Kosova në fjalimin e Presidentit Begaj, Bytyçi: Kjo s`ka ndodhur as me Ramiz Alinë, bashkëpunimi pa kushte Rama-Vuçiq përçau skenën politike shqiptare

Politika

Kosova në fjalimin e Presidentit Begaj, Bytyçi: Kjo s`ka ndodhur as me Ramiz Alinë, bashkëpunimi pa kushte Rama-Vuçiq përçau skenën politike shqiptare

Nga: M.L. Më: 25 korrik 2022 Në ora: 09:06
Bajram Begaj

Dje ( e diel 24 korrik), Bajram Begaj ka dhënë betimin në Kuvend si presidenti i tetë me radhë i Shqipërisë. 

Presidenti i ri I Republikës  së Shqipërisë, Bajram Begaj, bëri betimin dhe mbajti dy fjalime, të parin në parlamentin e Shqipërisë dhe të dytin në ceremoninë e marrjes së detyrës së tij.  

Begaj, theksoi se gjatë mandatit në krye të shtetit do të punojnë për bashkëpunimin ndërmjet të gjitha forcave politike në vend, si dhe mbrojtjen e interesave të shqiptarëve kudo që ata gjenden. 

“Do të jem shërbëtor i popullit tim, përfaqësues i unitetit kombëtar, për të gjithë shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Luginës së Preshevës dhe kudo që ata jetojnë. E ardhmja e vendit është përgjegjësi e të gjithëve. Institucionet kanë përgjegjësi për të garantuar sigurinë e vendit, për të mbrojtur interesat e shqiptarëve kudo që ndodhen. Sot më shumë se kurrë kërkohet unitet dhe bashkëpunimi i klasave politike, pasi vetëm kështu na mundëson të arrijmë objektivat tona kombëtare”, ka thënë presidenti Begaj. 

Në ceremoninën e betimit mori pjesë edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe ish presidentët Fatmir Sejdiu e Vjosa Osmani.  

Këtë ngjarje për gazetën “Bota sot” e ka komentuar, profesori i Marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi i cili tha se presidenti Begaj u përpoq të dëshmojë se do të jetë ekuilibrues dhe harmonizues i unitetit kombëtar, i dialogut, bashkëpunimit dhe theksoi se do të ketë rol në përafrimin e qëndrimeve politike midis mazhorancës dhe opozitës. 

Mirëpo, ai theksoi faktin që presidenti Begaj nuk u ndal në veçanti për ta përmendur Kosovën. 

Image
Enver Bytyçi

“Ajo çfarë pashë unë më krijoi përshtypjen e një fjalimi mediokër, por të kuptueshëm për qytetarët. Fjala e tij në shumë pjesë u përsërit si në kuvend edhe në ceremoni. Madje kishte shumë fraza të njëjta.  

Megjithatë, nuk dua ta merrem me formën. Mesazhet ishin në përgjithësi pozitive dhe presidenti Begaj u përpoq të dëshmojë se do të jetë ekuilibrues dhe harmonizues i unitetit kombëtar, i dialogut, bashkëpunimit dhe theksoi se do të ketë rol në përafrimin e qëndrimeve politike midis mazhorancës dhe opozitës. Por as në Parlament, as në ceremoni nuk e përmendi Kosovën, përveçse në kontekstin e angazhimit të tij për të ndihmuar në integrimin euro-atlantik të shqiptarëve në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Luginën e Preshevës e kudo, siç edhe ai tha. 

Bajram Begaj nuk u ndal në veçanti për të formuluar qëndrimin e tij ndaj Kosovës. Kjo ka shkaktuar me të drejtë zhgënjim. Aq më tepër se Kosova e respektoi tejmase atë. Erdhën në ceremoni presidentja Osmani dhe ish-presidentët Sejdiu dhe Jahjaga. Kjo pjesëmarrje e kreut të shtetit të Kosovës ishte respekt i veçantë për të. Qoftë dhe për kortezi ai duhej të ndalej me pak fjali për shtetin e Kosovës, të thoshte se do të luftonte për konsolidimin e këtij shteti. Unë nuk prisja që presidenti I ri I Shqipërisë të fliste e të mbante qëndrim për çështje sensitive, si p.sh Open Ballkan, sepse edhe nëse nuk do ishte dakord me këtë nismë, nuk besoj se del përtej kornizave që ia ka caktuar kryeministri Rama. Por ishte zhgënjyese që fjalimi i tij të mos përmbante disa teza themelore për Kosovën sidomos, por edhe për shqiptarët në Ballkan e çështjet rajonale”, u shpreh profesori.  

Sipas tij, presidenti i ri i Shqipërisë, duket sikur nuk ka një qëndrim të saktë për Kosovën.   

“Ju pyesni pse ndodhi kjo? Unë nuk kam natyrë që të vlerësoj një personalitet që ditën e parë të kurorëzimit të tij në detyrën e lartë, si president apo diku tjetër. Çdo kush ka të drejtë të marrë kohën e duhur për të pasur një vlerësim e perceptim për performancën e tij dhe rezultatet që jep. Por ju pyesni për fjalimin, nuk po më pyesni për figurën e presidentit, aq më pak për punën e tij”.  

Dhe nëse nisemi nga fjalimi, atëherë unë besoj në disa arsyetime: 

Së pari zoti Begaj ka frikë të fjalës për çështje, për të cilat nuk është kompetent. Them se vetë ai ka porositur që çështjen e Kosovës ta lënë jashtë fjalimit. Nuk ka mesa duket një qëndrim të saktë. Dhe kjo është e shpjegueshme në rastin e ekzistencës së disa rrymave politike shqiptare e anti-shqiptare në politikën e Shqipërisë lidhur me Kosovën. Çfarë do të thoshte? Nëse fliste më gjuhën e Sali Berishës e të Ilir Metës, atëherë do të binin rrufetë e Zeusit mbi të! Nëse fliste me gjuhën e Zeusit, pra Ramës, mesa duket nuk është i bindur në atë qëndrim dhe do të goditej nga opozita. Dilemë e madhe është kjo!”, është shprehur ai.  

E kjo sipas Bytyçit do të thotë se, do të kemi një president që nuk do të dijë “kujt t’ia prishë e kujt t’ia ndreqë”!  

“Një president që do të përpiqet të ruajë ekulibra përmes kompromiseve dhe heshtjes! Sinqerisht uroj që të mos jetë i tillë. Megjithatë unë besoj se në raport me Kosovën do të përpiqet ta mbajë raporte korrekte, pa u angazhuar kundër qëndrimeve të presidentes dhe kryeministrit, por nuk duhet pritur se do t’i mbështesë ata”, nënvizon ai. 

Nga ana tjetër, profesori thotë se zoti Begaj ende ruan falënderimin ndaj Edi Ramës për këtë post që mori sot zyrtarisht.  

“Të qenit mirënjohës e falënderues është cilësi pozitive, jo negative. Por jo nuk do të thotë që të bësh kompromise kaq të rënda, me të cilat të japësh mesazhin, sikur për ty si kryetar shteti Kosova nuk ekziston! Nuk ka ndodhur me asnjë president të mëparshëm kjo. As me Ramiz Alinë. Ndodhi sot. Por është fakt se në asnjë rast të mëparshëm skena politike shqiptare nuk ka qenë kaq e përçarë në raport me Kosovën dhe kjo vetëm për shkak të bashkëpunimit pa kushte të Edi Ramës me Aleksandër Vuçiq”, shtoi profesori.  

Më tej, qasjen e presidentit ndaj Kosovës, Bytyçi e komenton edhe në aspektin e sentimentit ndaj saj, për shkak se si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, nuk do të thotë që ai duhej të ishte i lidhur aq ngushtë me Kosovën.  

“Së treti, kam përshtypjen se presidenti i ri Begaj nuk e ka përjetuar Kosovën si një çështje aq sensitive. Vetë profesioni e ka bërë të jetë I ftohtë në aspektin e sentimentit ndaj saj dhe ndoshta edhe ndaj çështjeve të tjera të mëdha. Fakti se vitet e fundit ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, nuk do të thotë që ai duhej të ishte I lidhur aq ngushtë me Kosovën. Nuk e di nëse në atë detyrë ka bërë ose jo ndonjë vizitë në Kosovë, ose ka ftuar ose jo homologun e tij të Kosovës në Shqipëri. Nuk e di nëse ka pasur ndonjë marrëdhënie të veçantë apo jo! Së paku mediat nuk kanë dhënë ndonjë gjë.  

Mund të ketë arsye tjera madhore. Ndoshta dikush nga ndërkombëtarët ia ka rekomanduar të mos flasë për Kosovën. Ndoshta është kjo e qëllimshme që të zbutet retorika për Kosovën, sepse diçka mund të jetë planifikuar të imponohet! Duhet që analiza të bëhet e plotë dhe pse shtrojmë disa dyshime, nuk besoj se bëjmë keq.  

Por e theksoj, nuk e paragjykoj zotin Bajram Begaj në punën e tij. Nëse do të duhet të jap mendimin dhe vlerësimin tim për të një ditë, kjo do të ndodhë vetëm nëse bën gabime, jo një e dy, por disa! Nuk kam zakon t’i rri dikujt gur në grykë për të reaguar. Shpresoj të flasë për mirë puna e tij! Sinqerisht i uroj suksese!”, ka përfunduar profesori.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat