Borellit dhe Lajçakut i erdhi një ‘goditje’ nga Amerika. Po kërkohet zëvendësimi i tyre – kjo është arsyeja!

Politika

Borellit dhe Lajçakut i erdhi një ‘goditje’ nga Amerika. Po kërkohet zëvendësimi i tyre – kjo është arsyeja!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 26 shtator 2022 Në ora: 07:46
Joseph Borell dhe Miroslav Lajçak

Dialogu Kosovë-Serbi po del të jetë një sfidë e madhe jo vetëm për dy shtetet e përfshira, por edhe për Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Bisedimet në Bruksel po vazhdojnë të zvarriten, ku në krye të tyre janë Joseph Borell dhe Miroslav Lajçak.

Ironia e fatit është se këta dy ndërmjetësues vijnë nga shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, respektivisht Spanja dhe Sllovakia.

E punën e tyre në këto negociata e kritikoi edhe profesori amerikan David Philips.

Së fundi, Philips analizoi situatën e Kosovës, ku sipas tij ngërçi i njohjes nuk zgjidhet dot vetëm me ndërmjetësimin europian.

“BE-së i mungon legjitimiteti si ndërmjetës, Lajçaku dhe Borelli vijnë nga vende që s’e kanë njohur vetë Kosovën. SHBA-ja duhet të ketë rol më aktiv”, tha ai.

Tutje, Philips theksoi se Uashingtoni “duhet të njohë që miqtë e tyre në rajon janë shqiptarët. SHBA s’ka miq më të afërt në botë se shqiptarët. Në vend që të mbajë qëndrim të barabartë, duhet ta bëjë të qartë që po ushtron peshën e saj në mbështetje të qëndrimit të Kosovës”.

Analistët për “Bota sot” komentuan qasjen e Borellit dhe Lajçakut në bisedimet Kosovë-Serbi dhe ndikimin e tyre në këtë proces.

Qarri: BE-së, realisht nuk i mungon legjitimiteti, ndërsa Josep Borellit dhe Mirosllav Lajçakut

Image
Gani Qarri

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në një prononcim për “Bota sot”, tha se Borellit dhe Lajçakut iu mungon legjitimitet, pasi vijnë nga shtete mosnjohëse të Kosovës.

Madje, ai kujtoi kohën kur CatherineAshton ishte shefe e diplomacisë evropiane.

“BE-së, realisht nuk i mungon legjitimiteti, ndërsa Josep Borellit dhe MirosllavLajçakut po, për faktin se që të dy vijnë, nga vende mos njohëse të Kosovës dhe mbajnë hapur anën e Serbisë, por nuk duhet harruar faktin kryesor, se kësaj rrëshqitje katastrofale, i parapriu Kosova dhe shkaktar u bë kuislingu Hashim Thaçi, i cili gati shfuqizoi tërësisht vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, me vendosjen e fusnotës së "famshme" duke e kthyer statusin e shtetit të pavarur të Kosovës, të vulosur nga GJND-ja, në një vend me status të pazgjidhur dhe krahinë të Serbisë.

Madje sa i takon BE-së, sa ishte baronesha CatherineAshton nga Mbretëria e Bashkuar shefe e diplomacisë evropiane, ajo që nga fillimi insistoi me të gjitha mjetet dhe mundësitë në ruajtjen e rregullimit të brendshëm shtetëror, integritetit territorial dhe përafrimit të Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian dhe caktoi ndërmjetëse të bisedimeve një "diplomate" që vinte nga vend njohës i shtetit të pavarur të Kosovës si FederikaMogherini nga Italia”, shpjegoi ai.

“Historia e shqiptarëve vazhdon të përsëritet, njëjtë, që nga koha e Kongresit të Berlinit”

Po ashtu, Qarri përmendi disa marrëveshje që i kishte nënshkruar ish-presidenti Thaçi e të cilat sipas tij e dëmtuan sovranitetin e shtetit.

Krahas kësaj, thotë ai, se përkundër zhvillimeve, shqiptarët janë të vetmit në rajon e më gjerë, që bëjnë koncesione të pafund dhe e shesin lirë e vendit të vet.

“Por, në momentin që kuislingu Hashim Thaçi nënshkroi marrëveshjen për "zajednicën" dhe futi në tavolinën e bisedimeve aferën për ndarjen e Kosovës, edhe vet BE-ja u detyrua ta ndryshonte kursin e saj, të mbante qëndrim asnjanës ndaj statusit të Kosovës me fusnotë dhe të zëvendësonte ndërmjetësuesit e vet, nga vendet njohëse, me ata që vinin prej vendeve mos njohëse të pavarësisë së shtetit të Kosovës, si Josep Borell nga Spanja dhe MirosllavLajçak nga Sllovakia.

Pra, historia e shqiptarëve vazhdon të përsëritet, njëjtë, që nga koha e Kongresit të Berlinit, kur grupe të ndryshme shqiptarësh, kërkonin pjesëmarrje në Kongres, për ta dëshmuar mbetjen me vullnetin e tyre, nën pushtimin turko-otoman, ani Kongresi i Berlinit, nuk ishte i thirrur, nga Fuqitë e Mëdha për ruajtjen e Perandorisë otomane, por për të drejtën e çlirimit dhe pavarësisë së popujve evropian e ballkanik, ndaj insistimi i tyre, për personifikimin kolektiv të një kombi me identitet të huaj, bëri që shqiptarët të mos pranoheshin fare në Kongres, ngase Perandorinë e përfaqësonin vet gjeneralët dhe diplomatët otoman. E për fat të keq, edhe sot po dëshmohet se, përkundër zhvillimeve, shqiptarët edhe sot nuk jetojnë me kohën, dhe janë të vetmit në rajon e më gjerë, që bëjnë koncesione të pafund dhe shesin lirë vendin e vet”, vlerësoi analisti.

Në vazhdim, ai kritikoi qasjen e Thaçit dhe Mustafës ndaj Serbisë, ku sipas tij historia e shqiptarëve vazhdon të përsëritet, njëjtë, që nga koha e Kongresit të Berlinit.

Qarri deklaroi se qëndrimet konsensuale në kursin diplomatik të BE-së, për trajtimin e barabartë të të gjithë pjesëmarrësve, nuk mund të shkeleshin, jo nga frika prej shqiptarëve, por nga parimi i rregullave të veprimit.

“Madje të njëjtin veprim renegat, bënë edhe kuislingu Hashim Thaçi dhe renegati jugo-komunist Isa Mustafa, duke devalvuar statusin e shtetit të pavarur të Kosovës, deklarata e mëvetësisë së të cilit në fakt ishte lexuar me 17 shkurt 2008 në Prishtinë, por është vulosur me 22 korrik të vitit 2010 nga GJND-ja, në Hagë, ndaj duke i vendosur fusnotën statusit të vendit, nënshkruar dy herë marrëveshjen kundër kushtetuese dhe miratuar atë me shumicën dërmuese të votave edhe në parlament, u krye akti më i rëndë i tradhtisë, nga i cili tanimë po shihet shumë qartë, se sa e vështirë është, të tërhiqet Kosova.

Për aq më tepër, duke njohur të paktën qëndrimet e politikës së barabarësisë që ka prioritet të lartë në parimet e veprimit të shteteve të demokracisë evropiane, si p.sh, Jean -ClaudeJunker, që vije nga Luksemburgu, një minishtet me rreth 2600 kilometra katror dhe me vetëm 634 mijë banor, ku është e vendosur edhe Gjykata Evropiane e Drejtësisë, prej 1 nëntorit të vitit 2014 deri më 30 nëntor të vitit 2019 ishte kryetar i Komisionit Evropian, që dëshmon se qëndrimet konsensuale në kursin diplomatik të BE-së, për trajtimin e barabartë të të gjithë pjesëmarrësve, në këtë rast, edhe të të dyja palëve dialoguese nuk mund të shkeleshin nga BE-ja, jo nga frika prej shqiptarëve, por nga parimi i rregullave të veprimit, sikur Thaçi dhe Mustafa, vërtetë ta respektonin pikësëpari vet, statusin e pavarur të Republikës së Kosovës, të mos e nënshkruanin dy herë dhe të mos e miratonin edhe në parlament marrëveshjen për formimin e "zajednicës" kundërkushtetuese një etnike serbe, si dhe  të mos kërkohej publikisht edhe ndarja e Kosovës nga vet kuislingu Hashim Thaçi, si në Alpbach të Austrisë etj.,” nënvizoi Qarri.

“BE- pa ndihmën e SHBA-ve, nuk mund të arrijë marrëveshje të qëndrueshme”

Më tej, analisti tha se nëse do të veprohej në mënyrë të duhur nga ish-udhëheqësit e mëparshëm të Kosovës, tani nuk do të kishim ndërmjetësues që vijnë nga shtetet mosnjohëse.

“Pra, sikur mos të veprohej në mënyrë kaq të ulët antishtetërore nga vet Thaçi &Co, nuk do të ishte e mundur, që as në periudhën e dytë të bisedimeve me Serbinë, të vinin që të dy ndërmjetësuesit nga vendet mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës.

Kështu që për ta rivendosur serish në binar, çështjen e zgjidhjes përfundimtare të Kosovës, është plotësisht me vend, shumë kërkesë e drejtë dhe veprim i patejkalueshëm, që siç thotë edhe profesori i nderuar amerikan dhe miku i mirënjohur i vendit tonë DavidPhilips, përderisa ndërmjetësit Lajçak dhe Borell vijnë nga dy vende që ende s’e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, SHBA si fuqia më e madhe, ekonomike dhe politike botërore, me peshë të pazëvendësueshme për ndërmjetësime dhe arritjen e marrëveshjeve të qëndrueshme globale, të ketë, jo vetëm rol më aktiv”, por edhe të marrë rol prijës në ndërmjetësim, në mënyrë që vërtetë të mundësohet arritja e një marrëveshje obliguese gjithëpërfshirëse me njohje të ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila edhe 23 vite pas çlirimit, shpreh pretendime të hapura territoriale ndaj pjesëve më vitale të Republikës së Kosovës”, tha ndër të tjera ai.

Në fund, Qarri u shpreh skeptik për arritjen e marrëveshjes finale, ku tha se nuk mjafton vetëm zëvendësimi i Borellit dhe Lajçakut.

“Prandaj duke pasur të gjitha këto parasysh dhe vet faktin e njohur se BE- pa ndihmën e SHBA-ve, nuk ka mundur të arrijë marrëveshje të qëndrueshme as në rastet tjera, nuk besojë se marrëveshja Kosovë Serbi, do të mund të arrihej vetëm me zëvendësimin e ndërmjetësuesve aktual, MirosllavLajçak dhe Josep Borell, kur dihet se edhe zonja Mogherini vinte nga një vend që ka njohur pavarësinë e Kosovës, në grupin e vendeve të para njohëse, por të gjitha prapësitë kundër shtetit tonë, që nga marrëveshja për "zajednicën" e deri te vendosja e idesë së ndarjes së Kosovës, u vendosën në tryezën e bisedimeve, pikërisht në kohën e ndërmjetësimit të saj, ndaj dhe shkaku kryesor i zvarritjes kaq të gjatë të bisedimeve, është mos përfshirja e deritanishme e SHBA-ve në dialog, pa të cilat, duket se është e qartë për të gjithë, se as nuk mund të arrihet marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.

Duhanaj: Ka zhvillimi mjaft komplekse!

Image
Leon Duhanaj

Kurse, analisti politik, Leon Duhanaj tha se zhvillimet në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare janë shumë komplekse.

“Kur flasim për zhvillimet demokratike në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare, duhet pasur parasysh se nuk kemi të bëjmë me shifra apo ekuacione matematikore ku rezultatet janë të sakta dhe fikse, por kemi të bëjmë me zhvillime mjaft komplekse”, deklaroi ai.

Duhanaj në prononcimin e tij për “Bota sot” përmendi zhvendosjen e dialogut Kosovë-Serbi nga OKB-ja në BE, me ç’rast u eliminua edhe mundësia e përfshirjes së Rusisë.

“Në radhë të parë besoj që z. DavidPhilips e di se çështja  dialogut Kosovë-Serbi, është zhvendosur nga OKB në BE, me një qëllim shumë pozitiv karshi Kosovës, ku me ç’rast u eliminua pjesëmarrja ruse në proces. Natyrisht që me këtë rast zyrtarisht u eliminua edhe SHBA-ja, por kjo nuk do të thotë që ata nuk janë aktiv në proces, pra janë edhe amerikanët edhe rusët.

Një kërkesë e tillë, apo një kthim i SHBA-së në proces, do të mund të kushtëzohej me pjesëmarrjen ruse dhe kjo është më se e papranueshme për ne”, theksoi analisti.

Në fund, ai tha se rëndësi ka që Amerika në mënyrë jo të drejtpërdrejtë është duke i prirë këtij procesi dhe krejt çfarë i duhet Kosovës është të jetë unike.

“Në anën tjetër kur e shikojmë përfaqësimin e BE-së në këtë proces përmes z.Borell, përkatësisht z.Lajçak, duket të jetë goxha paradoksale, pasi që të dy vijnë nga shtete mosnjohëse të Kosovës, megjithatë duhet ta kemi parasysh se këta nuk përfaqësojnë shtetet respektive në këtë proces, por institucionet e BE-së.

Sidoqoftë, është me rëndësi që SHBA-ja në mënyrë jo të drejtpërdrejtë është duke i prirë këtij procesi dhe krejt çfarë i duhet Kosovës është të jetë unike, konstruktive dhe t'i koordinojnë hapat në proces me SHBA-të”, përmbylli LeonDuhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat