“Kurti nuk e ka bishtin e zënë me derë si pararendësit e tij”/ Mësohet se çfarë do të konfirmojë përballja e 18 gushtit në Bruksel

Politika

“Kurti nuk e ka bishtin e zënë me derë si pararendësit e tij”/ Mësohet se çfarë do të konfirmojë përballja e 18 gushtit në Bruksel

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 15 gusht 2022 Në ora: 18:09
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Javë më parë, Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi ka thënë se Kosova po negocion me Serbinë marrëveshjen për mossulmim të njëra-tjetrës.

Një marrëveshje e tillë nga BE-së është quajtur si akt mirëbesimit, në të cilën është paraparë të hyjë si pikë çështja e të zhdukurve.

Gjithashtu, edhe Kryeministri Albin Kurti vitin e kaluar kishte propozuar nënshkrimin e një deklarate të paqes me Serbinë, ku njëra prej gjashtë pikave ishte edhe që Kosova e Serbia të mos e sulmojnë njëra tjetrën.

Për kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj, kjo lloj marrëveshje do të ishte kthim prapa, derisa siguria e plotë për Kosovën është anëtarësimi në NATO.

“Ne kemi interes për marrëveshje finale për njohje reciproke Kosovë - Serbi.

Mashtruesi po do marrëveshje për mos-sulmim me Serbinë, nën një emër si marrëveshje e marrëdhënieve të mira, e që është kthim prapa.

Siguria e plotë për Kosovën arrihet duke e shpejtuar anëtarësimin në NATO”, ka deklaruar ai.

Për një “traktat paqeje” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, fliste kohë më parë edhe ish zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

“Bota sot ka kontaktuar një deputet dhe një analist duke i pyetur se sa është i mundur realizmi i një marrëveshje të tillë dhe për më tepër a është kjo marrëveshje e duhura?

Agusholli: Qeveria Kurti, lidership i cili nuk e ka bishtin e zënë me derë

Image
Gramos Agusholli

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gramos Agusholli për gazetën “Bota sot” ka thënë se dialogu dallon nga pararendësit, për shkak se Kurti ka bërë që të përmirësohet pozita e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.

“E kam thënë shumë herë, që për herë të parë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, kemi të bëjmë me një lidership i cili nuk e ka derën e zënë me bisht, dhe e di saktësisht që integriteti territorial i Kosovës nuk është në pazar, madje edhe kjo nëse i kushton edhe me humbjen e pushtetit – (siç ishte rasti i 25 marsit 2020).

Andaj, edhe niveli i përfaqësimit të shtetit tonë në dialog dallon dukshëm nga pararendësit, për faktin se kryeministri Kurti me angazhimin e tij diplomatik e ka bërë që të përmirësohet pozita e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, me theks të veçantë jehona që po i bën nëpër botë mbështetjes serbe për Rusinë në pushtimin e Ukrainës.

Më pas refuzimi kategorik i projekteve si ai i “Open Ballkan”, përmes të cili Serbia do të ishte fituesi kryesor dhe më i madh nga kjo iniciativë. Vetëm se kanë dëshmuar se po flasim për një politikan të fuqishëm, pavarësisht se e drejton një shtet të vogël e pa shumë peshë në rajon”, thotë ai.

Tutje, deputeti shtoi se është Serbia ajo e cila ka refuzuar një propozim për paqe nga Kosova.

Vitin e kaluar gjatë takimit me presidentin serb, Vuçiq - me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian - kryeministri Kurti kishte propozuar të nënshkruhej një marrëveshje, respektivisht një lloj deklarate e paqes midis Kosovës dhe Serbisë, e që pala serbe nuk e kishte marrë në konsideratë.

Serbia ndër të tjera kishte refuzuar kategorikisht qe të përdorej togfjalëshi ballafaqim me të kaluarën. Shtrohet pyetja pse. Sepse fqinji ynë verior, nuk e sheh Kosovën si palë të barabartë, dhe asnjëherë nuk e ka mohuar se mund të bëjë agresion ushtarak ndaj nesh. Madje, akti më i lartë juridik i Serbisë e njeh Kosovën si territor të saj. Kryeministri Kurti, me përfaqësimin dinjitoz, qartësinë e kërkesave, dhe legjitimitetin që e gëzon në popull, e ka fuqizuar imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, madje këtë e dëshmoi edhe pritja e sekretarit Blinken, më pas deklaratat e të ngarkuarit të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Padyshim që dialogu e ka nxjerrë në pah angazhimin e tij të madh, ndonëse nuk është aspak e lehtë të rikuperohen dëmet që janë shkaktuar më herët në këtë proces”, përfundoi ai.

Mulliqi: Dialogu është kthyer në parimet bazë të kushtetushmërisë

Image
Skender Mulliqi

 

Edhe analisti Skënder Mulliqi, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, thotë se dialogu është kthyer në parimet bazë të kushtetushmërisë, duke shtuar se më parë Kosova kishte zhvilluar bisedime shterpë.

Majde, ai për deklaratën e Haradinajt ka thënë se nuk ka mundësi të kthehen mbrapa.

“Për herë të parë qysh kanë filluar bisedimet më Serbinë, Kosova me pushtetin e ri iu ka kthyer ruajtjes së parimeve bazë të kushtetutshmerisë dhe ligjshmërisë tonë. Kosova për shumë kohë zhvilloi bisedime shterpë, apo zhvilloi bisedime me Serbinë në dëm të Kosovës. Mos të përsëriten, se dihet cilat ishin marrëveshjet të cilat e prishën ekuilibrin e bisedimeve duke quar ujë në mullirin e Serbisë, thua se ajo ishte viktima e jo që ishte agresori. Këto dështime ndodhën kur kjo opozitë ishte për një kohë të gjatë në pushtet, e tash pa asnjë argument po e sulmon për këto dështime pozitën. Nuk ka mundësi askush që proceset lidhur me temën e dialogut t’i kthen mbrapa siç ka thënë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, për kryemnistrin Albin Kurti”, thotë ai.

Sipas tij, pushtetet e kaluara kishin shumë gjatë status quo e gjithashtu edhe regres.

Ai shton, se vazhdimi i bisedimeve në krye me Kurtin do të konfirmojë se nuk do të vjen në shprehje kurrfarë prekje kufijsh apo të shkëmbimeve territoriale që ishin më herët në tavolinë.

“Kosova për herë të parë është duke bërë hapa konkret që të inkuadrohet në Këshillin e Evropës, ku edhe ka apliku, dhe në NATO. Dihet rezultatet çfarë ishin të pushteteve të kaluara lidhur me angazhimet e tyre, për tu inkuadruar në organizmat relevant të BE-së. Kishim shumë gjatë status quo politike apo edhe regres në këtë drejtim. Mos të harrojmë se me lobimin e Serbisë ndodhën edhe 17 qnjohje që duhet përsëritur edhe mbajtur mirë në mend. Unë mendoj, se është koha që të lihen anash inatet apo egot personale, kur bëhet fjalë për temat e interesit madhor shtetëror e nacional siç është edhe tema e vazhdimit të bisedimeve të ngecura me Serbinë. Do të kemi qasje të re shumë më konstruktive dhe në favor të Kosovës.

Amerika dhe BE-ja me ardhjen e Joe Biden në pushtet, kanë një koordinim shumë më të theksuar lidhur me temën e këtyre bisedimeve, ku më 18 gusht edhe pritet në Bruksel, që të takohen Vuqiqi dhe Kurti në kuadër të këtij dialogu. Do të kemi një proces të ri, të bisedimeve të ndërprera të Brukselit të vitit 2017. Deklarimet e më hershme të kancelarit gjerman Sholc dhe deklarata e fundit e amerikanit Gabriel Eskobar, për mos ndryshim kufijsh, këtu e kam fjalën për mozbatim të Asociacionit me kompetenca ekzekutive. Vazhdimi i bisedimeve apo edhe takimi i Vuqiqit dhe Kurtit do të konfirmojë se nuk do të vjen në shprehje kurrfarë prekje kufijsh apo të shkëmbimeve territoriale që ishin më herët në tavolinë”, shton ai.

Në fund, ai thekson hipotezën se nuk është çudi nëse do të kemi ndërprerje të këtyre bisedimeve nëse kryeministri i Serbisë edhe më tutje tregohet kryneç që mos të pranojë pavarësinë.

Dialogu ishte ndërprerë për shkak të sjelljeve destruktive të Serbisë dhe lojërave të tjera politike që i theksova më parë. Kurti ishte ai që nuk i lejoi mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Pastaj, Kosova vendosi masat e reciprocitetit për herë të parë, dhe masat e shtrirjes të ligjshmërisë në veri të vendit, që për shumë vite ishte bërë eldorado e strukturave kriminale serbe për destabilizim të Kosovës. Samiti i Berlinit do të jetë parimi bazë edhe në vazhdimin e bisedimeve ku Serbisë do të bëhet me dije, së marrëveshja finale arrihet vetëm nëse, Vuqiqi e njeh pavarësinë e Kosovës, e që ky i fundit është duke e refuzuar. Nuk është çudi nëse do të kemi ndërprerje të këtyre bisedimeve nese kryeministri i Serbisë, edhe më tutje tregohet kryneç që mos të pranon pavarësinë. Konstelacionet gjeopolitike dhe gjeostrategjike në Evropë, kanë hy në një fazë të re pas invazionit të Rusisë, mbi një shtet sovran, siç është Ukraia.

Prandaj, mendoj se Amerika dhe Evropa nuk do të lëshojnë asnjë milimetër pe kur vjen në pyetje ndryshimi me dhunë i kufijve në Ballkan, siç po pretendon Rusia e Putinit dhe Serbia e Vuqiqit, përmes tezave shoviniste të botës ruse dhe botës serbe, e që për fat të keq ju bashkangjit edhe teza tjetër antishqiptare e Ballkani të Hapur. Serbisë i është treguar gjuha e forcës, si të vetmen gjuhë që njohin serbët, në kohën e regjimit të Millosheviqit, edhe është duke ju treguar kjo gjuhë edhe tash”, përfundoi Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat