Kjo qeveri nuk është binom krimi / Shteti e ka rikthyer autoritetin e tij në veri

Politika

Kjo qeveri nuk është binom krimi / Shteti e ka rikthyer autoritetin e tij në veri

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 26 maj 2022 Në ora: 16:33
Pamje nga vendi i ngjarjes

Ditën e hënë Policia e Kosovës ndërmori dy aksione anti-drogë, në Ferizaj dhe në veri të vendit në komunën e Zvecanit.

Gjatë aksionit zyrtarët e policisë dhe doganave janë gjuajtur me armë zjarri, por fatmirësisht nuk është plagosur askush.

Në veri është zbuluar një laborator për kultivimin e marihuanës me mbi 10.000 fije bimë të gatshme për t’u shitur në treg, ilegalisht.

Image
Pas shkatërrimit të laboratorit në veri të vendit, Izvor, vlera e drogës së konfiskuar e cila tashmë po shkatërrohet ka rezultuar në vlerë 6 milonë euro ndërsa vlera e paisjeve 1.5 milionë euro.

Një gjë të tillë e kishte njoftuar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ai ka përgëzuar Policinë e Kosovës, duke thënë se “ky është rezultat i vendosmërisë së madhe duke bërë kështu që çdo ditë e më shumë vendi ynë të çlirohet nga krimi”.

Image
Xhelal Sveçla

Derisa edhe në Ferizaj, Policia e Kosovës ka konfiskuar 73 kilogramë drogë të llojit heroinë, para të gatshme, telefona dhe vetura, në tri lokacione në rajonin e Ferizajt.

E, që në lidhje me këtë rast janë arrestuar 15 persona.

Shala: Përmes vendosmërisë, qëndrueshmërisë dhe konsistencës në atë pjesë mund të forcohet rendi kushtetues përmes institucioneve

Image
Drizan Shala

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala në një bashkëbisedim për “Bota sot” thotë se pavarësisht sfidave dhe pengesave të shumta, Kosova ka rikthyer autoritetin e saj në veri.

Sipas tij, vetëm përmes vendosmërisë, qëndrueshmërisë dhe konsistencës mund të forcohet rendi kushtetues përmes institucioneve relevante të shtetit tonë.

“Shteti përmes mekanizmave të tij të sigurisë që nga 2011 e tutje ka rikthyer autoritetin e tij në atë pjesë, pavarësisht sfidave dhe pengesave që janë bërë atje nga strukturat paralele të shtetit të Serbisë. Lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, spiunazhit ka mbet prioritet i institucioneve të sigurisë në atë pjesë dhe vendosmëria për të mos u tërhequr nga orientimi dhe prioriteteve që janë vendosur përgjatë dekadës së fundit mund të themi që vetëm përmes vendosmërisë, qëndrueshmërisë dhe konsistencës në atë pjesë mund të forcohet rendi kushtetues përmes institucioneve relevante të Prishtinës zyrtare”, thotë ai.

Shala thekson ndër tjera se, qeveria duhet të bëjë një rishikim të buxhetit për të rritur kapacitetet e sigurisë, e që do të thotë të ketë më shumë efikasitet në luftën kundër krimit sidomos në veri.

“Qeveria duhet sa më parë gjatë rishikim buxhetor të rimendojë në rritjen e kapaciteteve aktuale të institucioneve të sigurisë si dhe mbështetjen ekonomike sociale për zyrtarët e saj që më pastaj do të përkthehej në efikasitet, në luftën kundër krimit në çdo pjesë të vendit e në veçanti në veri”, deklaron ai.

Halimi: Tolerimi ndaj dukurive kriminale në veriun e vendit ka bërë që ajo zonë të duket si hapësirë me tretman ndryshe e Kosovës

Image
Armend Halimi

Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë (ISS), shprehet se tolerimet që janë bërë në atë pjesë të vendit janë bërë për dy arsye, ato politike dhe për interes të njerëzve të lidhur me krimin.

“Lëshimet nga e kaluara, apo tolerimi ndaj dukurive kriminale në veriun e vendit ka bërë që ajo zonë të duket si hapësirë me tretman ndryshe nga pjesa tjetër e Kosovës. Në fakt e gjithë kjo ka ndodhur për dy arsye: politike, por edhe në interes të vet njerëzve në Prishtinë të lidhur me krimin”, thotë ai.

Ai tutje shton, se kjo qeveri nuk është binom me krimin, andaj edhe po ka edhe vullnet për luftimin e kriminalitet.

“Andaj, nuk ka pasur vullnet për shtrirjen e sovranitetit apo futjes nën kontroll ligjor të asaj pjesë. Duke qenë kështu, edhe masat më të rëndomta policore, shihen si aksione speciale, gjë që në fakt çdo ditë ushtron këto aktivitete të organeve të sigurisë në pjesë të tjera të vendit. Me pak fjalë, po, kjo qeveri po dëshmon se në radhë të parë nuk është binom krimi, s’paku jo në atë pjesë, dhe ka vullnet të luftimit të kriminalitetit, me ç’rast edhe ka përparim në këtë drejtim”, përfundoi Armend Halimi për “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat