KE “u pendua” për raportin ku i kërkonte Malit të Zi e Maqedonisë që t’i vënë viza Kosovës, profesori Bytyçi tregon mesazhin e tyre: Është shqetësuese

Politika

KE “u pendua” për raportin ku i kërkonte Malit të Zi e Maqedonisë që t’i vënë viza Kosovës, profesori Bytyçi tregon mesazhin e tyre: Është shqetësuese

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 8 dhjetor 2022 Në ora: 18:07
Komisioni Evropian

Komisioni Evropian është penduar pasi fillimisht kanë kërkuar nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi t’i vendosin viza Kosovës dhe vendeve tjera konformë politikave të BE-së.

Pas një raporti të publikuar më 5 dhjetor, KE dy ditë më pas thanë se ky është gabim dhe se do të përmirësohet në një version të ri po të njëjtit raport.

Raporti tashmë është përmirësuar, por pse kjo qasje e BE-së ndaj Kosovës në kohën kur tashmë Kosova ka përmbushur kriteret për viza?

Profesori dhe analisti, Enver Bytyçi, ka thënë për “Bota sot”, se Bashkimi Evropian në dokumentet politike lëshon dy modele: një model shabllon dhe një model presioni.

“Bashkimi Evropian në dokumentet politike që lëshon ka dy modele: Një model shabllon dhe një model presioni. Modeli shabllon kopjon thjesht raportet e viteve të shkuara dhe jep të njëjtën statistikë e të njëjtin vlerësim. Ndodh jo rrallë që të përdoret kjo metodë. Në këtë rast është mirë të mos merrem në konsideratë. Sepse shpreh edhe një lloj indiferentizmi të tepruar të burokratëve të Brukselit. Këta burokratë mund të bëhen shkaku i kapitullimit në zbatimin e politikave të Bashkimit Evropian. Modeli tjetër është hartimi me kujdes i këtyre raporteve me mesazhe presioni ndaj vendeve jo anëtare, por që aspirojnë të integrohen në BE. Në raste të veçanta, si atë të Hungarisë, edhe ndaj vendeve anëtare të BE-së ndodh kjo”, ka deklaruar Bytyçi.

Sipas tij, taktikat me shtyerjen e liberalizimit të vizave me Kosovën kanë qenë të kalkuluara për t’i bërë presion qeverisë në dialogun me Serbinë.

Prandaj, sipas Bytyçit, kritika është krejt formale, më saktë një paralajmërim për Kosovën.

“Po ashtu taktikat me shtyerjen e liberalizimit të vizave me Kosovën kanë qenë të kalkuluara për t’i bërë presion qeverisë kosovare në dialogun me Serbinë. Kritika që BE bën ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi është një kritikë, të cilën unë e vlerësoj si krejt formale, që kanë lejuar pa viza qytetarët e Kosovës, është kritikë presioni. Më saktë një lloj paralajmërimi për Kosovën se “nëse nuk pranon kushtet ne do të izolojmë edhe nga vendet e rajonit”! Ajo deklaratë e BE-së është e turpshme! Është deklaratë që kurrsesi nuk do të duhej të dilte nga zyrat e Bashkimit Evropian. Kjo deklaratë që Mali I Zi dhe Maqedonia e Veriut të refuzojnë lëvizjen pa viza të qytetarëve të Kosovës në këto vende, bie në kundërshtim me parimet evropiane, të Procesit të Berlinit e nëse do të ishte në veprim, Open Balkan! Bien ë kundërshtim me kërkesat e Komisionit Evropian për integrimin rajonal, si kusht i domosdoshëm për integrimin evropian. Prandaj e shoh si të qëllimshme këtë kritikë ndaj dy vendeve fqinjë të Kosovës”, ka theksuar Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Ai e konsideron të çuditshme pse vërejtja nuk është bërë për Shqipëri dhe Serbi, vende këto që qytetarët e Kosovës lëvizin pa viza gjithashtu.

“Është e çuditshme pse nuk bëhet kjo vërejtje për Shqipërinë dhe Serbinë, vende në të cilat qytetarët e Kosovës lëvizin gjithashtu pa viza. Do të ishte mirë që Brukseli t’i kërkojë Serbisë të vendosë viza për qytetarët e Kosovës. Nëse do ta bënte këtë unë do ta përshëndesja një raport të tillë. Një vlerësim i tillë I BE-së u bë menjëherë pasi u vendos që në fillim të vitit 2024 qytetarët e Kosovës të lëvizin pa viza në zonën Shengen. Por ajo që është më shqetësuese, ka të bëjë me faktin se Kosova radhitet në raport në një rend me vende të Azisë ose Kaukazit. Është vërtet një handicap i jashtëzakonshëm. Kjo tregon se në Bruksel ose kanë rrjedhë nga trutë ata që hartojnë raporte të tilla, ose janë krejt të paaftë dhe të papërgjegjshëm për punën që bëjnë”, ka shtuar Bytyçi.

Raporti me kritikë për Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, sipas Bytyçit, është shqetësues, sepse dëshmon një perspektivë të zymtë të Bashkimit Evropian.

“Për mua ky lloj raporti me kritikë për Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, pse këto lejojnë kosovarët të lëvizin lirë në këto dy vende, është shumë shqetësues. Sepse dëshmon për një perspektivë të zymtë të Bashkimit Evropian. Një bashkim shtetesh, nëse merret me vogëlsira si këto dhe harron të merret me faktin se Serbia refuzon të vendosë sanksione kundër Rusisë, ose se Beogradi po tensionon dhe nxit luftë në veri të Kosovës! Në vend të merret me këto çështje madhore, Komisioni dhe BE merren nëse qytetarët e Kosovës hyjnë e dalin në Maqedoninë e Veriut me vizë apo pa viza”.

“Merret me atë që shqiptarët e Kosovës t’i izolojë edhe nga vëllezërit e vet që jetojnë në Maqedoninë e Veriut! Merret me turpin e saj! Në vend të kishte mbajtur fjalën për liberalizimin e vizave me Kosovën që para disa vitesh, merret me atë se ku e si lëvizin qytetarët e penalizuar prej sat ë Kosovës! Kosova është në një situatë shumë të vështirë. Po bëhen përpjekje që qeveria e Kosovës të vihet në vështirësi dhe para faktit të kryer. Po luhet fort për ta mbajtur afër presidentin e Serbisë. Po destabilizohet veriu i Kosovës. Dhe gjithçka ndodh me një regji të caktuar, ku rol kryesor ka Beogradi, por jo pa rol janë edhe disa qarqe të huaja. Këto ngjarje, akte dhe veprime janë në zhvillim e sipër, janë në dinamikën e zhvillimeve të sotme. Këto çështje janë shqetësimi i Kosovës dhe i rajonit. Dhe duhet të jenë edhe të BE-së. Ndërkohë Brukseli merret me atë se si lëvizin qytetarët e Kosovës në dy vende fqinjë!”, ka përfunduar Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat