“Xhokeri i Vuçiqit”/ Çfarë fshihet pas fushatës së Ramës kundër Gjykatës Speciale?!

Politika

“Xhokeri i Vuçiqit”/ Çfarë fshihet pas fushatës së Ramës kundër Gjykatës Speciale?!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 29 qershor 2022 Në ora: 11:46
Edi Rama në Prishtinë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama njihet për miqësinë e tij të ngushtë me ish-presidentin e vendit, Hashim Thaçi.

Duke qenë që kanë një miqësi të “vlefshme” vizitat e Ramës nuk kanë munguar edhe gjatë kohës sa ish-presidenti, që u detyrua nga Presidenca të shkonte drejt e në burgun e Hagës, po qëndron në paraburgim, tash e 19 muaj.

Mirëpo, ajo se çfarë mori vëmendjen ditëve të fundit është deklarata e kryeministrit Rama në lidhje me gjykatën speciale.

Ai u shpreh se do të filloj një fushatë kundër Speciales.

Sipas Ramës, një element i vlefshëm për ta kuptuar gjyqin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të UÇK-së në Hagë, është sot një arsye e fortë për Perëndimin që të ndalet e të reflektoj se çfarë ka bërë me gjykatën speciale dhe, sipas tij, a është krijuar ajo gjykatë nga fabrika e gënjeshtrave të Putinit dhe Moskës.

Tutje, kreu shqiptar tha se Kosova për Putinin dhe Rusinë është peng jo në solidaritet apo për hir të Serbisë, por për një qëllim më të madh që sot sipas tij, shfaqet me sulmin ndaj Ukrainës, si një problem i hapur ndaj rendit botëror dhe ndaj ligjit ndërkombëtar.

“Më shumë sesa një herë Putin, e ka përsëritur që ajo që ka bërë NATO në Kosovë është e pajustifikueshme dhe më shumë sesa një herë ai ka lënë të kuptohet se erdhi koha që “atë që keni bërë ju, ta provoni tani me atë që po e bëjmë ne”. Tek fabrika e gënjeshtrave, gënjeshtra më e madhe është ajo për UÇK-në”, është shprehur Rama gjatë vizitës në Kosovë, javën e kaluar.

Kështu Rama në konferencë për media paralajmëronte fushatë kundër gjykatës speciale.

Sa e dëmshme është kjo për Kosovën?

Rudi: Çdo nismë kundër punës së gjykatës speciale do të dështojë dhe është e dëmshme për shtetin e Kosovës

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot” ka folur ish-deputeti nga radhët e LDK-së, Fetah Rudi.

Image
Fetah Rudi

Ai u shpreh se çdo nismë kundër punës së gjykatës speciale është e dëmshme për Kosovën pasi kjo gjykatë funksionon me ligjet e Kosovës.

“Çdo nismë kundër punës së gjykatës speciale do të dështojë dhe është e dëmshme për shtetin e Kosovës. Ne nuk duhet të harrojmë fjalët e ish-ambasadorit amerikan, Delawie natën kur komandantët e PAN-it tentuan shfuqizimin e gjykatës speciale. Gjykata speciale është gjykatë e Kosovës, funksionon me ligjet e Kosovës”, u shpreh ai.

Rudi më tej thotë që nuk duhet të ketë nismë të tilla për këtë gjykatë pasi në qeverisje të saj është kryeprokurori amerikan dhe se janë duke punuar për zbardhjen e vrasjeve politike.

“Dallimi i vetëm është se kjo gjykatë nuk është nën kontrollin e atyre që penguan drejtësinë tash e 20 vite, sidomos penguan dhe punuan kundër për zbardhjen e vrasjeve politike. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përkrahësi numër një i gjykatës speciale dhe zbardhjes së vrasjeve politike, dëshmi e kësaj është edhe ajo se kryeprokuror kryesor i speciales është një amerikan, pra Jack Smith. Andaj konsideroj që të gjitha nismat kundër Speciales janë të dëmshme dhe do të dështojnë”, thotë për “Bota sot”, Rudi.

Latifi: Rama është duke u përdor si xhoker në duar të Vuçiqit

Image
Haki Latifi

Haki Latifi ish-kryetar i degës së LDK-së në Zvicër, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që kryeministri Rama nuk është duke menduar për Specialen, por për hallet e veta politike dhe ekonomike në Shqipëri.

Ai po i kontribuon përpjekjeve të Putinit, i cili dëshiron ta zhvendosë vëmendjen e Perëndimit prej kufijve të Rusisë, prej Ukraine, Krimesë apo Gjeorgjisë në Ballkan, shtoi më tej Latifi.

“Për mendimin tim, kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama, pesë pare nuk i jep për akuzat e gjykatës speciale! Ai reagon me nervozizëm kinse në mbrojtje të të akuzuarve që gjenden në Hagë sepse vet është në hall të madh me problemet politike dhe ekonomike që ka Shqipëria. Ndërsa sa i përket SHBA-së dhe BE-së e kuptuan mirë se ideja e Vuçiqit për Ballkanin e hapur, e mbështetur nga Edi Rama, e çonte ujin në mullirin e Rusisë. Putini mbështet idenë e Ballkanit të hapur, jo për të shpëtuar Ballkanin, përkundrazi, për t’ia venë flakën atij! Ai dëshiron ta zhvendosë vëmendjen e Perëndimit prej kufijve të Rusisë, prej Ukraine, Krimesë apo Gjeorgjisë, në Ballkan”, thotë ai.

Rama është duke u përdor si xhoker në duar të Vuçiqit, i cili po i bën shërbim të madh ish-bashkëpuntorit të kasapit Millosheviç dhe Serbisë në dëm të Kosovës, shpjegon ish-kryetari i degës së LDK-së.

“Ndërsa sa i përket gjykatës speciale, askush nuk mund ta dijë me saktësi nëse akuzat janë të vërteta apo të rreme. Për mendimin tim, Edi Rama është duke u përdor si xhoker në duar të Vuçiqit, i cili po i bën shërbim të madh ish-bashkëpunëtorit të kasapit Millosheviç dhe Serbisë në dëm të Kosovës. Sa i përket gjykatës speciale dhe letrave të Edi Ramës dërguar institucioneve evropiane dhe Amerikane, nuk pinë ujë shumë, sepse në ato shtete respektohet drejtësia gjyqësore dhe funksionimi i shtetit juridik”, thekson Latifi.

Rama kurrë nuk e ka kërkuar ndriçimin e vrasjeve politike

Në bisedë e sipër Latifi thotë që diçka mund të fshihet pas kësaj deklarate, pasi që Rama nuk e ka përmendur asnjëherë zbardhjen e vrasjeve politike në Kosovë.

“Por, mund të jetë edhe „diçka po zihet“ dhe ka mundësi që e ashtuquajtura „ Bashkësi e komunave serbe“ të iniciuara nga „Zajednica serbe“ të nënshkruhet nga Albini në këmbim të tërheqjes së padisë nga Serbia ndaj disave që po akuzohen për krime lufte në Hagë. Dihet se deri më sot, Edi Rama kurrë nuk e ka përmend dhe as kërkuar ndriçimin e vrasjeve politike në Kosovë. Disa kanë ndodhur edhe në Shqipëri dhe kurrë nuk janë ndriçuar rastet e tilla nga drejtësia shqiptare. Me demagogji të tilla nuk i shërben drejtësisë, aq më pak të besojnë edhe miqtë e shqiptarëve apo institucionet evropiane dhe SHBA-ja”, potencon veprimtari i LDK-së.

Aleatë i përjetshëm i shqiptarëve ishte, është dhe do të jetë Perëndimi, nënvizon Latifi.

“Në këtë rast më së miri i shkon tregimi popullor: “Një bariut ia kishin ngrënë ujqit delet, por ai më shumë u hatrua kur tha i pashë se qentë e mijë i hanin delet e mija bashkë me ujqit“. E vetmja mundësi që kanë të akuzuarit që gjenden në Hagë, është të gjejnë avokatë të mirë dhe të përgatitin mbrojtje të fuqishme prej akuzave, çfarëdo qofshin ato! Kjo i ndihmon, të tjerat janë veç llafe! SHBA-ja dhe BE-ja nuk do të na lënë vetëm! Do t’i kemi përkrah neve derisa ne nuk e shkelim BESËN e dhënë! Aleat i përjetshëm i shqiptarëve ishte, është dhe do të jetë Perëndimi! Mendoj se pikë kthese mund të ketë për interesat e shqiptarëve në Ballkan si dhe për stabilitetin dhe paqen në rajon, nëse Vuçiqi duhet ta njohë Kosovën pa kushte, nëse dëshiron të ruajë raportet e mira me Perëndimin. Përndryshe, ata që duan të luajnë lojëra me Amerikën dhe Evropën, në fund i përsheshin hundët! Nuk ka lojë me Perëndimin”, përfundoi ish-kryetar i degës së LDK-së në Zvicër, Haki Latifi.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat