“Një luftë e vogël, ndoshta do ia vlente!”/ Ja si parashikohet copëtimi i Serbisë – këta shqiptarë po i dalin në ‘ndihmë’ Vuçiqit!

Politika

“Një luftë e vogël, ndoshta do ia vlente!”/ Ja si parashikohet copëtimi i Serbisë – këta shqiptarë po i dalin në ‘ndihmë’ Vuçiqit!

A.Morina Nga A.Morina Më 5 dhjetor 2022 Në ora: 22:53
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Ish-ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, u emërua drejtor i Agjencisë serbe të Zbulimit, e njohur si BIA.

Ky post po vlerësohet si “medale” nga Rusia për Vulinin.

Kjo në mënyrë që shteti rus të thellojë edhe më shumë ndikimin në shtetet e Ballkanit Perëndimor, përmes dirigjimit të Vulinit.

E këtë emërim të Vulini e komentoi profesori universitar, Enver Bytyçi në një prononcim për “Bota sot”.

Fillimisht, ai u shpreh se Serbia është tashmë edhe nga pikëpamja institucionale e asocuar me Rusinë.

“Të gjitha ngjarjet, diskutimet, deklaratat, emërimet dhe gjithçka tjetër që këto ditë ndodh në Beograd i dëshmon botës mbarë se Serbia e ka marrë vendimin e saj. Ajo do të vazhdojë të jetë aleat strategjik i Rusisë së Vladimir Putin dhe kërkon të mbahet në këmbë përmes marrëdhënieve me Moskën. Emërimi i Aleksandër Vulin në krye të shërbimit secret serb, BIA, është akti më i dukshëm i kësaj sjelljeje pro-ruse të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Të emërosh ish-ministrin e brendshëm, Vulin, në krye të BIA-s, kjo i shpjegon të gjitha: Serbia është tashmë edhe nga pikëpamja institucionale e asocuar me Rusinë”, deklaroi profesori.

Krahas kësja, Bytyçi potencoi se Vulini u emërua në krye të BIA-s serbe nën influencën dhe kontrollin e Kremlinit.

Madje, ai përmendi faktin se në shtetin serb veprojnë gjithsej 28 qendra spiunazhi, të cilat monitorohen nga shërbimi sekret të Putinit.

Image
Profesori universitar, Enver Bytyçi

“Vulin është emëruar në atë post me qëllim që të vazhdojë dhe thellojë bashkëpunimin e shërbimit sekret të Serbisë me shërbimin sekret të Rusisë. Dhe është e ditur tashmë se kur ndodh kjo, atëherë gjithçka tjetër është nën influencën dhe kontrollin e Kremlinit. Ndërkaq kjo lëvizje është gjithashtu në funksion të mbrojtjes së prezencës së shërbimit sekret rus në territorin e Serbisë. Nga informacionet thuhet se në Serbi veprojnë gjithsej 28 qendra spiunazhi, të cilat monitorohen nga shërbimi sekret i Vladimir Putin. Qendra kryesore është e vendosur në Nish.

Komuniteti Europian dhe amerikanët i kanë kërkuar disa herë presidentit Vuçiq që ta spastrojë vendon nga këto qendra të rrezikshme për stabilitetin dhe paqen në rajonin e Ballkanit. Por kreu i shtetit serb në vend të bëjë këtë, ka thelluar bashkëpunimin me Moskën”, theksoi ai.

Në vazhdim, profesori tha se propagandës së Vuçiqit po i vijnë në ndihmë edhe disa shqiptarë, si Dardan Molliqaj, kur e krahasonte sjelljen e qeverisë Kurti në veri ndaj serbëve me sjelljen e Milosheviçit ndaj shqiptarëve!

“Madje ditët e fundit po përdor të njëjtin vokabolar politik, si edhe Vladimir Putin para sulmeve ushtarake ruse kundër Ukrainës, në drejtim të Kosovës. Putin e quante atëherë Zelenskin fashist, Vuçiq e konsideron sot Albin Kurtin si terrorist. Putin thoshte se minoriteti rus në Ukrainë po persekutohej, pa sjellë asnjë të dhënë, asnjë fakt. Vuçiq shprehet vazhdimisht se minoriteti serb në veri të Kosovës gjithashtu po persekutohet. Kësaj propagande i vijnë në ndiihmë edhe disa shqiptarë, si Dardan Molliqaj, kur e krahasonte sjelljen e qeverisë Kurti në veri ndaj serbëve me sjelljen e Milosheviçit ndaj shqiptarëve!

Ajo që po ndodh sot në Serbi është e njëjtë si ngjarjet që ndodhën në këtë vend pas ardhjes në pushtet të Milosheviçit dhe akoma më tej, të ngjashme me ato që përgatitën agresionin rus në Ukrainë. Po t’i shtojmë kësaj retorike lufte edhe instrumentilizimin e shërbimit sekret të Serbisë, atëherë kuptohet qartë se qeveria, presidenti, kisha, akademia, nacionalizmi serb është përcaktuar përfundimisht në aleancë me fashistët caristë e stalinistë të Kremlinit”, nënvizoi Bytyçi

Më tej, ai vlerësoi se jo vetëm Vulin, i gjithë enturazhi i qeverisjes së Beogradit është nën ndikimin dhe influencën ruse.

“Serbia po krijon një situatë, të cilën askush nuk e di se si do perceptojë. Ambasadori Hovenier ka patur të drejtë kur e ka paralajmëruar Albin Kurtin për atë që mund të ndodhte me zbatimin e vendimit për targat. Para dy javësh nuk e besoja se Aleksandër Vuçiq do të pozicionohej kaq radikalisht kundër Perendimit dhe pro Rusisë. Por sot gjithçka është e qartë në dritë të diellit. Jo vetëm Vulin, i gjithë enturazhi i qeverisjes së Beogradit është nën ndikimin dhe influencën ruse.

E gjithë retorika dhe panorama e zhvillimit të ngjarjeve është ushtrim presioni për destabilizim ndaj Perendimit. E di se një konflikt është shumë i dëmshëm, sepse shkakton viktima. Por ndoshta Serbia po kërkon konflikt edhe në kushtet e izolimit të saj të plotë. Nëse ajo e kërkon kërë më çdo kusht, atëherë do të duhet të bëhen përgatitje për t’iu përgjigjur. Ukraina është modeli dhe shembulli frymëzues edhe për ne”, u shpreh profesori.

Në fund, Bytyçi shtoi se edhe një luftë e vogël do ia vlente, pasi në këtë mënyrë do të ricopëtohej Serbia.

“Një luftë e vogël, ndoshta do ia vlente që përfundimisht Serbia jo më të zgjerohet, por të ricopëtohet. Sepse prej saj do të largohen hungarezët, muslimanët e Sanxhakut dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës. Deri tani në SHBA e disa në Europë kishin besuar se Aleksandër Vuçiq do ta ndryshonte anijen serbe në drejtim të Perendimit. E kemi thënë se kjo nuk do të ndodhë. Sot është për këdo e qartë se Beogradi qëndron në karrigen e Moskës! Kush nuk dëshiron ta shohë këtë në kontinentin e vjetër, ai bëhet bashkëpunëtor i Beogradit dhe Moskës!

Gjithçka që ka ndodhur, nga deklarimet për bojkot të samitit europian në Tiranë dhe deri te emërimi i Aleksandër Vulin në krye të shërbimit sekret te Serbisë, dëshmojnë se Beogradi i qëndron fort besnikërisë së tij ndaj Moskës. Nuk e di sa i zhgënjyer është nga kjo vëllai binjak i Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Por, ai nuk e përshëndeti fitoren e Zvicrës kundër Serbisë në botërorin e Katarit”, përfundoi Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat