A e pengoi Qeveria e Shqipërisë njohjen e Kosovës nga Greqia?! / Edi Rama dhe “Open Ballkani”

Politika

A e pengoi Qeveria e Shqipërisë njohjen e Kosovës nga Greqia?! / Edi Rama dhe “Open Ballkani”

Arife Morina Nga Arife Morina Më 13 qershor 2022 Në ora: 11:46
Liderët rajonalë, pjesëmarrës në samitin e “Ballkanit të Hapur”

Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Greqisë po bëhen gjithnjë e më të ngushta. Nuk duket shumë e largët dita kur shteti grek do ta njoh pavarësinë e Kosovës.

Të gjithë këtë optimizëm se mund të ndodh kjo në një kohë shumë të shkurtër e japin vizitat dhe takimet e shumta diplomatike mes udhëheqësve të Kosovës dhe Greqisë.

Vetëm pak ditë më parë, ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias erdhi për vizitë në Prishtinë, ku takoi krerët shtetëror të vendit.

Ndërsa, në fund të javës, ishte presidentja Vjosa Osmani e ftuar në samitin në Selanik, ku mori pjesë edhe kancelari gjerman Olaf Sholc, dhe drejtues shteti të tjerë, si kryeministri Rama, presidenti i Serbisë etj.

Në pritjen që presidentja Osmani ia bëri shëfit të diplomacisë greke Dendias, ajo u shpreh se “shpresojmë që së shpejti të formalizohet vendimi për njohjen”.

Duke e bërë të qartë se në aspektin diplomatik gjërat kanë përfunduar, sikurse edhë në atë praktik, dhe se ka mbetur vetëm momenti solemn i formalizimit të njohjes.

Kuçi: Greqia është e afërt me Kosovën sepse kjo i kërkohet nga SHBA-ja

E lidhur me këtë, në një prononcim për “Bota sot” foli doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

Image
Gurakuç Kuçi

Sipas tij, shteti grek ka qenë shumë afër njohjes së pavarësisë së Kosovës vitin e kaluar, por fajtorë që kjo gjë nuk ndodhi është “Ballkani i hapur” dhe sulmet e Ramës ndaj Kosovës.

Greqia ka qenë afër njohjes së pavarësisë së Kosovës që në vitin e kaluar, mirëpo kjo njohje është humbur për shkak se u hap shumë çështja e “Ballkanit të hapur” nga Shqipëria dhe Serbia dhe deklaratat sulmuese aso kohe për këtë çështje nga kryeministri i Shqipërisë ndaj Kosovës, ia ndryshuan qasjen Greqisë”, deklaroi ai.

Mirëpo, Kuçi vlerësoi se tani kanë ndryshuar rrethanat gjeopolitike dhe me këtë është rikthyer mundësia e njohjes së Kosovës nga Greqia.

Madje, ai potencoi se Greqia është e afërt me Kosovën sepse kjo gjë i kërkohet nga SHBA-të.

Por, ndryshimet e rrethanave gjeopolitike në botë në këtë vit dhe ritheksimi gjeopolitik i Perëndimit për Ballkanin Perëndimor e rikthyen prapë mundësinë e njohjes së Kosovës nga Greqia. Kjo e fundit e ka kuptuar që përkundër se të gjithë fqinjët e Kosovës e duan këtë të fundit si një territor të ndarë dhe shpërbërjen e Kosovës si shtet ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, është SHBA-ja ajo që nuk lejon të ndodhë një gjë e tillë. Andaj edhe Greqia është e afërt me Kosovën sepse kjo i kërkohet nga SHBA-ja dhe se me patjetër që Greqia synon të mbajë influencë në Kosovë në forma të ndryshme duke filluar nga ajo kulturore si një përgjigje ndaj Turqisë”, theksoi doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Ndër të tjera, ai tha se është shumë e rëndësishme që Kosova të sigurojë njohjen e Greqisë dhe këtë ta bëjë sa më shpejt që pasi kjo do të ishte një avantazh i menjëhershëm

Sa i përket çështjes së njohjes formale dhe faktike, sipas të drejtës ndërkombëtare njohja mund të ndodhë në forma të ndryshme dhe një nga ato është që në momentin që krijojnë kontakte, dërgojnë përfaqësues tek njëri-tjetri, apo edhe me vizitë dhe jo vetëm duke ofruar një notë diplomatike si njohje. Megjithatë, kjo çështje mbetet fluide në kohën tonë pasi kemi raste kur kontaktet janë të vazhdueshme dhe mungon njohja formale. Është e rëndësishme që Kosova të sigurojë njohjen e Greqisë dhe këtë ta bëjë sa më shpejtë që pasi kjo do ishte një avantazh i menjëhershëm”, u shpreh Gurakuç Kuçi për “Bota sot”.

Mehazi: Nuk mbahet mend të vizitohet Kosova aq shumë nga shtetet tjera sesa Greqia

Ndërsa, profesori Sulejman Mehazi për “Bota sot” u shpreh optimist se Greqia do ta njohë shumë shpejt Kosovën, pas vizitave dhe takimeve diplomatike mes dy vendeve.

Image
Sulejman Mehazi

Ai konsideron se këto takime janë sinjale se po bëhet diçka e mirë për Kosovën nga ana e palës greke.

Edhe pse po stërzgjatet si shumë njohja e Kosovës nga Greqia, por shpresat ekzistojnë, themi kështu për shkak se takimet e shpeshta diplomatike Kosovë-Greqi e Greqi-Kosovë na detyrojnë të shpresojmë se këto takime miqësore, të kujdesshme e të matura paralajmërojnë njohjen e Kosovës nga Greqia. Ardhjet dhe shkuarjet e shpeshta diplomatike të dy shteteve tregojnë se po bëhet diçka e mirë për Kosovën nga ana e palës greke dhe se pas këtyre ceremonive diplomatike Greqia do ta njoh Kosovën”, deklaroi profesori.

Më tej, Mehazi vizitën e ministrit grek në Kosovë dhe takimet me krerët shtetëror dhe përfaqësuesit e bashkësive ndërkombëtare në vend, e vlerësoi si shumë pozitive.

Vizita e befasishme e Ministrit të Diplomacisë greke, Nikos Dendias, në Kosovë dhe takimi i tij jo vetëm me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanit, me kryeministrin Albin Kurtin, me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimin, por edhe me përfaqësuesit më të lartë të huaj brenda Kosovës, siç janë përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Prishtinë (UNMIK), Këshilli i Evropës, OSBE, EULEX, Zyra e BE/EUSR, KFOR-i dhe ambasadorë nga vendet e QUINTI-t, përkatësisht Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, ShBA-ja dhe Italia), japin shenja të qarta se këto takime të ngjeshura të Ministrit të Jashtëm të Greqisë, Dendias, do të kurorëzohen me njohjen e Kosovës nga Greqia. Dhe vetë presidentja e Kosovës, Osmani, u shpreh se këto takime reale e faktike me Greqinë do zëvendësohen e realizohen me njohje formale greko-kosovare”, nënvizoi ai.

Madje, profesori tha se asnjë shtet tjetër nuk e ka vizituar Kosovën më shumë kohëve të fundit, se sa Greqia.

Prandaj, edhe ekziston optimizmi për njohjen e pavarësisë nga pala greke.

Nuk mbahet mend të vizitohet Kosova aq shumë nga shtetet tjera sesa Greqia, pikërisht vizitat e panumërta të palës greke në Kosovë na japin optimizmin e njohjes së shpejtë të Kosovës nga Greqia.

Faktikisht njëra ndër diplomacitë që më së shumti e ka vizituar Kosovën është ajo greke, bile më shumë sesa shtetet që e kanë njohur Kosovën, të gjitha këto japin argumente të njohjes së Kosovës nga ky shtet i BE-së”, përmbylli Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat