Alarmi për Kosovën/ Bandat kriminale në veri të përgatitura nga Vuçiq

Politika

Alarmi për Kosovën/ Bandat kriminale në veri të përgatitura nga Vuçiq

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 22 nëntor 2022 Në ora: 17:37
Aleksandër Vuçiq dhe Albin Kurti

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell priti në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takim i cili përfundoi pa ndonjë marrëveshje për targat.

Pas shumë orë diskutimesh, dy palët nuk u pajtuan për zgjidhjen sot. Për hir të transparencës, ne parashtruam një propozim që mund ta shmangte këtë situatë të rrezikshme. Presidenti Vuçiq e pranoi, por për fat të keq kryeministri Kurti nuk e pranoi", tha Borrell pas takimi me Kurtin dhe Vuçiqin.

Pas takimit, kryeministri Kurti tha se propozimi i BE-së, që Kosova të mos fillojë me shqiptimin e gjobave dhe Serbia të mos lëshojë targa të reja për serbët e Kosovës, është i papranueshëm.

Kurse Vuçiq deklaroi se pala serbe do t'i respektojë "këshillat dhe kërkesat" e kryediplomatit evropian, Borell, i cili ndërmjetësoi bisedimet.

Ndonëse Policia e Kosovës dy ditë më parë kishte njoftuar se që nga 22 nëntori nis shqiptimi i gjobave ndaj veturave me targa ilegale, Qeveria e Kosovës, e ka shtyrë zbatimin e vendimit për 48 orë.

Në orët e vona më saktë, në mëngjesin e hershëm të ditës së sotme, nëpërmjet një njoftimi në tviter, kryeministri Albin Kurti, ka pranuar shtyrjen e zbatimit të vendimit për ndëshkimin e serbëve me vetura për targat ilegale, pasi i ishte drejtuar me një shkresë ambasadori amerikan Jefry Hovenier.

Përgjegjësia mbi Borell e Lajçak

E sipas analistit politik, Gani Qarri, Kosova është në të drejtën e saj për shtrirjen e sovranitetit në gjithë territorin e shtetit.

Ai thotë se për çdo eskalim në veri të Kosovës, përgjegjësia direkte bie mbi ndërmjetësuesit e BE-së, Borell e Lajçak.

Image
Gani Qarri

Për aq më tepër Kosova është në të drejtën dhe vendin e vet legjitim, madje ka edhe një marrëveshje ndërkombëtare të nënshkruar me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel për konvertimin e targave nga ato ilegale serbe në tabela legjitime të Republikës së Kosovës, prandaj për çfarëdo eskalimi të gjendjes në veri nga Serbia, vetëm pse Kosova dëshiron zbatimin e rendit e të ligjit dhe jetësimin e një marrëveshje legjitime të nënshkruar nga të dy palët, para më tepër se 11 vitesh, e gjithë përgjegjësia për hapjen edhe të një fronti të ri, të luftës okupuese, sipas shembullit të Rusisë në Ukrainë, edhe nga Serbia, për t’i okupuar territoret e Kosovës, bie direkt mbi Serbinë dhe ndërmjetësuesit e BE-së, Borell e Lajçak”, shprehet Qarri për “Bota sot”.

Më tej, ai thotë se Policia e Kosovës mund të hasë në rezistencë të bandave kriminale në veri të Kosovës të nxitura nga Serbia, nëse nuk arrihet një marrëveshje gjatë 48 orëve të ardhshme.

Kështu që nisur edhe nga konventat ndërkombëtare të shteteve, çfarëdo që supozohet se mund të ndodhë nga data 24, po që se, bandat kriminale nxiten nga Serbia edhe për rezistencë dhe pengimin e Policisë së Kosovës për zbatimin e ligjit ndaj pronarëve serb të veturave me targa ilegale, ky do të jetë një precedent i panjohur deri më tani në praktikën ndërkombëtare të kundërshtimit të rendit dhe ligjit nga bandat kriminale”, shprehet Qarri.

Qarri deklaron se Josep Borell, përfundimisht u deklarua në Bruksel se është pro Serbisë e kundër Kosovës.

Përgjegjësinë për të cilat do ta mbajë Serbia dhe ata që e mbështetën atë për ta sjellë gjendjen deri në këtë shkallë, si ndërmjetësuesit aktual të BE-së, veçanërisht Josep Borell, i cili përfundimisht u deklarua hapur kundër Kosovës dhe të drejtës së saj, për të vendosur rend e ligj në territorin e vet legjitim”, përfundon për “Bota sot”, analisti Gani Qarri.

Rrezik për trazira

Se ka rrezik për trazira, e thotë edhe analisti Faton Mehmeti.

Ka rrezik të madh që të ketë trazira, Vuçiqi i ka përgatitur bandat në veri. Qëllimi është të fajësohet Kosova për gjendjen në veri, këtë e ndihmoi edhe BE-ja me ledhatimin ndaj Serbisë”, thekson Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

Siç thotë Mehmeti, Vuçiq po synon ndarjen e Kosovës përmes asociacionit.

Agresori vazhdon të prodhojë konflikt, ironikisht mbështetet agresori dhe jo viktima. Megjithatë, Kosova s’ka pse ankohet, është shtet dhe duhet filluar të zbatuari sovranitetin në tërë vendin. Por, Vuçiqi është dinak dhe i pabesë, derisa në Bruksel shfaqet si qengj, më pas është ujk që kërkon mjegull për të arritur synimet serbe për ndarjen e vendit përmes asociacionit”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat