A ishte kjo marrëveshje kusht për liberalizmin e vizave për Kosovën?

Politika

A ishte kjo marrëveshje kusht për liberalizmin e vizave për Kosovën?

Nga: P.R Më: 22 qershor 2022 Në ora: 21:39
Në Bruksel është arritur dakordësia mbi udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë nga 2013 në mes të palëve nga Kosova dhe Serbia

Në Bruksel është arritur dakordësia mbi udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë nga 2013 në mes të palëve nga Kosova dhe Serbia.

Sipas këtij udhërrëfyesi, parashihet që Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës(ZRRE), t’i lëshojë licencë për furnizim kompanisë nga veriu, Elektrosever, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës.

Sipas Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, i cili negocioi në emër të Kosovës, Elektrosever-i do t’i furnizojë qytetarët me energji elektrike, si dhe do t’i faturojë dhe të mbledhë pagesa.

“Marrëveshja nuk e njeh Elektrosever-in si shpërndarës, do të thotë distribuimi është monopol i KEDS-it (Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike), por KEDS-i, në bazë të marrëveshjes së vitit 2015 ia nënkontrakton katër shërbime të veta Elektrosever-it. Do të thotë e mban pronësinë, e mban monopolin, por nënkontrakton shërbimin e vendosjes së matësve të energjisë elektrike, mirëmbajtjes së matësve, jo të rrjetit, faturimin e shpenzimeve të konsumit të energjisë elektrike dhe inkasimit”, tha Bislimi.

Ndërsa arritja e kësaj marrëveshje, nxiti reagime të shumta të spektrit politik ndaj kryeministrit Kurti, pasi ky i fundit, gjatë kohës sa ishte në opozitë e kishte kundërshtuar këtë marrëveshje.

E sipas doktorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi, marrëveshja e arritur në Bruksel nuk është një marrëveshje e re.

Image
Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

“Zbatimi i marrëveshjes së vitit 2013 tani u bë me një udhërrëfyes si një mundësi që të zbatohet. Pra nuk është një marrëveshje e re por që po zbatohet në rrethana më të mira për Kosovën, pasi Kosova tani është pjesë e transmisionit energjetik ndërkombëtar. Ana pozitive është se kjo marrëveshje fillon që të paguajnë energjinë elektrike të gjithë qytetarët e Kosovës e edhe ata nga komunat e veriut të Kosovës”, thotë Kuçi.

Sipas tij, e keqja e kësaj marrëveshje, është futja e një kompanie serbe për tregtimin e energjisë në Kosovë.

“Por, zbatimi i kësaj marrëveshje tani në parim Kosovës po ia humb një kriter për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, gjë që vendin e saj në listë duhet ta zë diçka tjetër. Po ashtu, futja e një kompanie serbe për tregtimin e energjisë në Kosovë edhe pse sipas ligjeve të Kosovës, është e njëjtë sikur “Lista Serbe” e cila është krijuar sipas ligjeve të Kosovës por funksionon sipas direktivave të Serbisë”, shprehet Kuçi për “Bota sot”.

Ai thotë kjo marrëveshje mund të jetë kushti i ndërkombëtarëve para dhënies së liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Mirëpo, ndoshta kjo marrëveshje është kushti para dhënies së liberalizimit të vizave për Kosovën, gjë që Kosova do të merrte një fitore e gjysmë për momentin”, thekson Kuçi.

“Nëse kjo marrëveshje sjell liberalizimin e vizave mund të flasim për një marrëveshje përfundimtare në një kohë optimale brenda dy vitesh”, përfundon për “Bota sot” doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat