“Është momenti vendimtar”/ Alarmi: Kosova ta ndalojë Serbinë, gjithçka varet nga Putin

Politika

“Është momenti vendimtar”/ Alarmi: Kosova ta ndalojë Serbinë, gjithçka varet nga Putin

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 18 nëntor 2022 Në ora: 20:29
Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe Aleksander Vuçiq

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi thotë për “Bota sot” se Kosova vazhdon të jetë në situatë të rrezikshme, kohë kjo kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të jenë në rritje dhe bota është në krizë për shkak të luftës në Ukrainë.

“Kosova është në një situatë jo të këndshme, ndoshta të rrezikshme. Por nuk shoh mundësinë e shpërthimit të një lufte midis Kosovës dhe Serbisë. Mundet të ketë incidente, përplasje, barrikada, bojkote, pra mund të shohim edhe në vazhdim një panoramë, të cilën e kemi parë në të kaluarën. Serbët vranë diku nga viti 2010 një ushtar të KFOR-t dhe plagosën një tjetër, më duket austriak. Sepse nuk pajtoheshin me prezencën e kësaj force në veri të Kosovës. Serbët vranë para disa vitesh oficerin e policisë, Enver Zymberi, i cili po shërbente për të vënë rregullin në veri të vendit”, thotë Bytyçi.

Sipas tij, Serbia në vazhdimësi zhvillon strategjinë e saj për ndarjen e Kosovës.

“Këto që ndodhin sot janë limonadë në krahasim me ato që kanë ndodhur në të kaluarën. Kujtojmë ngjarjet e 17-18 marsit 2004. Rojat e urës së Ibrit i detyruan dy fëmijë shqiptarë të mbyten në lum. Dhe ndodhi shpërthimi i zemërimit popullor! Ishte provokim serb dhe nga ky zemërim përfitoi Serbia. Me atë rast u hoq nga Rezoluta 1244 brezi 5 km për policinë dhe 20 km për ushtrinë serbe, për të qenë larg kufirit me Kosovën. Por fitorja serbe nuk ishte kjo. Ishte fakti se që me heqjen e këtij brezi, u tentua të mos konsiderohet kufiri Kosovë-Serbi. Ky ishte qëllimi dhe kjo ishte strategjia. Ndarja e Kosovës!”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.

Image
Enver Bytyçi

“Të gjitha ato që kanë ndodhur më vonë dhe ato që ndodhen sot kanë qëllimin që të krijohet përshtypja se për zgjidhjen e konfliktit Kosovë-Serbi nuk ka rrugë tjetër, përveç ndarjes së Kosovës dhe marrjes nga ana e Serbisë të pasurive të saj! Edhe ato që bënë kohët e fundit serbët këtë synim kanë. Pse nuk ndodhin konflikte të tilla ose të përafërta në qendrat e banimit të serbëve në jug të Mitrovicës? Sepse ndaj kësaj pjese Beogradi nuk ka synime pushtuese e aneksuese territoriale”, shton Bytyçi.

Më tej, profesor Bytyçi deklaron se kur situata në botë nuk është aspak e mirë, Kosova duhet ta forcojë mbrojtjen e saj.

“Megjithëse unë nuk shoh mundësinë e një lufte frontale midis ushtrisë serbe dhe asaj të Kosovës, besoj se qeveria dhe institucionet e saj do të duhet ta forcojnë aftësinë mbrojtëse të vendit. Për vitin e ardhshëm janë planifikuar për këtë qëllim 123 milion euro dhe kjo është shifra më e lartë në historinë 15 vjeçare të shtetit të Kosovës. Por me këtë buxhet nuk mund të përballohet një luftë hipotetike me Serbinë. Ushtria e Kosovës duhet të rritet në numër dhe të trajtohet në mënyrë preferenciale nga pikëpamja financiare e materiale. Profesionalizmi i saj mesa di unë është i admirueshëm, megjithatë nuk mjafton as kjo”, deklaron Bytyçi.

Profesor Bytyçi shprehet se Kosova ka nevojë për armatime dhe për një numër më të madh ushtarësh profesionistë.

“Nëse ballafaqojmë aftësinë mbrojtëse të Kosovës me Serbinë apo shtetet e tjera të rajonit, rezulton se Kosova është shumë herë më pak e armatosur. Armatimi i saj është i kufizuar. Mungojnë armatime të llojeve të ndryshme, për të mos folur për mbrojtje ajrore ose mbrojtje me armë të fuqishme. Megjithatë, besoj se teknologjia e armatimit është shumë e përparuar. Me këto që thashë dua të ve në dukje se Kosova ka nevojë për armatime ashtu si edhe për një numër më të madh ushtarësh profesionistë”.

Bytyçi thekson se gjithçka varet nga zhvillimet në luftën në Ukrainë.

“Por kjo nuk arrihet menjëherë. Nëse Kosova ose Ballkani përfshihen në një luftë të mundshme, kjo ose ndodh në dy-tri vitet e ardhshme, ose nuk do të ndodhë për një kohë të gjatë, me dekada. Rreziku i luftës e madje edhe përshkallëzimi i situatave konfliktuale midis Kosovës e Serbisë varen nga dështimi ose fitorja e Vladimir Putin në Ukrainë, nga mundësia për ta përhapur konfliktin rus në shtete të tjera të Evropës Lindore. Nëse ndodh kjo, pra, nëse Putin përparon e nuk dështon në agresionin e tij në Ukrainë, atëherë Serbia do të jetë e gatshme të luajë rolin e mashës ruse për të nis një konflikt të ri në Ballkan. Nëse Putin dështon në aventurën e vet, atëherë Serbia do të struket”, thotë Bytyçi.

Sipas Bytyçit, tash është momenti vendimtar për Kosovën.

“Aktualisht është e fokusuar në rritjen e presionit për të përfituar territore në Kosovë. Ajo do të donte ta bënte këtë direkt, me një vijë kufitare të re ndarjeje midis dy vendeve. Por nëse jo përmes kësaj, po lufton opsionin B, që të krijohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive, me qëllim që në një moment të përshtatshëm në të ardhmen këto komuna të shpallin shkëputjen. Prandaj unë e konsideroj momentin e tashëm si vendimtar për të ardhmen e vendit. Qeveria, presidentja, kuvendi, institucionet, opozita duhet të bëhen bashkë për ta parandaluar këtë lojë politike e diplomatike, si dhe objektiv të Serbisë. Nëse njëri i bie gozhdës e tjetri patkoit, atëherë krijohet hapësirë që Beogradi ta realizojë lehtësisht qëllimin e tij. Dhe mos harrojmë, janë në treg territoret e Kosovës, trojet e saj”, nënvizon Bytyçi.

“Shkurt: Duhet të bëhemi bashkë, me një qëndrim të prerë e të pandikueshëm. Duhet të hapim sytë, të dimë se çfarë është e dobishme dhe e drejtë dhe çfarë nuk është e tillë”, përfundon për “Bota sot”, profesor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat