfrytëzuan këtë situatë për ta nxjerrur në pak një pasqyrë të pazakontë dhe të panjohur në historinë e shqiptarëve. Pra, u organizuan dhe qëllimshëm kryen krime përmes djegies së objekteve fetare ortodokse me pretendime edhe më gjerë. Këto akte turpi, ja ndihmuan Serbisë ndërtimin e besueshëm të narracionit, se shqiptarët nuk janë europian, siç ishte bindur dhe kishte besuar bota përgjatë viteve të nëntëdhjeta. Me ç'rast do forcohej duke u bërë i besueshëm narracioni serb mbi shqiptarët. Për fat të keq, ky avaz veç sa ka shkuar duke u rritur. Ka vite që në Kosovë asnjë proces zgjedhorë në nivel zgjedhor nuk fitohet pa bekimin e Bashkësisë Islame përkatësisht Turqisë zyrtare që ndikimin e saj e përfaqëson dhe ushtron përmes organizatës TIKA dhe Bashkësisë Islame në Kosovë”, ka theksuar Duhanaj për “Bota sot”.

Normë e sjelljes?

Ai shtoi se islami politik tani manifestohet në të gjitha institucionet, madje ai pyet, se si kanë besuar shqiptarët e besimit islam pa bërë propagandë. Më tej u shpreh se në ramazan kemi edhe refuzime të punës në lokale, gjë që do të thotë se tani praktikimi i riteve fetare është shndërruar në normë të sjelljes.

“Kjo qasje tashmë ka marrë masë. Sot islami politik manifestohet gjithandej, edhe në institucionet shtetërore, qoftë shkolla, fakultete apo administratë. Sheshet e qyteteve mbushen me kinse agjërues duke servuar iftare rrugëve. Këtu shtrohet pyetja, si kanë besuar shqiptarët e besimit islam nëpër breza pa bërë propagandë? Edhe atëherë ka pas agjërim dhe besim, por ka qenë pa propagandë politike! Agjërim ka edhe në fetë e krishtera. 40 ditë e netë agjërohet edhe tek katolikët. Njoh me dhjetëra njerëz të ri e mos të flasim për gjenerata me të vjetra e sidomos gratë që agjërojnë, por kurrë nuk bëhen "modë" kolektive, as kurrë nuk bëhet propagandë me të, sepse është akt besimi dhe si i tillë është dhe duhet të jetë personal, individual. Në kohë ramazani, kemi refuzim të punës në shumë lokale, e mos të flasim për shërbim të pijeve alkoolike. Praktikimi i riteve fetare në orar të punës gjithandej, administratës publike, shkolla e fakultete, madje edhe në shërbimet në institucionet e sigurisë si Policia e Kosovës dhe FSK është shndërruar në normë të sjelljes por që është në kundërshtim me Kushtetutën e Vendit dhe vlerat të cilat deklarativisht i shprehim para botës”, shtoi tutje ai.

Duhanaj më tej potencoi se çelësi i këtij suksesi të dregradimit është se aspekti ekonomik vazhdimisht ka dështuar, madje sipas tij, shumë politikan edhe shërbehen nga agjentura të caktuara.

Tutje u shpreh se disa qytetarë janë shndërruar si mekanizma, dhe përdoren vetëm kur kanë nevojë.

Ai shton se ne nuk jemi vetja, ne vetëm e shpërfaqim pafytyrësinë, andaj ka kaq shumë hezitim, dhe nuk duhet të na befasojë fakti për mosliberalizim të vizave.

“Të tillët, manipulohen me pak, duke ua dhënë nga një pagë skamnore, disa ndihma simbolike për festa të caktuara apo edhe ndonjë ha bukë siç janë iftarët. Një masë e gjerë e qytetarëve janë venë nën kontrollë të plotë si pasojë e shpëlarjes së trurit vite me radhë dhe, janë shndërruar si mekanizëm votues, për t'u përdorur kur ka nevojë për ta. Të gjitha këto gjera i njeh bota perëndimore, aty ku ne zyrtarisht synojmë të bëhemi pjesë. Prandaj edhe gjithë ky hezitim karshi nesh, sepse ne nuk jemi vetvetja. Ne as nuk po prezantohemi siç jemi, as siç duam të jemi, por po pretendojmë ta luajmë dyfytyrësinë, e në fakt po e shpërfaqim pafytyrësinë”, përfundoi Leon Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat