Paralajmërimi për Albin Kurtin: Edi Rama i porositur nga Vuçiq, ky është qëllimi i tij

Politika

Paralajmërimi për Albin Kurtin: Edi Rama i porositur nga Vuçiq, ky është qëllimi i tij

Nga: P.R Më: 15 shtator 2022 Në ora: 22:14
Foto ilustrim

“Kurti po përballet me sindikata, të cilat sipas tij po synojnë dobësimin e Qeverisë”

Pasi përfundoi takimin me këshillin grevist të SBASHK-ut, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti befasoi të gjithë kur u shfaq nga Tirana bashkë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili së fundi kaloi mbi tre ditë në Beograd me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq në kuadër të një sesioni të “Ballkanit të Hapur”.

E kryeministri Kurti tha se temë diskutimi të takimit të papritur kanë qenë sulmet kibernetike dhe energjia.

“Takimi i djeshëm ka qenë drekë pune dhe shumë i mirë dhe i nevojshëm për shkak të temës. E para ka qenë siguria kibernetike dhe isha i interesuar që të marrë informata sidomos me veprimet e fundit atje. E dyta ka qenë sfidat e energjisë në muajt në vijim, ku e dini se KEK dhe KESh komunikojnë shumë mirë dhe e dini se gjatë verës kemi dhënë rrymë”, u shpreh kryeministri Kurti.

Image
Gani Qarri

 

Por sipas analistit politik, Gani Qarri, kryeministri Kurti duhet të ketë kujdes nga Edi Rama, i cili dihet publikisht se është mik i ngushtë i presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

“Shkak i takimit urgjent të Kurtit me Ramën, mund të kenë qenë edhe sulmet kibernetike, që kohët e fundit, janë shpeshtuar dhe vërsulur në mënyrë të shfrenuar, jo vetëm kundër Shqipërisë, por edhe kundër Kosovës nga grupe të organizuara hakerësh rus dhe iranian, duke mos harruar këtu edhe elemente konkrete, të çështjes së dialogut Kosovë-Serbi, ku Rama ka dëshirë të madhe t’i fusë sa më thellë hundët e gjurmimit, edhe për t’i ardhur në ndihmë mikut të tij Vuçiq”, thotë Qarri për “Bota sot”.

Sipas tij, Edi Rama mund të jetë njeri i porositur i Serbisë për të spiunuar Kurtin.

“Si mik për kokë i presidentit kriminel serb, Aleksandër Vuçiqit, Edvin Rama mund të jetë porositur drejtpërsëdrejti edhe nga Serbia, për të kuptuar më në hollësi, detajet të veçanta, të bisedimeve të zhvilluara të kryeministrit Kurti me ndërmjetësuesin e lartë të BE-së, Miorosllav Lajçak si dhe të dërguarit e posaçëm të kancelarit gjerman Olaf Scholz e presidentit francez Emanuel Macron, lidhur me dialogun Kosovë-Serbi”, shprehet Qarri.

“Hollësi të cilat Vuçiqi dhe Serbia, do t’i paguanin shtrenjtë, ngase kanë interesim të madh, t’i zbulojnë para vendimeve të reja, që pritet të ndërmerren në fund të dialogut të ndërmjetësuar me Kosovën, për çka Vuçiq shpresën më të madhe për mbështetje, e sheh te Edvin Rama”, nënvizon analisti Qarri.

Më tej, Qarri thekson se kryeministri Kurti po përballet me sindikata, të cilat sipas tij po synojnë dobësimin e Qeverisë.

“Siç konstaton hetimi i komunitetit të zbulimit amerikan, në bazë të analizimit të financimeve nga Rusia, presidenti Putin për ti manipuluar demokracitë nga brenda, është angazhuar në financim të fshehtë politik në mbarë botën, e siç është konfirmuar, viteve të fundit, Rusia ka financuar kandidatë e parti “në mbi 24 vende të Evropës dhe kush e di, në sa sosh, anë e mbanë botës, gjë që lë të nënkuptohet se edhe politikan e parti politike në Kosovë, mund të kenë marrë para të majme nga Rusia, për të shkaktuar probleme në Kosovë. Para që partitë e inkriminuara, ndoshta sot po i përdorin, për manipulimin me sindikatat, duke organizuar greva politike, kohë e pa kohë, për ta bllokuar tërësisht zhvillimin normal të arsimit në Kosovë, rritur pakënaqësitë sociale në vend dhe dobësuar pozitat vendimmarrëse të Qeverisë së Kosovës, pikërisht në prag të përfundimit të dialogut me Serbinë”, shpjegon Qarri.

“Pra kjo mund të jetë vetëm maja e ajsbergut, pasi që edhe vet kryeministri Kurti, në konferencën e shkurtër për shtyp, të mbajtur pas takimit me kreun e sindikatave, deklaroi publikisht se qëllimi i grevës në arsim nuk janë 100 euro-të e kërkuara për mësimdhënësit, por është krejt dikund-tjetër, aventurë e cila së shpejti, do të kuptohet edhe nga opinioni publik”, përfundon analisti Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat