E krahasoi qeverinë e Kurtit me atë të Putinit/ Kritikohet ashpër Mustafa – vlerësohet si një nga politikanët më të urryer!

Politika

E krahasoi qeverinë e Kurtit me atë të Putinit/ Kritikohet ashpër Mustafa – vlerësohet si një nga politikanët më të urryer!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 14 gusht 2022 Në ora: 09:25
Albin Kurti dhe Isa Mustafa - Foto ilustrim "Bota sot".

Ditë më parë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti është deklaruar se situata mes Kosovës dhe Serbisë mund të përshkallëzohet në konflikt të armatosur.

Kjo deklaratë e kryeministrit nxiti reagime të shumta në opinionin publik.

Për këtë çështje u deklarua edhe ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Mustafa shkoi aq larg sa që tha se, qeveria e Albin Kurtit është qeveri e dhunës dhe se nuk dallon shumë prej rusëve sa i përket dhunës, pasi që këta të fundit po ia vënë flakën Ukrainës, ndërsa ata ia vënin flakën institucioneve të Kosovës.

“Kjo është qeveri e dhunës. Me dhunë, gurë, gaz lotsjellës, “Bomba molotovi”, granata ka ardhë në pushtet. Jo me punë dhe merita qeverisëse. Edhe aty ku ka qeverisur ka dështuar, si Prishtina dhe Prizreni. S’dallon shumë prej rusëve sa i përket dhunës. Ata po ia vëjnë flakën Ukrainës, këta ia vënin flakën institucioneve të Kosovës për ta rrëzuar pushtetin demokratik. Duan të themelojnë ushtri paralele dhe organe paralele të drejtësisë. “Kushtetutë e pa Kushtetutë” (mësim i keq dhe fatal)”, ka thënë ai.

Tutje Mustafa ka shtuar se, Kurti dhe Osmani siç tha ai, “kafjall, e drekë e kanë Rusinë e Serbinë” dhe se ata që ndjellin luftë e sjellin Serbinë tek dera.

“Prandaj ata që ndjellin luftë, ta sjellin Serbinë te dera”, ka vijuar duke deklaruar Mustafa.

Këto deklarime shumë të rënda të ish-kryetarit të LDK-së i komentuan njohësit e çështjeve politike, Sulejman Mehazi dhe Faton Mehmeti.

Mehazi: Është e palogjikshme të krahasohet flaka e zjarreve bombarduese të rusëve në Ukrainë me lotsjellësit e protestat

Image
Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi

Lidhur me këtë temë, profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi në një bashkëbisedim për “Bota sot” thotë se të krahasohet qeveria e Kurtit me atë të Rusisë është budallallëku më i madh.

Sipas tij, Mustafa tani është një personalitet po ndikim politik, thjesht një qytetar i rëndomtë.

“Fjalët e ish-kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafës, më shumë e kanë kuptimin e një qytetari të rëndomtë e pa farë ndikimesh politike, pasi qe sa kohë nuk është asnjë faktor politik, pasi vetë LDK-ja e nokautoi pas debaklit të zgjedhjeve parlamentare. Të krahasohet qeveria e Kurtit me atë të Rusisë është budallallëku më i madh i arsyes së sëmurë të zotëri Mustafës, pasi gjithë opinioni e qytetarët e Kosovës e vërejnë se nuk mbahet mend ndonjë qeveri e mëparshme e Kosovës të kishte qenë aq antiserbe e antiruse sesa qeveria e sotme e Kurtit”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Mehazi vlerësoi se nuk mund të krahasohen bombardimet në Ukrainë me protestat me gaz lotsjellës, të cilat erdhën si pasojë e planit të Mustafës dhe Thaçit për ndarjen e Kosovës.

“Është e palogjikshme të krahasohet flaka e zjarreve bombarduese të rusëve në Ukrainë me lotsjellësit e protestat e Vetëvendosjes opozitare në parlamentin e Kosovës që për shkak institucioneve të shitura të Kosovës në krye me Isa Mustafën donin t'ia jepnin një pjesë të territorit të Kosovës Serbisë me anë të "zajednicave" politike serbe të Veriut të Kosovës nënshkruar nga vetë Isa Mustafa më 2015. Përkundrazi Asociacionet serbe të nënshkruara nga Isa Mustafa më 2015 ia dhanë flakën kushtetutës së Kosovës, në krye me Isa Mustafën”, theksoi profesori.

Ndër të tjera, ai thotë se Mustafa po vuan nga poshtërimet politike që ia bëri LVV-ja në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Madje, shtoi se pas Rrahman Morinës është politikani më i urryer në Kosovë.

“Deklarata e Isa Mustafës është sklerozoike e nuk duhet varur veshin se çfarë thotë. Vuan nga poshtërimet e tij politike që ia dhanë qytetarët e Kosovës gjatë zgjedhjeve, LDK-ja e tij që e eliminoi nga të gjitha funksionet partiake dhe LVV-ja e Albin Kurtit që e deklasoi politikisht për t'u bërë askushi e kurrkushi, pas Rahman Morinës është politikani më i urrejtur në Kosovë”, thotë Mehazi.

Mehmeti: Isa pa pushtet tërbohet

Image
Analisti politik, Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti në prononcimin e tij për “Bota sot” thotë se ky tërbim i Mustafës vjen pasi e ka të pamundur të mësohet me jetën ‘pa pushtet’.

Sipas tij, në mungesë të pranimit të kësaj të vërtete ai shpik të pavërteta për Kurtin dhe Osmanin.

“Isa pa pushtet tërbohet, i mësuar gjithë jetën me pushtet, e ka të pamundur të mësohet me një jetë ndryshe. Harron se politika ka ngritjet dhe rëniet dhe sigurisht një fund, në mungesë të konceptimit të kësaj të vërtete, Isa shpik fajtorin Albin Kurti dhe Vjosa Osmani për të shfryrë dufin”, deklaroi analisti.

Gjithashtu, Mehmeti potencoi se gjithë këto akuza të Mustafës ndaj qeverisë nuk janë objektive, por janë vetëm urrejtje e shprehur ndaj saj.

“Fakti se Isa kalon edhe arsyen, logjikën me akuza ndaj Qeverisë, shpërfaq faktin se akuzat e tij nuk janë objektive as parimore, janë urrejtje. Kështu që, Isa Mustafa nuk duhet të merret shumë seriozisht, krahasimi i Qeverisë së Kosovës me atë ruse përveç se marri është surreale”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat