A po iu vjen fundi politikanëve, gjyqtarëve e prokurorëve të korruptuar?

Politika

A po iu vjen fundi politikanëve, gjyqtarëve e prokurorëve të korruptuar?

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 20 qershor 2022 Në ora: 14:59
Foto ilustrim

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu kanë njoftuar se Komisioni i Venecias ka vlerësuar pozitivisht koncept-dokumentin e Qeverisë së Kosovës për Vetting në drejtësi dhe Projektligjit të Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Kryeministri Kurti ka deklaruar se me këtë vlerësim Kosovës iu dha drita e gjelbër për nisjen e zbatimit të këtyre dy proceseve.

“... Vettingu është i domosdoshëm, porsi edhe konfiskimi i pasurisë i fituar në mënyrë të paligjshme. Sot fillojmë me jetësimin e punës një vjeçare të Ministrisë së Drejtësisë, në realizimin e këtyre proceseve jetike për Kosovën, me përkrahjen e Komisionit të Venecias”, u shpreh kryeministri Kurti Kurti, ndërsa shtoi se projektligjet do t`i dërgohen Kuvendit në afat rekord.

Ndërkaq, sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, këto nisma të rëndësishme janë mbështetur nga anëtarët e Komisionit të Venecias në seancën e 17 qershorit.

“Tashmë kemi marr dritën e gjelbër për të filluar me procesin e Vetting-ut, por po ashtu edhe për të formalizuar punën e Byrosë Shtetërore për Konfiskim e Pasurisë së Pajustifikueshme”, ka thënë Haxhiu.

Procese për pastrimin e drejtësisë

Vendi ynë për vite me radhë ka lënguar nga drejtësia e dështuar. Raste të shumta kriminale kanë mbetur të pazgjidhura si pasojë e dështimit të sistemit të drejtësisë.

Për këtë arsye, Vettingu po mirëpritet të fillojë për shkak se nënkupton procesin e rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim ngritje e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.

Zyrtarët publikë ndaj të cilëve ekzistojnë dyshime se pasuria e tyre është fituar në mënyrë të kundërligjshme pritet të jenë subjekt i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë, Komisioni i Venecias sipas Kurtit, ka kërkuar edhe zgjerim të kompetencave.

Miftaraj: Të njëjtat dokumente, lexohen dhe kuptohen ndryshe nga politika, ndryshe nga juristët

Image
Ehat Miftaraj

 

Ndonëse, këto dy projektligje janë lavdëruar nga kryeministri Kurti dhe ministrja e Drejtësisë Haxhiu, drejtori Ekzekutiv i Institutit të Kosovës për drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë se janë dy opinione të komisionit të Venecias, që kuptohen ndryshe nga politika dhe ndryshe nga juristët.

“Janë dy opinione të Komisionit të Venecias, një për Vetting dhe një për Byro. Interesant sesi të njëjtat dokumente, lexohen dhe kuptohen ndryshe nga politika, ndryshe nga juristët.

Vetting po, por jo si është kërkuar. Sidoqoftë, fillim i mirë, dhe tash kërkesa të zbatohet në praktikë pikë për pikë sipas rekomandimeve në opinion. Sfida, të binden partneret ndërkombëtarë dhe të arrihet konsensusi politik.

Byroja Jo si është propozuar. Propozimi i Qeverisë ka të meta të mëdha që cenojnë sigurinë juridike, cenojnë sistemin aktual, cenon të drejtat dhe liritë themelore, sipas Komisionit të Venecias”, është shprehur Miftaraj.

Qarri: Ndëshkim ndaj profileve të larta të akuzuara për korrupsion

Image
Gani Qarri

 

Analisti Gani Qarri thotë për gazetën “Bota sot”, se pas vlerësimit pozitiv nga Komisioni i Venecias për koncept-dokumentin e Qeverisë së Kosovës për Vettingun përfundimisht u hoq edhe dilema e fundit, për jetësimin e reformave të domosdoshme në drejtësi.

“Mbështetja nga Komisioni i Venecias dhënë Projektligjit të Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ka harmonizuar të gjitha çështjet e hapura dhe saktësuar detajet e finalizimit përfundimtar të pakos për reformën në sistemin e drejtësisë, duke i hap rrugë Kosovës, që të nisë menjëherë me zbatimin e të dy këtyre proceseve me rëndësi jetike për vendosjen e shtetit të së drejtës, ligjit dhe drejtësisë së njëmendtë në vend, si njëri nga kushtet parësore edhe në rrugëtimin drejt integrimit në BE”, thotë ai.

Për Qarrin, ky nuk është vetëm një sinjal, por edhe momenti vendimtar, që edhe në Kosovë, të përfundojë njëherë e mirë, fenomeni i njohur i mos-ndëshkueshmërisë.

“Sidomos kur me akuza për korrupsion dhe krim të organizuar përballen zyrtar të profilit të lartë, të cilët sipas organizatave që në vijimësi monitorojnë punën e drejtësisë, jo vetëm shpëtojnë lehtë nga ndjekja penale, por edhe kur dënohen, marrin vetëm dënime minimale të shndërruara në shlyerje me pagesë monetare, apo gjykimet e tyre shtyhen deri në afatin e parashkrimit të lëndëve dhe nuk dënohen fare.

Kështu që gjatë gjithë këtyre viteve, me të drejtë ka pasur kritika të vazhdueshme në adresë të gjyqtarëve dhe prokurorëve të kapur e të korruptuar, veprimet e të cilëve pothuajse gjithmonë kanë qenë të ndikuara nga politika dhe ka munguar pavarësia në punën e tyre, akt që ka çuar në punën tepër të ngadaltë dhe vjetërsimin e qëllimshëm të lëndëve nëpër gjykata”, është shprehur ai.

Kosova në listat e zeza të raporteve ndërkombëtare

Ai ka rikujtuar se ky perceptim nuk ekzistonte vetëm tek qytetarët dhe opinioni në Kosovë, por ka shumë vite që edhe në indeksin e korrupsionit të organizatës ndërkombëtare “Transparency International”, Republika e Kosovës prezantohet në grupin e vendeve me nivelin më të lartë të korrupsionit.

Ky vlerësim është referuar, jo vetëm njëherë edhe në gjetjet e raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), ku thuhet qartë, se Kosova nuk ka bërë luftë të mjaftueshme dhe efektive kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend.

Fakti se drejtësia e kapur në Kosovë, ka dështuar gjithmonë në gjykimin e rasteve të profileve të larta dhe nuk ka arritur gati asnjëherë të dëshmojë, jo vetëm rezultate, por as vullnet të mjaftueshëm, që për individët e fuqishëm dhe zyrtarët e profilit të lartë, në aktgjykimet përfundimtare të vendos dënime me burg, Departamenti amerikan i Shtetit, edhe në raportin vjetor të vitit të kaluar, për të drejtat e njeriut në botë, në pjesën për Kosovën thekson decidivisht se zyrtarëve të profilit të lartë, që përballen me aktakuza për krim e korrupsion, u shqiptohen vetëm dënime të lehta, pa dënime me burg efektiv, si dënimi me kusht, me gjobë apo edhe lirimi i tërësishëm nga aktakuza.

Shto kësaj edhe katapultimet në pozita të larta të personave të caktuar juridik, deri te përpjekja e fundit e vet Këshillit Prokurorial, që përkundër reagimeve të ashpra të përfaqësive të vendeve tona mike në Kosovë, imponuan me kokëfortësi një ish prokuror të kapur e të korruptuar dhe të përfolur edhe për dështim e manipulime, nga kasta e vjetër, për Kryeprokuror të shtetit, duke eliminuar konkurrencën dhe mospërfillur as ankesat e kundër kandidatëve, ndaj këto dhe mijëra argumente tjera dëshpëruese për mos efikasitetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të kapur e të korruptuar, e bëjnë jo vetëm të domosdoshme, por edhe të patejkalueshme nevojën urgjente, që drejtësia në Kosovë t`u nënshtrohet sa më parë reformave të thella e rrënjësore dhe një procesi të gjithanshëm të Vettingut”, potencoi ai.

Qarri paralajmëron pengesa e manipulime

Megjithatë, Qarri tregohet skeptik sa i përket zbatimit të Vettingut dhe funksionimit të Byrosë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Paligjshme, pavarësisht vlerësimit pozitiv nga Komisioni i Venecias.

“Përndryshe me gjyqtar e prokuror të dështuar dhe sistemin e deritanishëm të një drejtësie të kapur e të korruptuar, në të gjitha anët, me gjithë pëlqimin e dhënë nga Komisioni i Venecias për Reforma në sistemin e drejtësisë, sidomos sa i përket Projektligjit për Byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë se pajustifikueshme, as në të ardhmen nuk mund të pritet të ketë rezultate dhe as të frikësohet kush prej Vetting-ut e këtij ligji, dhe me gjithë mbështetjen e ardhur nga Komisioni i Venecias, njëjtë si gjatë qeverisjeve të kaluara, do të lindin në vijimësi pengesa e manipulime dhe ngritët zhurmë e pluhur, në vazhdimësi nga opozita e korruptuar, e cila tanimë gjendet para momenteve vendimtare, për pagimin e faturës, për pasuritë e pajustifikueshme dhe të gjitha veprimet e kundërligjshme”, përfundon ai.

Mundësi për një infrastrukturë të re juridike

Image
Muhamet Kelmendi

 

Ndërkaq, juristi Muhamet Kelmendi thotë për gazetën “Bota sot” se VETTING-u dhe çështja e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme janë të domosdoshme për shtetin ligjor.

“Dhënia e mendimit pozitiv nga Komisioni i Venecias për VETTING- un dhe për Byron Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme janë shenja domethënëse se në Kosovë drejtësia ka vështirësi të mëdha dhe se kriminaliteti si bazë e krijimit të pasurisë është mjaft i lartë.

Natyrisht se për të funksionuar shteti i së drejtës kërkohen edhe disa ligje tjera të nxirren, të cilat do ta bënin Kosovën funksionale në fushën juridike.

E kam fjalën këtu për mungesën e ligjit për lustracionin, për ndryshimin e Ligjit zgjedhor dhe për Ligjin mbi Çështjet sociale dhe të pensionit.

Me anën e këtyre ligjeve shteti i së drejtës do të ndërtohej dhe do të kishin shumë funksionalitet organet e shtetit”, thotë profesori.

Duhet përkrahja e ndërkombëtarëve për zbatimin e ligjeve

Sipas tij, mendimet e dhëna nga Komisioni i Vennecias mbi VETTING-un dhe për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së krijuar me krim japin mundësi që në Kosovë të fillojë dhe të ndërtohet një infrastrukturë juridike, mbi të cilën do të ndërtohen organet dhe do të punohet në fushat e tilla.

“Ligji mbi VETTING-un, kam deklaruar në të kaluarën, tash më me forcë jam për atë që në përgatitjen e ligjit dhe në punën e saj, pa përkrahje të BE-së, të Anglisë dhe të SHBA-ve nuk mund të bëhet.

Janë tepër të ashpra marrëdhëniet në Kosovë midis aneve të kundërta. Kemi shumë konflikte midis pozitës dhe opozitës. Janë shumë veta që janë të fuqishëm që vetëm për vetëm, pa ndihmën e përmendur, nuk realizohen sukseset e pritura nga VETTING-u.

Po kështu është anomali nëse nuk lejohet që ndaj punës së Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme mos të ketë procese gjyqësore.

Si ndaj vendimeve të VETTING-ut, ashtu edhe ndaj vendimeve të organeve administrative për konfiskimin e pasurisë se krijuar mbi baza kriminale, duhet domosdo të jepen afatet ligjore për të shkuar lënda me padi nëpër gjykatat kompetente.

Dhe, natyrisht se brenda këtij afati për paraqitjen e mjetit juridik, kurrsesi vendimet nuk duhet të bëhen të plotfuqishme”, thekson Kelmendi.

Kështu, sipas tij, vendimet mund të ekzekutohen vetëm pas kalimit të afatit ligjor dhe kur shterohen mjetet juridike të ankimimit.

“Çështjet e tilla kërkohet të jenë pjesë e ligjit dhe me ligj të veprohet nga ana e organeve.

Mbështetja e punës në ligj i bën shumë funksionale organet kompetente dhe çështja për të cilën punohet realizohet në përputhje me shtetin e së drejtës”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat