“Të bëmat dashakeqëse të Hashim Thaҫit dhe Isa Mustafës, që po duhet t’i paguaj tani Albin Kurti”

Politika

“Të bëmat dashakeqëse të Hashim Thaҫit dhe Isa Mustafës, që po duhet t’i paguaj tani Albin Kurti”

Nga: H.O. Më: 7 shtator 2022 Në ora: 08:27
Ilustrim/ Hashim Thaçi, Isa Mustafa

Duke komentuar ngjarjet politike, aktuale në vend, njohësi i ҫështjeve politike, Idriz Zeqiraj në një prononcim për ‘Bota sot’ ka kujtuar edhe periudhën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, duke thënë se konfirmimi i kësaj pavarësie, nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, sikur ishte e mjaftueshme për sovranitetin e Kosovës, në kufijtë ekzistues të saj. Për fatin e keq të Kosovës dhe të popullit të saj, Presidenti Rugova ishte shuar fikzikisht. Lufta për pushtetin partiak brenda LDK-së, u ndez. Burra të shkolluar bollshëm, me një përvojë solide politike, edhe pse hynë në garë për kreun e LDK-së, nuk e përballuan humbjen. As pala fituese nuk e menaxhoi mirë fitoren dhe nuk bëri asgjë, për ta shmangur ndarjen e paralajmëruar të partisë. Rrjedhimisht, fajësia ishte dy palëshe.

“Serbia përgjonte, kujdesshëm, rrjedhat politike në vend. Shkuarjes në amshim të Rugovës, iu gëzuan partitë-banda të PAN-it dhe Serbia. Gjykata Ndërkombëtare e Hagës shpalosi krimet faktike të disa komandantëve, kryesisht, të vrasjes të ushtarakëve të FARK-ut të Ibrahim Rugovës; të veprimtarëve të LDK-së; të gazetarëve të guximshëm dhe me integritet; të aktivistëve të hershëm të LPK-së, të gjithë shqiptarë, të përkushtuar fort për lirinë e Kosovës, pjesë e luftës çlirimtare. Vrasjet ishin politike, me motive ultra të ulëta: "Marrja e pushtetit me dhunë e gjak, njësoj siç e mori kryekrimineli shqiptar Enver Hoxha, pas Luftës së Dytë Botërore”, vlerëson ai.

Image
Idriz Zeqiraj

Tutje, Zeqiraj thotë se nga burimet serbo-sllave, Carla del Ponte e DickMarty siguruan fakte e prova për krimet e luftës, nga disa komandantë kriminelë shqipfolës dhe botuan libra. Senatori zviceran, DickMarty, hartoi një rezolutë, plot krime, në mes tjerash edhe për transplantim dhe shitje organesh. Dhe, Këshilli i Evropës e aprovoi atë. Për rrjedhojë u kërkua themelimi Gjykatës Speciale, të cilën e ratifikoi edhe Kuvendi i Kosovës. Serbia përfitoi nga rasti dhe u hodh në sulm, për të balancuar krimet e shqiptarëve viktima, me ato të soldateskës vrastare serbe. Njëherësh, e rriti pazarin me kërkesa absurde, me synime e pretendime hisedare në pushtet, brenda Kosovës dhe zgjerime territoriale.

“Ndonëse zotëronte dosjet kriminale të komandantëve pushtetarë të Kosovës, shantazhoi e kërcënoi me hapjen e tyre, duke imponuar dialogun politik, të kamufluar me atë teknik. Për ta shpëtuar të gjithëpushtetshmin Hashim Thaçi nga drejtësia, u angazhua një lukuni e tërë servilësh e puthadorësh, jo vetëm nga soji i tij majtist, por edhe nga LDK-ja djathtiste.Tradhtia nismoi me vrasjen e dhjetëra dhe dëbimin e 12 mijë shqiptarëve, nën hundën e KFOR-it francez dhe agjentit të tyre Hashim Thaçi, i cili amortizoi çfarëdo kundërshtie, me premtimin e rremë dhe kriminal se "do t`ju kthej në shtëpitë tuaja së afërmi!" Dhe, jo vetëm që nuk u bë kthimi i tyre, përkundrazi vazhdoi shpërngulja e heshtur edhe e mijëra shqiptarëve të tjerë nga veriu i Mitrovicës. Ishte bashkëpunëtori i Thaçit, Bardhyl Mahmuti, ai që denoncoi konspiracionin e Hashimit me agjentin e Shërbimit Sekret francez, DamjanArnaud, konfirmuar edhe nga drejtori i Qendrës Informative të Francës”, thotë Zeqiraj.

Analisti thotë se, në vazhdën e veprimtarive konspirative, nën shantazhin e kërcënimin e Serbisë, kryeministri Hashim Thaçi nënshkroi Asociacionin më 2013, për ta përsëritur Isa Mustafa më 2015. Dhe, sot Qeveria Kurti përballet me trysninë, për zbatimin e atyre marrëveshjeve të pista, të bëra nga tandemi zuzarë Hashimi-Isa.

“Sikur nuk mjaftoi gjëma që i shkaktuan Kosovës, disa komandantë me bandat e tyre vrastare, duke ia ekzekutuar bijtë e saj më të mirë luftëbërës. Rrjedhojë e këtyre krimeve është shantazhi i Serbisë, me dosjet faktike, ndaj komandantëve. Tani, disa syresh janë arrestuar, presioni i zbatimit të marrëveshjeve i faturohet qeverisë aktuale. Dhe, zbatimi i tyre është hiç më pak se bërja e Serbisë hisedare në sundimin e Kosovës. Pjesë e fajësisë faktike të komandantëve pushtetarë, është edhe BE-ja. Ajo ishte dhe është në dijeni të krimeve të komandantëve dhe të shantazhit të Serbisë. Edhe pse disa vite BE-ja, përmes misionit të saj UNMIK-ut, bashkëqeverisi me komandantët, bëri tri faje të rënda”, vlerëson Zeqiraj.

Ai këto faje i ka renditur si më poshtë:

1) Ajo i heshti krimet e komandantëve për vrasjet politike, haraçin, duke i favorizuar edhe për uzurpimet dhe zhvatjet gjithëfarëshe nga buxheti i lodhur i Kosovës. Arrestimet e komandantëve kriminelë, nga UNMIK-u, ishin bazale e faktike. Por, lirimi dhe pafajësia e tyre ishte fiktive, e rrejshme. Thënë qartazi: administrata e BE-së, përkatësisht, UNMIK-ut, me Kouchnerët e saj, u dorëzuan para komandantëve dhe bandave të tyre kriminale, që vazhduan të vrisnin edhe pas luftës, përfshi këtu edhe dëshmitarët e mundshëm dhe vetë pjesëtarët e bandave të tyre, për t`ua faturuar krimet vrastare, pas ekzekutimit të tyre. Të shenjëstruarit e tyre ishin edhe badiguardët e komandantëve, që dinin shumë për krimet e shefave të tyre.

2) BE-ja e përkëdheli Serbinë, me një tolerancë proverbiale, për veprimet e saja mospërfillëse ndaj Kosovës të shpallur e pavarur, por, edhe ndaj vetë BE-së. Gatishmëria për koncesione ndaj Serbisë dhe të komandantëve pushtetarë të shantazhuar, ishte një ujdi edhe me gatishmërinë e BE-së! Dhe, për çudë, edhe pse tradhtia e komandantëve, në këmbim të lirisë personale, u ndërpre me arrestimin e tyre, BE-ja ngulmon në zbatimin e atyre marrëveshjeve fatale për Kosovën, të bëra në konspiracion e fshehtësi të popullit, të strukturave shtetërore e partiake!

Shembullojmë - me 24 hektarët tokë kontestuese për Manastirin e Deçanit. Edhe pse shpërfillet dokumentacioni kadastral e pronësor i hershëm, pranohet falsifikueshëm e përçudshëm, dokumentacioni i bërë në kohën e pushtimit të egër të Millosheviçit! Një fakt domethënës, i dëshmuar me hartë, nga vet presidenti Vuçiq, i cili denoncon Hashim Thaçin, më parë kryetar i PDK, kryeministër e, së fundi, president, për vijëzimin e bërë, për rrugën ndërshtetërore: Kosovë, me nismën nga Deçani, përshkon bjeshkët dhe kufirin për Mal të Zi, duke vazhduar rrenzë Alpeve, Mbishkodër dhe për të përfunduar në Adriatik.

 Thaçi-Vuçiqdakordohen për devijimin e rrugës, duke e pranuar, individualisht, dhënien e 24 hektarëve tokë Manastirit, të bëhen tri ngjitje dhe po aq zbritje lakore, - kodra pas bregut -, për të anashkaluar hektarët e uzurpuar nga kisha, duke dalur në një grykë të largët.

Veç arsyes pronësore, popat kishtarë arsyetojnë devijimin e rrugës, me sugjerimin e vet Thaçit, siç e përdorë Vuçiqi, si alibi, për ta pranuar Kosova, jep edhe një arsye shtesë: "Kisha, si objekt kulti fetar, kërkon qetësi, andaj rruga anash Manastirit pengon, sepse prishë qetësinë"! Ndërkohë, zyrtarët e komunës së Deçanit, më i zëshmi, Bashkim Ramosaj, e kanë analizuar këtë ankesë dhe premtuan garantimin për shurdhimin, mbytjen e e zhurmës, duke propozuar tri llojet e praktikave shurdhuese të zhurmave, të cilat i përdorin shtetet më të zhvilluara të botës. Ata ishin gadipë t`u ofruar personelit të Manastirit të zgjedhë teknikën më ciklësore, për mbytjen e çfarëdo zhurme.

Megjithatë, punimet e autorrugës, që lidhë tri shtetet e Ballkanit Perëndimor u pengua, njëanshëm, nga KFOR-i, duke ndërprerë, arbitrarisht, punimet e autorrugës, shumë të nevojshme dhe po aq domëthënëse në lidhjet qarkulluese lehtësuese të tri shteteve! Ky fakt flet shumë, për lidhjet speciale të BE-së me Serbinë dhe koncesionet që i bënë asaj, gjithëherë, në dëm të shtetit të ri të Kosovës.

Kryetari i komunës Ramosaj, në dëshpërim të thellë, për këtë padrejtësi të pajustifikueshme, përveç Serbisë, BE-së, KFOR-it, akuzoi rëndë edhe strukturat pushtetare të Kosovës: "Më tradhtuan të gjithë, pa përjashtim!" Dhe, vërtet, kemi të bëjmë me një krim - suigeneris -, të bërë, fillimisht, nga kasapi i Ballkanit, Millosheviç dhe tani të mbrojtur nga BE-ja dhe KFOR-i! Dhe, kjo cënon sovranitetin të shtetit të Kosovës dhe lëndon shqiptarët e kudondodhur, konsiderohet dhe, faktikisht, është padrejtësi e provokim i rëndë, pothuajse, mujëshor dhe i qëllimshëm. Palët e cituara në fajësi, duhet t`ia bëjnë të qartë Serbisë dhe Manastirit se tokat e shqiptarëve, të uzurpuara nga kryekrimineli Millosheviç, nuk mund të mbahen mëtej  në pronësi të paligjshme.

3) BE-ja, gjithssesi, fajësohet edhe për mosbërjen sa duhet, që pesë shtetet e Evropës së Bashkuar ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës. Dhe, po të kishte angazhimin e duhur, vështirë se mund ta refuzonin kërkesën e BE-së, për njohjen e Kosovës, kur kemi parasysh shtete si Qipro, Sllovakia, Rumania, Polonia, Spanja, të cilat kanë vartësi politike dhe ekonomike nga BE-ja.

Më parë "Rojat e Urës" së Ibrit, tani bllokimi i rrugëve kryesore, për Serbi dhe Evropë, nga bandat serbe të veriut të Mitrovicës dhe të komunave tjera, me shumicë serbe, natyrisht, me urdhër të Beogradit, BE-ja po i toleron, si normale, si e drejtë e protestimit, në rastin konkret të Reciprocitetit, në raportet Kosovë-Serbi. Atëherë, shtrohet pyetja pse shtetet e Quintit dhe të tjerat, tej 100 shteteve e njohën pavarësinë e Kosovës, në kufijtë ekzistues?!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat