Ja çfarë pritet të ndodhë në takimin e shumëpërfolur Kurti-Vuçiq! / E gjithë vëmendja në Bruksel

Politika

Ja çfarë pritet të ndodhë në takimin e shumëpërfolur Kurti-Vuçiq! / E gjithë vëmendja në Bruksel

Arife Morina Nga Arife Morina Më 16 gusht 2022 Në ora: 13:27
Albin Kurti, Aleksander Vuçiq

Tensionet e mëdha në veri të vendit të shkaktuara në ditën e fundit të muajt korrik nga provokimet e Serbisë, prodhuan një ngjarje të rëndësishme që pritet të ndodhë me 18 gusht.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të takohen në Bruksel.

Edhe kësaj radhe takimi do të ndodhë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Bashkimi Evropian caktoi për datën 18 gusht një takim ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq, në një përpjekje për të ripërtërirë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.

Presidenti serb Vuçiq, tha se nuk beson në ndonjë përparim pas takimit të 18 gushtit, meqë sipas tij autoriteteve në Prishtinë nuk u intereson se çfarë do të thotë Beogradi.

Kurse, kryeministri Kurti tha ndërkaq se gatishmëria dhe interesimi i qeverisë së Kosovës për t’u marrë vesh me Serbinë mbesin të palëkundura.

“Kam gatishmëri dhe interesim që dialogu në Bruksel, bisedimet aty përveç se të jenë parimore të jenë edhe përmbajtjesore, në të njëjtën kohë të mos jetë dialog për dialog por dialog për marrëveshje ligjërisht të obligueshme, për normalizim të plotë me njohje reciproke në qendër. Por, ju duhet ta kuptoni që marrëveshja bëhet me palën tjetër dhe në këtë rast varet nga pala tjetër a do të ketë marrëveshje, ndërsa sa më përket mua gatishmëria dhe interesimi janë të padiskutueshme dhe të palëkundshme,” thotë ai.

Një nga çështjet më të përfolura për këtë takim është çështja e Asociacionit, e cila vazhdon të jetë shumë delikate.

E për të cilën ka ende dyshime se mund të arrihet një marrëveshje e re në këtë çështje, pasi që disa çështje kanë dal në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Elezaj: Takimi me 18 gusht në Bruksel midis Kurtit dhe Vuçiqit, nuk do sjellë asgjë të re në kuptimin e përmirësimit të raporteve

Image
Rexhep Elezaj

 

E lidhur me këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli opinionisti Rexhep Elezaj.

Fillimisht, ai tha se ky takim vjen pas disa ngjarjeve tensionuese në veri të vendit, ku të gjitha ishin skenar i Beogradit zyrtar, me qëllim që t’i nxis serbët lokalë që të ngriten në protesta si dhe bllokim të rrugëve kryesore për të ndërhyrë më pas Serbia ushtarakisht kinse “në mbrojtje të serbëve”.

“Takimi i paralajmëruar me 18 gusht në Bruksel midis presidentit të Serbisë, A. Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, pas trazirave dhe ngjarjeve në veri të vendit tonë në fillim të këtij muaji, gjegjësisht pas një situate tejet të tensionuar në kufijtë verior të Kosovës, ku grupe kriminale dhe banda të armatosura serbe të ndihmuara nga mercenarë rus vendosën 11 barrikada në rrugët kryesore që çojnë në pikat kufitare Bërnjak dhe Jarinjë, si dhe akuzat e zyrtarëve të Serbisë ndaj A. Kurtit, se gjoja aplikimi i masave reciproke me letërnjoftimet për serbët e Serbisë, po i detyruakan serbët lokal që ta braktisin Kosovën, etj., i gjithë ky tensionim në veri të Kosovës, ka qenë, pa asnjë dyshim, skenar i Beogradit zyrtar, me qëllim që t’i nxis serbët lokalë që të ngriten në protesta si dhe bllokim të rrugëve kryesore për të ndërhyrë ushtarakisht “në mbrojtje të serbëve” nga policia e Kosovës, në fakt për ta okupuar dhe për t’ia bashkangjitur Serbisë veriun e Kosovës..!?”, deklaroi opinionisti.

Elezaj tha se këtë skenar e kuptuan miqtë tanë amerikan dhe i dhanë ultimatum palës serbe, ku më pas edhe u detyrua edhe BE-ja ta aranzhojë një takim mes Kurtit dhe Vuçiqit.

Ai vlerëson se takimi i radhës mes liderit të Kosovës me atë të Serbisë nuk do të sjellë asgjë të re, madje edhe mund ta komplikojë më shumë procesin e dialogut.

“Për fat, këtë skenar ruso-serb e kuptuan me kohë miqtë tanë amerikanë, të cilët palës serbe i dhanë ultimatum, se nëse ndërhyni me ushtri në Kosovë, “do e pësoni edhe më keq se në vitin 1999..”, duke i detyruar bandat kriminale serbe si dhe A. Vuçiqin që të tërhiqen nga planet e tyre për fillimin e një lufte të re në Ballkanin Perëndimor, e cila siç dihet do t’i shkonte përshtati më së shumti diktatorit kriminel, V. Putinit, i cili me dekada ka investuar ushtarakisht në Serbi që një ditë ta ndezë luftën në Ballkan midis Serbisë dhe Kosovës, përfshirë në këtë luftë Malin e Zi, Shqipërinë dhe Maqedoninë”, tha ai.

Ai beson se takimi me 18 gusht në Bruksel midis A. Kurtit dhe A. Vuçiqit, nuk do të sjellë asgjë të re në kuptimin e përmirësimit të raporteve midis Serbisë dhe Kosovës, përveç se “mund ta komplikojë edhe më shumë situatën rreth vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi”, në kohën kur Serbia ka dalë hapur në përkrahje të Rusisë dhe krimeve që V. Putini po vazhdon t’i bëjë ndaj popullit ukrainas, duke mos vendosur ende sanksione ndaj Rusisë etj.

“Serbia, qartë është rreshtuar në anën e Moskës zyrtare, e cila çdo ditë po vret fëmijë, gra dhe civilë të pafajshëm, kurse në anën tjetër po vazhdon ta gënjejë Brukselin zyrtar për gjoja interesimin e saj për t’u anëtarësuar në BE..!?”, theksoi ai.

Tutje, opinionisti u shpreh se Kurti po gabon kur nuk po e kushtëzon vazhdimin e dialogut me plotësimin e disa kërkesave konkrete.

Krahas kësaj, shtoi se nuk pret që të arrihet ndonjë marrëveshje mes Kurtit dhe Vuçiqit.

“Mendoj se kryeministri Kurti, po gabon rënd që dialogun me Beogradin nuk po e kushtëzon me plotësimin e disa kërkesave konkrete para se të shkon në Bruksel, siç është kthimi i të pagjeturve të varrosur në 16 varreza masive në Serbi, kompensimi i dëmeve të luftës në Kosovë, pastaj kërkesa për ndërprerjen e fushatës denigruese antishqiptare, më sakët, ndërprerjen e fyerjeve të përditshme kundër popullit shqiptar, kulturës, gjuhës dhe historisë së tyre nacionale, të cilën Beogradi zyrtar po vazhdon të bën pandërprerë para opinionit vendor dhe atij ndërkombëtar, duke shtrembëruar faktet dhe falsifikuar historinë e Kosovës dhe të shqiptarëve!

Unë nuk besoj se nga takimi i ardhshëm në Bruksel midis A. Kurtit dhe Vuçiqit do arrihet ndonjë marrëveshje e re, dhe as që do ketë ndonjë përparim në vazhdimin e dialogut, për dështimin e të cilit A. Vuçiqi ka punuar me të gjitha mjetet qyshkur është bërë president i Serbisë, dhe, po ta kishte lejuar Brukseli zyrtar Serbia moti do ta kishte ndërprerë dialogun me Kosovën”, nënvizoi Elezaj.

Ndër të tjera, ai nuk pret ndonjë ndikim të madh të Amerikës në këtë takim, ndonëse ia kanë treguar qartë se nuk mund të ketë asociacion të komunave serbe në Kosovë.

“Po ashtu, mendoj se në takimin e ardhshëm Kurti-Vuçiq, miqtë tanë amerikanë nuk do ushtrojnë ndonjë ndikim që ia vlen të ceket, përveç faktit se Beogradit zyrtar i kanë treguar qartë, se në Kosovë nuk do ketë Asociacion komunash serbe me kompetenca ekzekutive (shtet në shtet, Escobar), si dhe linjën e kuqe se deri ku mund të shkon regjimi i Beogradit në destruktivitetin e tij politik si agjent numër një pro-rus në Ballkanin perëndimor..!?”, përfundoi Rexhep Elezaj.

Zogaj: Bisedimet në Bruksel do të kenë shumë “sy e vesh”

Image
Skënder Zogaj

 

Kurse, opinionisti Skënder Zogaj për “Bota sot” tha se takimi Kurti-Vuçiq është shumë i rëndësishëm, pasi vjen pas disa zhvillimeve shumë tensionuese, siç janë ato në veri.

“Takimi i ri në Bruksel ndërmjet Albin Kurtit dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq padyshim që është shumë i rëndësishëm sepse vjen pas disa veprimeve të shumëpërfolura të Qeverisë Kurti, i cili po bën përpjekje për të dalur nga rrethi me gjemba, që i ka stagnuar e ka ndalur procesin e nisur për gjetjen e zgjidhjes së problemit Kosovë- Serbi, si kusht për liberalizimin e vizave dhe integrimin në BE”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Zogaj kërkoi nga kryeministri Kurti të jetë shumë i vëmendshëm dhe i çartë, ku duhet ta realizojë atë që thotë, pasi bisedimet do të kenë shumë "sy e vesh".

“Kurti e ka gurin e mullirit në shpinë, prandaj në Bruksel, kësaj here duhet të jetë shumë i vëmendshëm, i shkurt dhe i çart, dhe atë që do ta thotë, do të duhet patjetër ta realizojë, sepse, bisedimet do të kenë shumë "sy e vesh" të cilët janë me ndikim të madh dhe të cilët, nuk kanë më shumë kohë për duruar zhagitjen e rezultatit të bisedimeve”, vlerësoi opinionisti.

Në fund, ai përmendi edhe ndikimin e SHBA-ve dhe mundësinë për arritjen e një marrëveshje me asociacionin.

“Ndikimi i SHBA-ve në këtë takim do të jetë indirekt sepse, bisedimit kësaj radhe nuk e sjellin marrëveshjen por duhet të afrohen pikëpamjet kah marrëveshja për asociacionin”, përmbylli Skënder Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat